Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    ..... .....
    Anëtarësuar
    11-05-2008
    Postime
    2,503

    Kristo Luarasi dhe Frashërllinjtë

    Nga Dr. Laurant Bica

    Për të, për Kristo Kici - Luarasin, qysh nga vdekja e tij më 7 korrik 1934 u hesht, u hesht dhe vetëm u hesht për gati 75 vjet rrjesht. Për regjimin monist të pesë dekadave të pas luftës së dytë botërore, atdhetari e rilindasi Kristo Papa Stefani nga fshati Luaras i Kolonjës kish të paktën dy "mëkate" të mëdha. Së pari, se bashkëpunoi me regjimin e shtetit shqiptar të kohës së Zogut; dhe së dyti, ishte mik i ngushtë e besnik i djalit të Abdyl Frashërit, Mid-hatit. Ndaj për të në Shqipëri asgjë s´do të pipëtinte.

    Por, nëqoftëse në vendin amë do të mbetej "i varrosur" një figurë e tillë e madhe e dy periudhave, të Rilindjes dhe Pavarësisë, duke e lënë qëllimisht në errësirën e harresës dhe duke shkaktuar "trauma" në kujtesën historike të kombit shqiptar, Noli i madh nga përtej oqeanit, në fund të viteve `50 të shekullit XX, në një fjalim të zjarrtë para mërgimtarëve shqiptarë në Boston do ta përcaktonte Kristo Luarasin si "një prej 28 personaliteteve shqiptare që vunë themelet e shtetit shqiptar" dhe si një "gud bisnesmen" - një bisnesmen i suksesshëm që vuri gjithçka, jetën e tij, familjen, kamjen e gjënë e vet në shërbim të Shqipërisë.

    Pas vitit 1960, kur udhëheqja e atëhershme iu kundërvu sovjetikëve dhe filloi të luajë "kartën e pavarësisë", më 1962 Kristo Luarasit iu dha një "Urdhër për veprimtari patriotike të klasit të dytë", dhe së shoqes Polikseni Dhespotit "Urdhër... i klasit të tretë". Duhej të vinte 90-ta që, në 80 vjetorin e shpalljes së pavarësisë më 1992, Kristo Luarasit t´i jepej dekorata e lartë "Pishtar i demokracisë".

    Ndërkohë heshtja vazhdonte për këtë rilindas të brezit të tretë, pas një Naum Veqilharxhi e Thimi Mitkoje, pas një Hasan Tahsini e Frashërllinjve, që qëndronte denjësisht në krah të një Ibrahim Temoje, Dervish Hime, etj. etj. se shkriu jetën për Shqipëri. Prej kohe në jetën e veprën e tij Kristo Luarasi është bërë "Nderi i Kombit", paçka se sot e gjithë ditën makar nuk kujtohet dikush të shkruajë dy fjalë. Historia është një gjykatëse e rreptë dhe u kthehet si bumerang në kohë të gjithë atyre që janë munduar ta shtrembërojnë atë, siç është bërë në mënyrë flagrante me një kollos të shqiptarizmit, si Kristo S. Luarasi. Gurët që janë hedhur mbi të, qoftë në të gjallë të tij qysh në Rilindje e më pas, qoftë pas vdekjes, sot u bien në kokë e do t´u bien si breshër atyre që bënë këtë.

    Kristua ka qenë një pemë plot kokrra për kombin shqiptar, i cili për rreth gjysëm shekulli punoi për ngritjen e vetëdijes së tij kombëtare dhe për ta çuar në rrugën e mbrothësisë, përparimit. Ky ishte qëllimi i jetës së tij dhe për të luftoi me të gjitha forcat e energjitë për ta vënë në jetë. Nderim e respekt këtij patrioti të shkëlqyer dhe rilindasi të vonë që jetësoi shtetin shqiptar. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm duhet t´i vlerësojnë sakrificat e panumërta të tij për komb e atdhe dhe t´ia "paguajnë" siç thonë amerikanët me një diçka fare të thjeshtë që ai e ka merituar me kohë në mënyrë të padiskutueshme: me MIRËNJOHJE! Figura e tij duhet rivlerësuar dhe vënë në piedestalin e nderit që i takon. Madje jemi të vonuar, tepër të vonuar, i jemi të gjithë "borxhlinj" Kristo Luarasit, këtij burri të madh të kombit shqiptar!

    Po kush ishte në të vërtetë Kristua?

    Le t´ua lëmë fjalën atyre që kanë qenë pranë tij, që e kanë njohur nga afër.

    Midhat Frashëri shkruan: "Kristua përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendesh një shqiptar, në gjithë qytetet e së gjerës imperatori otomane, në vise të largë të dy Amerikave, gjer në çipa të ngrirë të Siberisë e në shkretina të përvëluara të Afrikës, ... me një durim plot fisnikëri, me një ide plot çinteresim, me një ëmbëlsi karakteri të rrallë, ... Kështu duhet të shikohet si një mirëbërës fort i madh, një mirëbërës për mijë e mijë lëçitës të libravet dhe gazetavet që dilnin nga duart e Kristos, dhe një mirëbërës më i vlefshim akoma për bashkëpunëtorët e tij".

    Shahin Kolonja, me të cilin bashkëpunoi për 8 vjet rrjesht për nxjerrjen e gazetës kombëtare Drita (1901-1908), do të shkruajë, duke pasur parasysh koloninë shqiptare të Sofjes, se "kontributi i tij (Kristo Luarasit) për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku".

    Orientalisti prof. dr. Hasan Kaleshi nga Kosova qysh në vitin 1979 do ta fuste si zë të veçantë në enciklopedinë 4-vëllimshe në gjuhën gjermane: Leksikoni biografik për historinë e Europës Juglindore", emrin e Kristo Luarasit midis 28 personaliteteve më të shquar të historisë shqiptare që zunë vend aty. Kjo ishte një "kambanë" n´ato kohëra kur në Shqipëri për të heshtej dhe vetëm heshtej. Në Mynih të Gejermanisë binin kambanat në botë edhe për veshët që s´dëgjonin.

    Ishte pikërisht ky Kristo Luarasi që qysh më 10 mars të vitit 1910, në numrin e parë të gazetës Liri e Shqipërisë, kur jepte programin e saj do të shkruante: "Do të luftojmë me shpirt e trup për zgjerimin e diturisë e të ndjenjës kombëtare te populli ynë i dashur, që të lirohet nga padituria dhe errësira. Qëllimi ynë është mbrojtja e popullit tonë dhe e Shqipërisë nga intrigat e padrejtësitë e ndryshme prej cilësdo anë që vijnë". Këto fjalë pa u hequr asnjë presje mund t´i përdorim edhe sot që ka kaluar një shekull, aq aktuale janë. Kështu mund të fliste dhe fliste një rilindas vizionar iluminist i kalibrit të Kristo Luarasit. Balta që ndokush ka dashur të hedhë mbi të sot i kthehet fytyrës.

    Të flasësh për raportet e tij me Frashërllinjtë do të shkonte gjatë dhe do të kërkonte një studim të hollësishëm. Të shkruash vetëm për relatat e tij të ngushta, të vazhdueshme, të sinqerta vetëm me Midhat Frashërin nuk do të mjaftonte një libër i tërë. Por po them diçka që Kristo Luarasi mund të quhet me plot gojën "Frashërlliu" Kristo Luarasi qysh nga fëminija, kur në shkollën fillore greqisht nga i jati Papa Stefani do të mësonte shqip e më pas nga atdhetari Petro Nini Luarasi mësues i tij do të dëgjonte emrin e Naimit, ai u bë dishepull i Frashërllinjve dhe do t´u mbetej besnik atyre si askush tjetër në Rilindje, me një përkushtim e devotshmëri për tu admiruar, deri në frymën e fundit.

    Që në vitin 1895, kur djalë 20 vjeçar do të botonte në shtypshkronjën e Bukureshtit traktatin teologjiko-filozofik, Fletore e Bektashinjet të Naimit; që në vitin 1899, kur në emër dhe si përfaqësues zyrtar i autorizuar i shoqërisë Dëshira të Sofjes, do të ndërmerrte udhëtimin e famshëm në Shqipëri, Kalabri e Siçili tek arbëreshët e Italisë, e më pas do të takohej me "shpirtndriturit", siç i quan vetë Kristua, Naim e Sami në Stamboll, do të shkonte në Edrene e Selenik, Kristua do të merrte mbi supe barrën e madhe të propagandimit të veprave të rilindasve shqiptarë e sidomos të Frashërllinjve.

    Në një kohë kur "kandilit" të jetës së Naimit e të Samiut i kish mbetur fare pak vaj, Naimit vetëm një vit e Samiut vetëm 5 vjet, Kristo Luarasi mori barrën e madhe mbi shpatullat e veta të vetëdijësimit të popullit shqiptar nëpërmjet botimit, ribotimit e shumëfishimit në mijëra e mijëra ekzemplarë, sidomos të veprave të Naimit e të Samiut. Ai vetë i ka shtypur ato në shtypshkronjën Mbrothësia e ka ngrënë plumbin dhe helmet e shtypshkronjës me grushte, dhe kjo e çoi në moshën 59-vjeçare para kohe në varr, plus lodhja mbinjerëzore.

    Ai vetë i ka botuar, vetë i ka shpërndarë me rrezik jete në Shqipëri e kudo ku kish shqiptarë në të katër anët e globit, jo vetëm botimet e Sofjes, por dhe të Stambollit, të Bukureshtit etj. Sakrifica që bëri ky burrë i Shqipërisë është e madhërishme, e papërsëritshme, shkon deri në kufijtë e pamundësisë. Kristo Luarasi, ky rilindas tashmë i vdekur, por përsëri i pavdekur, i gjallë, diti si askush tjetër që krijesën e Johan Gutembergut ta vërë në mënyrë të shkëlqyer në shërbim të popullit shqiptar. "Liçensën" e botimit të veprave të tyre e mori drejtpërdrejtë nga Naimi e Samiu. E filloi me botimin më 1899 të veprës së Naimit: Istori e Shqipërisë dhe të Abetares shqip të Samiut më 1899, për të vazhduar pambarim me botim të gjashtë, të shtatë e më tepër deri sa qe gjallë. Pas vdekjes së tij e vazhdoi i biri Theodhori, deri më 1946 kur shtypshkronja Luarasi u mbyll nga regjimi monist si shtypshkronjë private.

    Në një kohë kur kolonia shqiptare e Bukureshtit e mbaroi misionin e saj dhe shkoi drejt rënies, me botimin e veprës së Samiut: Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet" që shënon kulmin e saj dhe koincidon me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, atë të Pejës Besa-Besën, Kristo Luarasi mori flamurin rilindas në duart e veta dhe botoi veprën e një Naimi e Samiu, po dhe të përfaqësuesve të tjerë të shquar të plejadës së tyre, të Gjerasim Qiriazit, Asdrenit, Spiro Dines, Midhat Frashërit, Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit etj.

    Ai qe jo thjesht një vizionar i shquar e largpamës i së ardhmes së Shqipërisë, po dhe një misionar i madh i Shqiptarizmit. Barrën e madhe rilindase që mori mbi shpatullat e veta, të vazhdimit të mbajtjes gjallë të idealit rilindas të Frashërllinjve pas vdekjes së tyre, ( pa ta) nëpërmjet botimit të veprave të tyre ai e përballoi me forcat e veta, duke pasur në krah përsa i përket anës ekonomike shoqërinë Dëshira të Sofjes, deri diku edhe ndihmën financiare të Austro-Hungarisë.

    Ai me të shoqen Polikseni punoi si "uvrier", punëtor në shtypshkronjë, ai ish një botues e përkthyes i talentuar që diti të aktivizojë patriotët më të shquar nga kolonitë shqiptare të mërgimit, si Bukureshti, Misiri, Italia, Amerika, dhe nga vetë Shqipëria, rreth vetes së tij në Kalendarin Kombiar, përmbi 20 vjet, po ashtu dhe në gazetat që botoi apo drejtoi vetë.

    Profili i Kristos është i gjerë dhe i jashtëzakonshëm si atdhetar si dijetar, si shkrimtar, si gazetar, si poet, si poliglot që dinte 7-8 gjuhë, si enciklopedist, sado që, siç thotë Loni Grabocka, një nga drejtuesit e shoqërisë Dëshira të Sofjes, kohën më të madhe ia hante shtypshkronja. Ai bashkoi në një të vetme jo vetëm atdhetarin, po dhe drejtuesin e organizatorin e zot, njeriun e ditur po dhe bisnesmenin e suksesshëm, si ndofta askush në Rilindje. Mund të kish njërën prej tyre, por jo të dyja bashkë.

    Loni Grabocka që e ka njohur personalisht e rendit të tretin midis veprimtarëve të shoqërisë Dëshira të Sofjes. Në vitin 1911 ai zgjidhet kryetar i shoqërisë atdhetare Dëshira. Shtypshkronja i hante gjithë kohën, prandaj ai u mënjanua disi nga detyrat organizative në krye të Dëshirës, duke mbetur shtylla kurrizore e saj dhe duke lënë në krye të saj, sikurse atdhetari tjetër i madh i Sofjes Dhimitër Mole për 12 vjet, Thanas Nikolla Trebickën, dhe për 10 vjet Thoma Sotir Brezhanin. Pas luftës së dytë botërore në krye të shoqërisë Dëshira dhe të kolonisë shqiptare të Sofjes do të vinte një intelektual tepër i lartë, po nga Kolonja, të cilin kam pasur fatin ta njoh vetë, si Thoma Kacorri, pasardhës i denjë i Kristo Luarasit. Libri i këtij: Për mëmëdhenë, i botuar në fillim të viteve ´60, ka lënë gjurmë të pashlyera në formimin tim.

    Kristo Luarasi ka meritën se diti me mençuri të botojë në shtypshkronjën e tij, ata tituj librash, ato organe shtypi, të cilët ishin më të domosdoshëm për kohën, që luajtën rol të jashtëzakonshëm në ecjen përpara të kulturës, arsimit dhe mendimit politik shqiptar. Dhe të mendosh se këtë e bëri në kushtet e ilegalitetit të thellë, i dërgonte fshehurazi në Shqipëri, gjë e cila paraqiste vështirësi të jashtëzakonshme.

    Ne këtu nuk do të flasim për pikëtakimet e Kristos me Abdyl Frashërin, Lidhjet e tij direkte e indirekte me Naim e Sami Frashërin, me dy dhëndurët e Naimit, Shahin Kolonja dhe Murat Toptani, me vëllain tjetër më të vogël të Frashërllinjve, po aq i madh sa tre vëllezërit Frashërllinj, por gjithmonë "i harruar" e i diskriminuar nga historiografia shqiptare, Mehmet Frashëri, me tre dishepuj frashërllinj si Petro Nini Luarasi, mësues nga të parët i shqipes dhe i vetë Kristos, Ibrahim Temo dhe Dervish Hima, dhe as për atë me të cilin në krah të njëri-tjetrit qenë gjithë jetën, djalin e Abdylit, Midhat Frashërin. Lidhjet e tyre janë të shumta e të panumërta, konkrete e shpirtërore. Ata luftuan për jetësimin e një ideali të madh, shqiptarizmit, dhe kjo u dha pavdekësinë. Lavdi emrit, veprës dhe punës së tyre të pamatur për komb e atdhe!

    Këto rrjeshta do të desha t´i mbyllja me rëndësinë e veprës së Kristos nga një dëshmitar okular që e njohu nga afër që fëmijë, Loni Grabocka. "Kristo Luarasi është një nga themelonjësit e Dëshirës. Ai mori pjesë aktive në jetën e kolonisë, sidomos në shfaqjet kulturore ... në të gjitha shfaqjet me rëndësi politike, në luftë për kishë të pavarur kombëtare ... merrej me përkthime nga bullgarishtja në shqip dhe nga greqishtja në shqip. Por rëndësia më e madhe e Kristo Luarasit është puna e madhe që shtypshkronja e tij bëri në fushën e rilindjes kombëtare. Shtëpia e Kristo Luarasit u bë fole për patriotët shqiptarë që punonin për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë ... priste dhe strehonte patriotët që vinin nga jashtë për të vizituar koloninë shqiptare në Sofje dhe shtypshkronjën Mbrothësia...".

    Për këtë të fundit dhe punën e madhe të Kristo Luarasit në të, Loni Grabocka vazhdon: "Rëndësia historike e shtypshkronjës Mbrothësia konsiston në faktin se ajo u krijua në një kohë kur populli shqiptar filloi të zgjohet nga gjumi pesëshekullor i robërisë turke ... gjuha shqipe ishte ndaluar zyrtarisht në Shqipëri nga autoritetet turke, dhe patriotët që guxonin ta përhapnin ndiqeshin dhe ndëshkoheshin rreptësisht. Nga ana tjetër ... asnjë shqiptar nga të kolonisë nuk do të ishte i aftë të bëjë atë punë të shtypshkronjës që Kristo Luarasi bëri. Nuk kish në koloninë e Sofjes tjetër shqiptar që mund të bënte atë punë vetëmohuese që Kristo Luarasi me familjen e tij bënte". Kristo Luarasi botonte e dërgonte në Shqipëri libra shkollorë e gazeta, të cilat përhapeshin në popull dhe ai me etje i lexonte dhe i ruante si gjëra të shenjta.

    Duke dashur ta përmbyll, po i kthehem kujtimeve të Midhat Frashërit, që shkruan në nekrologjinë për mikun e tij të zemrës me titull thjeshtë "Kristo", si njeri i familjes sepse ai hyri, i takon familjes së ndritur të frashërllinjve me krejt veprën e jetën e tij. Shihni me ç´emocion shkruan Midhati: "Që të bënj fjalë nga Kristua, duhet të marr shtegun drejt burimit të kujtimeve të mij ... Një mbrëmë duke u kthyer në shtëpi me vapor, Sami Frashëri rrëfeu se kishte parë ke Naimi një librë të re, që rëfente ditët dhe muajtë, me artikuj dhe vjersha, një botim shqip të shtypur në Sofje të Bullgarisë. Një librë shqip e re? për neve për ata të asaj kohe, ishte një ngjarje pa shëmbëll, një eveniment shpirtëror, shoqënor dhe politik. Pastaj për ne ishte habi e re, e një qyteti të ri ku botohesh një librë shqip ... jeta e Kristos, "jeta" e tij për neve filloj më 1896, në Sofje ... që nga ay mot them fillon jeta aktive e qendrës së Sofjes ku qëndrosëshin gjithë shpresat, gjithë aspiratat e shqiptarvet dhe aq më tepër sa, pas mërgimit të Joan Vretos, shoqëri e Bukureshtit bje në apati të agonisë edhe çdo mot, shumëherë disa herë në mot Kristua pregatit bukën e shpirtit dhe të mëndjes, gjellën e dritës, në formë librash të vogla, në formë zëdhënje, në formë grishime, se në atë periodë çdo e shtypur me "abecenë" makar edhe një fletë sa pëllëmba, dukesh një gjë me rëndësi fort të madhe, mirrte një karakter të veçantë, pothua të shenjtë. Ata që kanë rrojtur atë kohë duhet të mbajnë mënd akoma entusiasmën e atyre viteve, moshë dashurie mistike, e qëndrësuarë në një ideal. Jam i sigur se edhe sot akoma, në kujtim të atyre ditëve të ndriçime, zemra e tyre u reh në krahror dhe syt u gjejnë shkëlqimin e njëzet vjeçve.

    Çë gëzim, çë shpresa, çë ekstazë kur duartë preknin të shtypurën e re, fletoren, "bibllën" e ardhurë në mënyrë misterioze. Ah, duhet të ketë pasur fatin e rrallë dhe të lartë të një dashnori, e një amanti adhurimtar, që të munt të kuptojë gëzimin e ndjerë në ato kohë, ... gazin e të humburit të gjumit ose të derdhurit të lotvet...".

    E sollëm këtë pasazh të gjatë për të treguar se ç´ndjenë rilindasit tanë të mëdhenj Naim e Sami kur u ra në dorë numri i parë Ditërrëfenjësi Kombiar i vitit 1897, i nxjerrë nga mëmëdhetari vetëm 22 vjeçar, Kristo Luarasi, nxënës i shqipes i mikut të tyre Petro Nini Luarasi, dhe nga ana e vet mësues i gjuhës shqipe në fshatin Luaras të Kolonjës në vitet 1893-1894, nxënës në Akademinë apo Universitetin e parë shqiptar të hapur në Bukuresht të Rumanisë, shkollën shqiptaro-vllehe të çelur nga miku tjetër i Frashërllinjve, Nikolla Naço-Korça, edhe ky një apostull tjetër i shqiptarizmës, njësoj si Naimi e Samiu në Stamboll.

    Në këtë shkollë në Bukuresht, Kristua do të mbaronte, po të flasim me gjuhën e sotme, dy "mastera": diplomën "I aftë për të ushtruar profesionin e mësuesit të gjuhës shqipe" dhe një diplomë të dytë, atë të tipografit që e "inaguroi" me botimin e dy veprave, një përkthimi dhe Fletores së Bektashinjet të bilbilit të Frashërit më 1895.

    Kristo Stefan Kici (Luarasi) ka meritën e padiskutueshme në Rilindjen Kombëtare se ai mbajti të ndezur flakadanin rilindas të Frashërllinjve për gati gjysëm shekulli, 50 vjet. Ai i ngjet jo "karthijave", as "degëve", as "trungjeve", por "kërcunjve" që mbajtën gjallë zjarrin e atdhetarizmit në mënyrë konstante për një kohë të gjatë në vatrën shqiptare, Ai është nga ata lisat trupmëdhenj rilindas që i kanë bërë ballë të gjitha erërave dhe koha sado noprane nuk i zhbën dot se i kanë rrënjët thellë në truallin amtar.

    Po të perifrazonim, atij i shkon thënia e popullit që del në këngën e tij për Shahin Kolonjën: "Kush u shkri për Shqipërinë, Kristua me Frashërllinjtë".
    Ndryshuar për herë të fundit nga white-knight : 12-11-2008 më 15:36

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 59
    Postimi i Fundit: 20-03-2014, 07:01
  2. Rilindasi Kristo Kirka
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-07-2012, 16:33
  3. Përgjigje: 63
    Postimi i Fundit: 24-01-2010, 21:51
  4. Kristo Kono, krijuesi i palodhur i artit popullor
    Nga Brari në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-08-2004, 19:32
  5. Regjisori Mihal Luarasi
    Nga Brari në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-04-2003, 10:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •