Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    “Zgjidhja” e çështjeve nacionale në parajsën e djallit

    OPINION

    Cikli: Eksperimenti me emrin komunizëm/ “Zgjidhja” e çështjeve nacionale në parajsën e djallit

    10-11-2008 / Armand Plaka

    Me “te drejtën për vetëvendosje” të kombeve dhe lejimin e përkohshëm të shkëputjes nga Moska, Lenini bën “furore” si revolucionar, duke aplikuar në praktikë vetëm një stacion të strategjisë së tij të paramenduar për zgjidhjen e “çështjes së nacionaliteteve”. Pasardhësi i tij Stalin, përkundrazi preferoi të ndiqte hapur gjurmët e ish-perandorisë cariste. Por në fund konfliktet nacionale të agravuara do të sillnin edhe fundin e “Perandorisë së Kuqe”. Si u “menaxhuan” dhe a përbënte sistemi bolshevik dhe Bashkimi Sovjetik, oazin e paqes e të vëllazërisë mes popujve? Ç’rol pati dhe a u shkri vërtetë ndikimi i shovinizmit rus mbi popujt e tjerë jorusë? -A pati një proces të lirë të afrimit të popujve në një supershtet dhe pse ideja komuniste nuk mund t’a zgjidhte dot as këtë problem?

    Pushteti sovjetik nuk kishte një javë që ishte ngritur. Ndërkohë telegrafistët përcjellin një lajm të bujshëm nga Perogradi - selia e qeverisë revolucionare. Ato çka gjendeshin në mesazh tregonin për një “tërmet” të vërtetë në politikën botërore: udhëheqja e re ruse, Këshilli i Komisarve të Popullit, deklaronte se është për të drejtën e vetvendosjes për të gjithë popujt e Rusisë dhe njeh madje, dëshirat e tyre deri në ndarje dhe formimin e shteteve të pavarura. Kundërshtarët politikë të bolshevikëve - para së gjithash menshevikët e majtë - e fajësuan Leninin menjëherë se ai po kërkonte kështu rrënimin e vendit, duke nënvleftësuar aspektin e veprimit strategjik, që u vinte në ndihmë bolshevikëve. Deklarata joshëse e Leninit kundrejt kombeve të shtypura nga regjimi carist në atë kohë, mund të konsiderohet edhe si fanfara e një superfuqie të ardhshme botërore. E drejta për vetvendosje e popujve pas Luftës së Parë Botërore dëshmohet si një akt madhor që i bëri popujt e vegjël e të rinj të ngrihen e të kërkojnë shkëputjen nga të mëdhenjtë dhe rregullat koloniale. E në këtë aspekt, Lenini duket se kishte avancuar mjaft.

    Por kjo ishte – siç rezultoi shumë shpejt - një pjesë e qartë e strategjisë së tij. Vetëm pak javë më vonë, me 8 janar 1918, Presidenti amerikan Udrou Uillson, në programin e tij prej 14 pikash kishte shpallur se si shtetet e mëdhenj, ashtu edhe ata të vegjlit, kanë të drejtën të ushtrojnë pavarësinë politike dhe t’u njihet integriteti territorial. Ndërkohë vendoset krijimi i shteteve të reja, që kryesisht nisën të dilnin në dritë si pasojë e zhdukjes nga harta e Perandorisë austro-hungareze, tashmë një nga palët humbëse pas Luftës së Parë. Ky ishte dhe konteksti historik që ofronte koha për të cilën po flasim deri më tani, në planin e zhvillimeve ndërkombëtare. Fillimisht duket sikur revolucionarët e kuq kërkonin vërtetë ndarje përfundimtare nga të gjitha praktikat e sjelljet e Perandorisë cariste në të gjitha aspektet, pra edhe në lidhje me të drejtat e popujve jorusë për t’ u pavarësuar e zgjedhur në liri formën e qeverisjes: pra, humbjen e territoreve të mëdha në Kaukaz, Azi Qendrore e rajone të tjera, për të cilat Carit iu kishin dashur vite e dekada të tëra për t’ i nënshtruar. Ata negocionin, propagandonin dhe silleshin sikur të kërkonin të hidhnin në erë vërtetë këtë “burg kombesh”, siç e kishte cilësuar Perandorinë cariste Karl Marksi.

    Kështu në dhjetor 1917, bolshevikët si hap të parë, njohin pavarësinë e Finlandës. Në maj 1920, atë të Gjeorgjisë dhe deri në gusht 1920 nënshruajnë traktate paqeje me shtetet e tjera të sapokrijuara nga zona e Balltikut, fqinje me Rusinë si: Estonia, Letonia dhe Lituania. Por vetëm pak javë para “Revolucionit të Tetorit”, Lenini kishte bërë të qartë pjesëza të strategjisë së tij, kur kishte pohuar se “shkëputjet e disa kombeve nga Perandoria cariste, do të ishin vetëm të shkurtra në kohë dhe se ai nuk do t’ i njihte kurrë pretendimet e tyre në terma afatgjatë”. “Ne nga ana jonë nuk e duam fare ndarjen e tyre. Nëse është e mundur, ne do të donim një shtet sa më të madh, një lidhje apo federatë të një numri sa më të madh kombesh, të cilët të jetojnë në fqinjësi me rusët e mëdhenj”. Ai dukej se priste “një lidhje sa më të ngushtë nën shembëlltyrën dhe imazhin e “Revolucionit të kuq”, sipas tij, “në përputhje me vetë dëshirën e këtyre popujve”. Me stafetën e Revolucionit në dorë, bolshevikët donin t’ i vinin flakën edhe oborreve të pasme të Perandorisë së kalbur cariste.

    Në prill 1920, “Ushtria e kuqe” pushton Azerbajxhanin e pavarur; 7 muaj më vonë ajo vendos flamurin sovjetik në kryeqytetin armen, Erevan dhe i jep fund kështu atje një pavarësie afatshkurtër ( 2-vjeçare), duke e mbyllur ciklin kaukazian në shkurt 1921, kur pushton edhe Gjeorgjinë. Edhe Bjellorusia dhe Ukraina nuk do të qëndronin më gjatë të pavarura. Në dhjetor 1919, “Ushtria e kuqe” kthehet në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ndërsa në korrik 1920, metropoli bjellorus, Minsk, i cili ishte bërë pjesë e Perandorisë Rusë në vitin 1795, bie sërish në duart e tyre. Në Azinë Qendrore, të cilën gjeneralët e Carit e kishin shtënë në dorë në gjysmën e dytë të shekullit të 19 pas disa fushatash dhune të pamëshirshme, të kuqtë zgjodhën të ndiqnin shumë shpejt gjurmët e paraardhësve të tyre “të urryer”. Me ndërhyrje masive e të përqendruar ushtarake, të shoqëruar edhe me propagandë buçitëse ngado që shkonin, bolshevikët thyen në 1920 regjimet feudale të Buharasë dhe të Çiua-s në atë që sot njihet si “Republika e Uzbekistanit”.

    Por deri në fillim të viteve ’30, “Lëvizja e Basmaçëve” – e përbërë pjesërisht nga “rebelët” muslimanë dhe pjesërisht nga banda kusarësh- i “dhuruan” sovjetëve një rezistencë të hidhur me aksionet e tyre që mbartnin taktika partizane. Megjithatë, duke ia nisur nga mesi i viteve ‘ 20, BS arriti ta fusë në dorë pothuajse të gjithë territorin e trashëguar nga Perandoria cariste, por bolshevikët në fillim nuk ishin fort të qartë mbi ndërtimin e brendshëm e funksionimin e kësaj Perandorie të re. Kështu për shembull, përsa i përket administrimit të zonës transkaukaziane në vitin 1922, pak para themelimit zyrtar të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, shpërthen një zënkë e fortë midis Leninit dhe Sekretarit të ri të Përgjithshëm - e deri në atë kohë, edhe Komisar i Popullit për Çështjet e Nacionaliteteve. Kundërshtari i tij quhej Jozef Stalin. Ideja e Leninit ishte që popujve jorusë t’ u lejoheshin hapësira veprimi autonome ( të kufizuara) brenda sistemit sovjetik, nëpërmjet krijimit të republikave nacionale në një Union të përbashkët. Stalini përkundrazi donte vetëm një “autonomi”, dhe këtë madje të shprehur thjesht nga emri, pra fare formale. Lenini paralajmëron se kjo do të sillte ringjalljen e shovinizmit rusomadh.

    Ai fillon të flasë me shpoti ndaj Stalinit dhe shefit të policisë sekrete sovjetiike, Feliks Gjergjinski ( ky i fundit gjithashtu një jorus i lindur në Poloni), duke thënë se “ka një tendencë të dukshme nga jo rusët e rusifikuar, për ta tepëruar në këtë çështje deri në ekzagjerim”. Stalini në parti ndërkohë njihej si “Specialist për çështjet e nacionaliteteve”, qëkurse bolshevikët e kishin dërguar atë në 19134 në një udhëtim trajnues 2-mujor në Vienën multikulturale, si shembulli i një kryeqyteti të një perandorie të zhvilluar multinacionale. Në brigjet e Danubit asokohe nuk jetonte vetëm rivali i mëvonshëm i Stalinit, Leo Trocki. Në kafenetë popullore vjeneze, të frekuentuara dendur nga socialistët, pikërisht në këtë kohë që po flasim, mund të hasej edhe një njeri tjetër i dhënë pas leximit të gazetave marksiste; një djalë i ri që ashtusikurse dhe Stalini mendonte për “zgjidhjen” e çështjeve të nacionaliteve në mënyrën e tij: ai quhej Adolf Hitler.

    Rezulton se Hitleri ishte ndikuar kaq shumë nga demonstratat e lëvizjet e socialistëve vjenezë, saqë ai, 11 vjet më vonë i shënon me hollësi të gjitha këto ngjarje në “kryeveprën” e tij, “Mein Kampf”. Stalini përkundrazi, i përpunon dhe i vë në jetë shumë më shpejt se Hitleri, impresionet që kishte përftuar gjatë qëndrimit në Vjenë: që në vitin 1913, ai shkruan broshurën me titull “Marksizmi dhe çështja nacionale”. Aty ai e definon nacionin ( kombin) si një “bashkësi stabile njerëzish” me një “lloj qenësie psikike të dukshme në bashkësinë e kulturave”- dhe pasuron doktrinën e thatë marksiste me një dozë psikologjie popujsh, pasi popujt, sipas Stalinit asokohe, ndryshojnë në sjelljet e tyre, sipas shpirtit dhe ndjenjave të tyre. Nga ideja e një “shkrirjeje të kombeve” për të sjellë një antipod amerikan të bashkëekzistencës së popujve, ashtu siç e parashikonte Lenini, dukej se Stalini ishte shumë larg. Me themlimin e BS-së, diktatori i mëvonshëm dhe “babai i kombeve” Jozef Stalin detyron Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin të bashkohen në një Republikë Federale Sovjetike Transkaukaziane.

    Më vonë, në vitin 1924, ai shtyp në mënyrë brutale një kryengritje në vendlindjen e tij, Gjeorgji. Një përshtypje të parë për masën e parë të terrorit që ai ushtroi asokohe, ta jep edhe historiani gjeman që është marrë asokohe me çështjet ruse, Erik Obst. Ai vizitoi Gjeorgjinë asokohe vetëm pak muaj pas kësaj kryengritjeje. Në vëllimin e tij botuar në 1925 me titull “Skica ruse”, autori i sipërpërmendur rrëfen se : “…thuajse asnjë familje gjeorgjiane nuk mund të gjendet që të mos ketë një anëtar të humbur (të vrarë). Në fillim të viteve ’30, Stalini ndërmerr një fushatë të re përsa i përket politikës dhe linjës së partisë për çështjet e nacionaliteteve. Tashmë si armik nuk shihet më frika e Leninit e shprehur dikur mbi “shovinizmin rusomadh”, por nacionalizmi i popujve të shtypur jorusë. Nëse deri në atë kohë politika bolshevike vërtitej mes imperializmit të paskrupullt dhe një farë vëmendjeje ndaj interesave të popujve jorusë, tashmë ai kujdeset vetëm për ringritjen e “burgut të ri të popujve”.

    Nga viti 1934 e më pas, librat e historisë sovjetike filluan ta cilësonin politikën koloniale cariste në Azinë Qendrore si progresive dhe pozitive. Gjatë spastrimeve të përgjakshme të viteve ‘36-‘38 “Perandori i kuq” nuk harroi të shfaroste edhe elita të tëra nacionale në republikat e nënshtruara sovjetike joruse. Nëse komunistët sovjetikë kishin toleruar gjatë viteve ‘20 edhe mësimdhënien dhe botimet në gjuhët nacionale, tashmë njerëzit e Stalinit ishin hedhur në sulm për një fushatë masive dhe agresive rusifikimi - pikërisht ashtu si kishte vepruar edhe Këshilli carist në vitin 1833 kur iu kishte drejtuar vendeve përtej Kaukazit me fjalët: “Ata duhet të lidhn me Rusinë… si një trup i vetëm dhe popullsia e atjeshme duhet të shtrëngohet të arrijë deri aty sa të mendojë në rusisht, të flasë e të ndjejë vetëm në gjuhën e Carit tonë”. E pikërisht në këto gjurmë po lëvizte tashmë diktatori me pamje të hekurt me origjinë joruse, duke kulmuar me “Paktin e Mossulmimit” të gushtit 1939 me Hitlerin. Çështjet e nacionaliteteve shiheshin në një optikë të re nga të dy dikatorët në këtë pakt të nëmur.

    Pjesa e dytë

    Ky i fundit i siguron Stalinit kontrollin mbi republikat balltike, Moldavinë si dhe mbi Bjellorusinë Perëndimore dhe Ukrainën Perëndimore, të fituara nga Polonia në 1920 - duke i shpallur si “sfera interesash”. Në qershor 1940, shefi i Kremlinit urdhëron marshimin e “Ushtrisë së kuqe” në territoret e tri republikave ballitke: Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Parlamentet që u ngritën pak më vonë atje, ishin kukulla sovjetike dhe si të tilla, në gusht 1940 i drejtohen diktatorit sovjetik me kërkesën dhe “dëshirën” e tyre për t`u aneksuar ose “lidhur përjetësisht me fatin e sovjetëve”, dëshirë të cilën “babai i kombeve” ia plotëson me kënaqësi e shpejtësi. Ajo çfarë pasoi ishin skenat e një terrori të përgjakshëm. “Vera e vitit 1840 - shkruan shkrimtarja letoneze, Amanda Aizpuriete - në Letoni ka mbetur në kujtesë si ‘vera e tmerrit’”. Njerëzit e Stalinit arrestuan dhe deportuan në atë kohë dhjetra-mijëra balltikas e mijëra prej tyre u vranë ose u dërguan në kampet e internimit. Shumë lituanezë, letonezë dhe estonezë nisur nga këto arsye e perceptojnë edhe sot e kësaj dite marshimin më pas të trupave të Vehrmacht-it gjerman në verë 1941, si një çlirim. Balltikasit e rinj menjëherë pas hyrjes së trupave gjermane në territorin e këtyre vendeve, në mënyrë masive u vunë me dëshirë në shërbim të trupave SS dhe preferuan bashkëpunimin me gjermanët.

    Po kështu ndodhi edhe me shumë ukrainas perëndimorë dhe popuj të Kaukazit verior, ndërsa panë që pushteti i sovjetëve po zëvendësohej me një të ri. Gjermania naziste, jo vetëm ushtarakisht, por edhe ideologjikisht përbënte një kërcënim ekzistencial për Perandorinë Sovjetike. Invazorëve fillimisht u shkon për shtat nami tradicional i gjermanëve ndër popujt e lindjes. Ata proklamojnë çlirimin e popujve nga bolshevizmi, u premtojnë jorusëve një lloj pavarësie dhe një “socializëm të vërtetë”, sipas modelit nazist. Sipas vlerësimeve, rezulton se 2 milionë qytetarë sovjetikë të nacionaliteteve të ndryshme, bashkëpunuan me gjermanët me gjithë rritjen e mëvonshme të brutalitetit në politikat pushtuese të Berlinit dhe ideologjisë SS-e, të aplikuar për “nënracat lindore”. “Kopshti i vëllazërisë” mes popujve sovjetikëme këtë rast tregoi për herë të parë ndasi e probleme të thella. Kështu, me gjermanët bashkëpunuan grupe të rinjsh bjellorusë, ukrainas dhe kaukazianët, të cilët në krah të gjysmëhënës muslimane, vendosën që të mbanin edhe një kryq të thyer.

    Stalini reagoi me deportimin e etnive kolaboracioniste. Rreth 800 mijë gjermanë - për shembull - që jetonin në zonën përreth Vollgës ( e që deri në atë kohë kishin krijuar një koloni që gëzonte edhe një farë autonomie ) u deportuan në 1941-‘ 42 drejt Kazakistanit dhe Siberisë. Në shkurt 1944, sovjetikët deportuan ekzaktësisht 602.193 banorë nga Kaukazi Verior - sipas një raporti të policisë së fshehtë sovjetike - ku para së gjithash shquheshin çeçenët dhe ingushët. Ata u futën nëpër vagona mallrash dhe u dërguan me dhunë drejt Azisë Qendrore. Masat e dhunshme dhe deportimet - me përjashtim të gjermanëve - u kryen eksluzivisht mbi popujt muslimanë, ndër të cilët edhe tatarët e Krimesë, por sigurisht edhe mbi balltikasit më vonë. Populli malësor i Osetëve ( një popullsi me origjinë ruse e krishterë) i cili i kishte pritur mirë ushtarët gjermanë, çuditërisht u ruajt nga deportimet masive të ndërmarra nga Stalini. Këtë radhë, i biri i një babai oset dhe i një nëne gjeorgjiane vendos të tregohet i mëshirshëm ndaj gjeorgjianëve, megjithëse këta të fundit kishin vënë në shërbim të gjermanëve gjatë luftës, katër batalione këmbësorie.

    Stalini propagandon nga 1941, një lloj ideje të “bashkësisë së popujve” për t’ u përshtatur me rrethanat e reja që solli koha. Moska proklamon luftën atdhetare duke iu referuar “Luftës së Madhe Patriotike” kundra Napoleonit dikur. Sesa i suksesshëm ishte ky concept, do të shprehej asokohe edhe vetë Ministri i Propagandës naziste, Jozef Gëbels. Në janar 1943, pak para përfundimit të Betejës së Stalingradit, ai shkruan në ditarin e tij se Stalini e kishte kuptuar më së miri luftën e bolshevizmit kundër Rajhut gjerman duke i dhënë asaj një karakter nacional. Por triumfi që Stalini njohu në Konferencën e Potsdamit, siç dihet, ishte zhgënjyes për fatin e popujve sovjetikë e atyre që ishin pranë tyre. Kështu, lëvizjet nacionaliste vazhduan të ishin aktive edhe pas lufte, sidomos në republikat balltike, duke i rezistuar ripushtimit sovjetik deri në fillim të viteve ‘50 me dhjetra-mijëra antëtarë ilegalë të rezistencës. Kështu, historia nis të përsëritet ndërsa Moska ndërmerr një fushatë deportimesh që numëron një valë prej 440 mijë balltikësh. Akoma më e vështirë dukej të ishte gjendja në këtë kohë në Ukrainën Perëndimore. Atje, Armata e kryemgritësve ukrainas, arriti të mbante nën kontroll deri në fillim të viteve ’40, qytete dhe zona të tëra në zonën Perëndimore të vendit; luftëtarë të rezistencës nacionaliste, godisnin shpesh individë e grupe përkrahësish të pushtetit sovjetik.

    Vetëm kur njësitë e specializuara ushtarake sovjetike arritën të vrisnin komandantin legjendar, i cili deri në atë kohë numëronte deri në 10 mijë ushtarë e përkrahës nën urdhëra, Roman Shuheviç, në vitin 1950 gjatë një beteje, lëvizja nacionaliste e rezistencës ukrainase kundër pushtetit sovjetik nis të zbehet deri në shuarjen e plotë. Me sulme ushtarake, atentate dhe deri në helmime, gracka e komplote ndaj kundërshtarëve politikë me tendenca nacionaliste, Kremlini ia del kësisoj ta sjellë në shina situatën në Ukrainën Perëndimore në vitet ‘ 50. Por lufta ndaj përpjekjeve për pavarësi të ukrainasve, balltikasve dhe kaukazianëve, deri në fund të Perandorisë Sovjetike, vijoi të mbetej njëra nga detyrat më të rëndësishme për aparatin shtetëror të sigurisë në Moskë. Me ndërrimin e brezave dhe rritjen e standarteve të jetesës, terrori masiv i Stalinit thuajse po zhdukej nga kujtesa dhe udhëheqja sovjetike në dekadat e mëvonshme arriti të krijonte një qetësi relative, gjithsesi të rreme. Nën sipërfaqe, pasionet nacionale duket se nuk ishin shuar. Në Kaukaz për shembull, fillon të lindë një situatë paradoksale. Qindra-mijra fshatarë të rinj, derdhen drejt kryeqyteteve, por të rinjtë tashmë janë më të prirur drejt zakoneve e traditave nacionale, sesa të brymosur me mësimet e socializmit. Jo vetëm ata, por edhe shokët e tyre në republikat e tjera, i kushtohen me zell të vërtetave të thjeshta, të cilat prodhojnë elita nacionaliste intelektualësh në Armeni, Ajzerbaxhan etj. Por pakkush në fund të viteve ‘ 80 po arritne të kuptonte se Perandorisë po i vinte fundi. Kritiku rus i regjimit sovjetik, Andrei Alamerik, që në vitin 1969, në një esse kishte parashikuar se: konfliktet nacionale të shtetit shumëkombësh me emrin BRSS, një ditë do të sillnin një Revolucion të dytë rus.

    Duket se autori kishte qenë i saktë në parashikimin e tij; vetëm se ishte gabuar në përcaktimin e vitit të ( kataklizmës ). Ai shtronte asokohe në essenë e tij, pyetjen: A do mund të mbijetojë BS përtej vitit 1984? Në vitet ‘ 70 disidentët nacionalistë, që nga Riga (në Letoni) deri në Erevan (Armeni) nisën të krijonin rrjete informale intelektualësh, të cilët filluan të botonin gazeta e revista të vogla, duke i shpërndarë dorë më dorë. Tashmë sigurisht se redaktorët e tyre duhet të llogarisnin dënime me burg, apo ndëshkime administrative, por kurrsesi më, prerje kokash.

    Nga ana tjetër, raprezaljet sillnin shpeshherë efektin e kundërt. Firma e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë bolshevike asokohe, Leonid Brezhnjev në “Deklaratën e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” në vitin 1975, sigurisht se i dha krahë më shumë disidentëve. Grupe gjysëmlegale të ashtuquajtura “të Helsinkit”, nisën të ngriheshin duke iu referuar gjithnjë e më shumë neneve të Kartës së të Drejtave universale njerëzore. Megjithatë, ideologët e partisë vijonin të formulonin teza të një afrimi gradual dhe miqësie të patundur të popujve sovjetikë me njëri -tjetrin dhe me atë rus. Ata tashmë flisnin për një popull të vetëm sovjetik, i përbërë nga 280 milionë njerëz, një tezë kjo shumë e pavërtetuar, pasi për shembull, gratë e nacionaliteteve muslimane në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore, vijonin të mos martoheshin kurrë me një rus. S’ do të vononte shumë dhe do të tregohej se pas fasadës, kazani ziente. Në dhjetor 1986, një grup të rinjsh kazakë demonstrojnë në Alma-Ata kundra emërimit nga Moska të rusit Genadi Kolbin, si shef partiak republikan, duke dalë me parrullat “Kazakistani i kazakëve”. Policia ndërhyn për të shpëndarë njerëzit, dhe si pasojë e dhunës, dy protestues vdesin dhe 200 mbesin të plagosur. Rreth një vit më vonë, konflikte të përgjakura shpërthejnë në republikat kaukaziane.

    Në shkurt 1988, parlamenti i zonave të populluara kryesisht nga armenët, të njohura me emrin “Nagorni- Karabakh”, një enklavë në Republikën e Ajzerbajxhanit, kërkon bashkimin me Armeninë. Shpejt do të vinte edhe përgjigja e azerbajxhanasve, të cilët reagojnë me dhunë të skajshme. Duket se situata kështu Moskës i kishte ikur nga duart. E kjo do të përbënte në këtë rast, edhe fillimin e një konflikti disavjeçar mes dy republikave të mëvonshme të pavarura. Tashmë duket se velloja e kostumit “të harmonisë dhe vëllazërizë” në supershtetin multinacional, kishte rënë. Shteti sovjetik, i cili për dekada me radhë kishte arritur të ngrinte pasionet nacionale, tashmë nuk mund të mbronte më shtetasit e vet nga pogromet. Shumë shpejt do të vinte edhe rrëshkitja e Gjeorgjisë nga sfera e kontrollit politik e shtetëror. Në një demostratë në 1989, në Tbilisi, parashutistët sovjetikë këtë radhë ndërhyjnë duke vrarë 19 vetë e i japin kështu edhe më shumë shkak ndezjes së pasionit nacionalist gjeorgjian dhe përpjekjeve të tyre për pavarësi. Edhe Balltikun, Moska nuk mund ta mbante më gjatë. Atje, estonezët, letonezët dhe lituanezët, duke ia nisur nga vera e 1988, mundën sërish të demonstronin në mënyrë të lirë e paqësore, e duke zhvilluar zgjedhje të lira të kërkonin në referendum rikthimin e plotë të sovranitetit.

    Përpara se Perandoria sovjetike të binte plotësisht në agoni, dhunës do t`i hapeshin sërish dyert. Në janar 1991, njësi speciale sovjetike pushtuan Qendrën Radiotelevizive në kryeqytetin lituanez, Vilnius. 14 vetë u vranë ose u shtypën nga tanket. Një javë më vonë, njësi speciale sovjetike hyjnë në Ministrinë e Brendshme letoneze në Riga: pesë vetë gjejnë vdekjen. Udhëheqja sovjetike, duke përfshirë edhe Gorbaçovin, tërhiqej duke të dhënë përshtypjen se ato nuk kishin përgjegjësi për këtë dhunë të ushtruar në republikat separatiste. Por Partia Komuniste e BS-së, pra pikërisht ajo që ishte propaganduar si “dora e hekurt” e Unionit multinacional, nis të humbasë me shpejtësi respektin si tek miqtë, ashtu edhe te armiqtë. Dukej sikur regjimi sovjetik po përsëriste kësisoj rënien e pandalshme e të shpejtë të Perandorisë cariste në një dimension të ri. Pas puçit në Moskë kundra Gorbaçovit në gusht 1991, Presidenti i ri rus, Boris Jelcin, dekretoi ndalimin e Partisë Komuniste. Perandoria Sovjetike tashmë kishte rënë. Republikat joruse që e përbënin - që nga Bjellorusia, deri në Taxhikistan - nisën të deklaronin njëra pas tjetrës pavarësinë. BS vetë formalisht pushoi së ekzistuari në 26 dhjetor 1991. Parrulla e propaganduar dikur nga Lenini “ E drejta për ndarje të kombeve nga perandoria ruse”, tashmë dukej se po bëhej realitet. Por, gjithsesi në një mënyrë plotësisht të ndryshme nga ajo që vetë Lenini e kishte imagjinuar. ...

    55

  2. #2
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    O Brar vllai, me duket se ta kam thene edhe me pare: nuk te lexon njeri me keto shkrime kaq te gjata.Pak e sakte bre

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •