Greqi, referendum për ndarjen e kishës nga shteti

Kryepeshkopi Ieronimos: Do të respektojmë vendimin e popullit

Në Greqi nis debati për rishikimin e marrëdhënieve në mes kishës e shtetit. Kreu i Kishës Ortodokse të Greqisë, Kryepeshkopi Ieronimos, deklaroi dje se një referendum për ndarjen e kishës nga shteti do të ishte zgjidhja, nëse qeveria greke e trajtonte çështjen. "Në rast të një ndarjeje të tillë, kush duhet të vendosë, ne apo populli?", shprehu pyetjen Kryepeshkopi Ieronimos në një intervistë për "Star", televizioni rajonal i qendrës së Greqisë. Populli do të informohet dhe do të shprehet gjatë një referendumi, kjo është e thjeshtë dhe më tej ne të gjithë do të jemi të detyruar të ndjekim vendimin e tij", shtoi ai. Të mërkurën, në një konferencë në Universitetin e Teologjisë të Athinës, Kryepeshkopi Ieronimos ka theksuar se "kisha nuk do ta trajtonte asnjëherë çështjen e ndarjes", por nëse qeveria e bënte këtë, zgjidhja do të ishte bërja e një referendumi". Ndarja e kishës nga shteti mbetet një temë tabu në Greqi, vend me më tepër se 90 për qind ortodoksë dhe ku kisha ka një influencë të fortë. Megjithatë, kisha kohët e fundit ka pasur një rënie të popullaritetit si pasojë e një skandali, që tronditi edhe partinë e qeverisë së djathtë dhe që kishte të bënte me një shkëmbim shumë të përfolur imobiliar mes njërit prej manastireve të komunitetit ortodoks që vetadministrohet në Malin Athos dhe shtetit. Kryepeshkopi Ieronimos, i zgjedhur në krye të kishës në shkurt, pas vdekjes së kryekonservatorit Kristodulos, njihet për qëndrimin e tij të moderuar dhe të hapur. Greqia është i vetmi vend i Bashkimit Evropian, ku shteti nuk është laik, por është pjesë e Republikës greke. Në fakt prej kohësh shoqëria civile në vendin fqinj ka nisur një debat të gjerë në lidhje me këtë çështje, duke kërkuar një ndryshim të këtij koncepti, ashtu siç e ka gjithë perëndimi. Por ajo është një temë, e cila kërkon kohën e saj për t‘u pjekur, por edhe për të vepruar. Siç duket ndryshimi në kreun e kishës ortodokse të Greqisë, ku emërimi i Kryepeshkopit Ieronimos shihet nga shumë analistë si mundësi për reforma në marrëdhëniet mes shtetit dhe kishës ortodokse. Kryepeshkopi Ieronimos shikohet si i moderuar dhe shumë analistë e shikojnë si personin e duhur që mund të thyejë tabunë, e cila ka vite që është një status-quo e pandryshuar në vend. Në fakt, edhe qeveria konservatore "Karamanlis", ka përkrahur një reformë që do ta ndante kishën nga shteti, duke ecur në një rrugë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Megjithatë, në shtetin fqinj kisha ka një peshë shumë të rëndësishme në jetën sociale politike të vendit, nisur edhe nga zhvillimet historike.

shqip