Zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jenë një nga sfidat kryesore që duhet të realizojë vendi ynë, me qëllim që të mos ketë më kontestime nga ndërkombëtarët.
Nertila Pupuleku
Premte, 07 Nentor 2008 08:05:00
Republikani, Sabri Godo, flet për Kodin e ri Zgjedhor, marrëdhëniet mes prokurorisë dhe qeverisë, si dhe luftën kundër korrupsionit
TIRANË- Zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jenë një nga sfidat kryesore që duhet të realizojë vendi ynë, me qëllim që të mos ketë më kontestime nga ndërkombëtarët. Presidenti i Asamblesë Republikane, Sabri Godo, ka deklaruar dje se do të ishte e pafalshme në rast se nuk ndodh një gjë e tillë dhe se përgjegjësia kryesore do t’i binte kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Republikani Godo flet gjatë në një intervistë për “Shekulli”-n edhe për marrëdhëniet mes qeverisë dhe prokurorisë, qëndrimin kritik të PR-së ndaj Kodit Zgjedhor dhe për zhvillime të tjera të politikës në vend.
Z.Godo ju keni deklaruar prej kohësh kritikat në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe pakënaqësitë tuaja ia keni bërë të ditur edhe PD-së, duke folur shpeshherë edhe për daljen vetëm të PR-së në zgjedhjet parlamentare 2009. Në fakt, në cilat raste do të dilnit të vetëm në zgjedhje dhe, konkretisht, cilat janë pakënaqësitë që keni ndaj PD-së?
Tani ndihemi disi të vënë me shpatulla në mur. Njeriu i gjendur në rrethana të tilla do të kërkojë mënyrat për të mbijetuar. Unë them se ky nuk është një Kod Zgjedhor i mirë, ky është një huazim nga jashtë që nuk i përshtatet Shqipërisë. Është një Kod Zgjedhor që nuk do ta kuptojnë kurrë votuesit, bile nuk e kuptojnë as shumë politikanë sesi janë mekanizmat e këtij Kodi. Nuk e di pse duhet t’i hynim një ngatërrese të tillë, kur kishim një rrugë si ajo e Proporcionalit Kombëtar, që do të nxirrte qartë atë që prezanton secila parti, sa vend ka në elektorat, sa duhet të zërë vend në qeverisjen e vendit, sa deputetë duhet të këtë në kuvend.
Të gjitha këto vijnë e anulohen për shkak të këtij Kodi Zgjedhor që penalizon rëndë partitë e vogla, ose i vë në kushte të atilla që duhet të ulin kokën e të pranojnë, medoemos, atë që i ofrojnë partitë më të mëdha. Unë, parimisht, nuk jam kundër rotacionit të pushtetit, sepse nuk bën ndonjë dëm kjo, por nëkushtet që jemi dhe përballë një opozite, së cilës unë nuk i besoj për shumë arsye, them se nuk jep asnjë garanci se po të marrë ajo pushtetin, do të qeverisë më mirë, të kundërtën do të hyjmë në një aventurë të rrezikshme, prandaj jam në një vendosmëri për koalicionin e djathtë, me kusht që ky të jetë një koalicion i vërtetë e jo një grumbullim partish i dominuar nga partia më e madhe, e që të tjerët të kenë një zë të mekur. Nuk është një zhvillim për demokracinë.
Ja që ne u vumë para këtij fakti e do të presim që të dalë një Kod Zgjedhor, e do të tentojmë të bëjmë një marrëveshje më Partinë Demokratike. N.q.s. do e shohim se kjo nuk funksionon, atëherë mbetet alternativa që ne të dalim të vetëm në zgjedhje, pa pasur ndonjë garanci që të fitojmë atë që na përket, por këto janë kushtet dhe nuk kemi ç’të bëjmë. Ndaj, si njëri vendim, edhe tjetri, janë në të vërtetë vendime të marra në presën e briskut.
Bashkimi midis PD-PDR-së, u interpretua zyrtarisht si një mundësi për t’i sjellë sa më shumë vota PD-së. Si një njohës i së djathtës ndër vite, a mendoni ju se kjo do të ndikojë në fitoren e Partisë Demokratike, në zgjedhjet 2009?
Nuk besoj se kjo do të çojë në një sukses të bujshëm edhe pse mund të bien në një ujdi të mirë krerët e partive. Mesa vërej unë, degët në rrethe nuk e kanë mirëpritur këtë. Nuk e duan bashkimin, dhe e shohin PDR-në si një parti që devijoi nga boshti i vet. Kështu gjykohet nga demokratët dhe tani rikthehet e kërkon të ketë vend, sikur të ketë qenë gjithnjë brenda e doemos që militantët e Partisë Demokratike nuk e kanë të lehtë të pajtohen me këtë vendim. Kështu, duke i vënë gjërat në balancë, sa është pozitive dhe sa është negative, nuk di të them, këtë mund ta tregojë koha.
Ka pasur një përplasje të vazhdueshme mes institucioneve të pavarura, prokurorisë dhe qeverisë në lidhje me “ligjin për Prokurorinë”, ndërkohë që ndërkombëtarët e kanë theksuar shumë nevojën e pavarësisë së këtij institucioni. Ju, si njohës i mirë i ligjit, si i shihni raportet midis këtyre dy institucioneve? A ekziston sot një konflikt midis Prokurorisë dhe qeverisë?
Tani duken si marrëdhënie të acaruara dhe kështu i shfaqen dhe publikut. Ka gjëra që lexohen drejtpërdrejt dhe ka gjëra që janë menëntekst, por, sidoqoftë, konflikti ekziston. Unë do ta shihja si pozitive, pasi secili institucion lufton të forcojë pozitat e tij, por kjo nuk duhet të marrë ngjyra të forta, nuk duhet të theksohet se atëherë kalohet në një fazë tjetër të mosfunksionimit midis institucioneve, që është kusht i domosdoshëm për të mbajtur në këmbë shtetin. Doemos që ndërkombëtarët do të thonë vetëm një gjë që është e njohur dhe e pranuar botërisht, dhe është një këshillë që ta jep kushdo.
Demokracia dhe shteti kanë si shtylla institucionet dhe kur ato vijnë e lëkunden dhe hollohen, lëkundet i gjithë shteti. Kjo është primare dhe ndaj, medoemos, do e kërkojnë ndërkombëtarët kur shohin se ka një prishje të balancës midis institucioneve. Për muaka diçka. Ekziston një farë fërkimi dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Por për mua le të diskutohen, por mos të tejkalohen dhe në fund të dalin në një fushë tjetër që institucionetkanë arritur të gjejnë një mirëkuptim dhe bashkarisht kanë arritur të shkojnë përpara.
Sa u përket prokurorëve dhe gjykatësve, a mendoni se duhet të ketë një kufizim të imunitetit të tyre, duke marrë parasysh se kjo do të kërkojë ndryshime në Kushtetutë. E njëjta gjë edhe për kufizimin e imunitetit të deputetëve, a duhet kjo të arrihet me ndryshimet e kushtetutës, apo përmes një ligji të veçantë?
Unë nuk kam hyrë fare për të menduar për këtë punë se mendoj se janë debate të përkohshme që i ezauron koha dhe nuk i jap ndonjë rëndësi të madhe. Si duhet të jetë? Duhet të kesh më shumë kompetencë dhe të shohësh si është në vendet e tjera e të mos e shpikim ne vetë çdo gjë nga e para, e mbi të gjitha të përpiqemi të biem në ujdi, d.m.th., të bëjmë diçka që të jetë e pranueshme edhe nga prokurorët e të zbatohet edhe vullneti politik i palëve që e kërkojnë.
Unë them se sa më tepër të heqim dorë nga këto imunitetet që pengojnë organet e hetimit për të luftuar krimin e korrupsionin, aq më mirë është. Unë them se nuk duhet të vëmë dorën në Kushtetutë dhe këtë e kam shprehur edhe më përpara, që, sa herë na del një gjë përpara, hajt të ndryshojmë kushtetutën. Le të gjendet një mënyrë që kushtetuta të mbetet ashtu si është në këtë pikë dhe të zgjidhen problemet.
Berisha erdhi 4 vjet më parë me premtimin se do të luftonte korrupsionin. A mendoni se e ka arritur këtë dhe a është Berisha sërish një kartë e besueshme për të fituar zgjedhjet në 2009-n?
Unë besoj se Berisha përpiqet të luftojë korrupsionin. Nuk mund të them se ia ka dalë si duhet në krye. Por rëndësi ka që bën përpjekje dhe ekziston kjo frymë. Në të njëjtën kohë, unë konstatoj se vazhdon korrupsioni në administratën publike, ashtu si vazhdon tek gjyqësori dhe në sferat e tjera të qeverisjes. Ky është një problem shumë serioz, duhet të bëhen ligje dhe të gjenden mënyra të tjera më efikase për ta mbrapsur korrupsionin. Unë them se përpara kësaj opozite, them, le të fitojë prapë Berisha.
Z. Godo, cili është komenti juaj në lidhje me zgjedhjet parlamentare 2009, dhe cilat janë problemet që mund të hasen?
Kam përshtypjen se me këtë kod që u bë, zgjedhjet do të rrezikohen dhe kjo do të ishte fatkeqësi për këtë vend. Po bëjmë 17 vjet që po përpiqemi të bëjmë zgjedhje të lira e të bindim veten tonë, por edhe botën se jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira, e kësaj nuk ia kemi dalë.
Nëse dështojmë edhe kësaj here, ne i mbyllim vetes dyert, sidoqë të vijë, ne mund të hyjmë edhe në NATO, pra, mund të kemi përkrahjen e SHBA-së, ashtu si e kemi tani, por për një gjë të jemi të sigurt: askush nuk do të na falë nëse bëjmë zgjedhje, të cilat, prapë, do të vihen në dyshime dhe prapë do të ketë kontestime.
Pra, Berisha, këtë kusht duhet t’i bëjë vetes. Të bëjë zgjedhje të lira dhe të pranueshme, në rast se dështon kjo, atëherë përgjegjësia me madhe do të jetë e Berishës, se kjo është forca në pushtet e që përgjigjet për zgjedhjet.
Së fundmi, z. Godo, cili është komenti juaj lidhur me zgjedhjet e fundit të Amerikës dhe kush ishte kandidati që mbështesnit?
Me këto zgjedhje, Amerika ngriti edhe më lart idenë se në këtë vend ekziston demokracia e vërtetë. E ka thënë gjithë bota dhe po e them dhe pajtohem me atë mendim se këto zgjedhje do të sjellin një ndryshim me rëndësi në Amerikë, qeverisjen e brendshme, politikën e jashtme dhe të gjithë këto aspekte i shërbejnë gjithë botës, duke ditur se Amerika ka një ndikim në tërë planetin. Unë kam qenë që javët e para me Obamën dhe e dinë gjithë miqtë e mi të ngushtë, sepse ndjeja nevojën se gjërat duhet të ndryshonin për Amerikën, e si rrjedhim edhe për gjithë botën. Ky është një njeri që të ngjall besim, njeri i frymëzuar e me një mendje të shkëlqyer.
Obama ka, me sa duket, si idhuj të tij, Linkolnin dhe Luter Kingun, dhe doemos njerëzit që do mblidhen rreth tij, duhet të përpuqen me qëllimin e tij. Në të vërtetë, ai ka probleme serioze, pak a shumë, në të njëjtën gjendje si ai, ka qenë Rusvelti në vitet 30. Nuk është një fotografim i asaj gjendjeje, por është sërish një krizë e rëndë në kushte të tjera. Kështu që përpjekja e tij e parë do të jetë zgjidhjae krizës ekonomike dhe financiare apo sociale e Amerikës.
Pritet edhe të sjellë një ndryshim substancial në marrëdhëniet e Amerikës me vendet e tjera. Në qeverisjen e Bushit, shpeshherë, u pa që Amerika mund të vendoste e vetme e pastaj të kërkonte bashkëpunimin e botës. Kjo solli dhe një imazh jo të mirë për Amerikën. Mendohet se ky do të veprojë ndryshe, pasi më parë do të konsultohet me amerikanët dhe Europën dhe vende të tjera të fuqishme aziatike, e pastaj do të marrë vendime.
Kështu që, prej tij, priten vetëm zgjidhje të mençura. Sa i përket politikës së jashtme, mendoj se Obama do ta niste në Lindjen e Mesme dhe të vendoste përfundimisht paqen midis vendeve, që janë prej 45 vjetësh në një konflikt të përgjakshëm, siç është Palestina dhe Izraeli. Po të arrijë ta bëjë këtë, ai do të rikthente paqen në botë dhe jo konfliktin.
Për bashkëpunimin me PD-në
Ne u vumë para këtij fakti e do të presim që të dalë një Kod Zgjedhor, e do të tentojmë të bëjmë një marrëveshje më Partinë Demokratike. N.q.s. do e shohim se kjo nuk funksionon, atëherë mbetet alternativa që ne të dalim të vetëm në zgjedhje, pa pasur ndonjë garanci që të fitojmë atë që na përket, por këto janë kushtet dhe nuk kemi ç’të bëjmë. Ndaj, si njëri vendim, edhe tjetri, janë në të vërtetë vendime të marra në presën e briskut.
Konflikti qeveri-prokurori
Unë do ta shihja si pozitive, pasi secili institucion lufton të forcojë pozitat e tij, por kjo nuk duhet të marrë ngjyra të forta, nuk duhet të theksohet se atëherë kalohet në një fazë tjetër të mosfunksionimit midis institucioneve, që është kusht i domosdoshëm për të mbajtur në këmbë shtetin
Për imunitetin e deputetit
Duhet të kesh më shumë kompetencë dhe të shohësh si është në vendet etjera, e të mos e shpikim ne vetë çdo gjë nga e para, e mbi të gjitha, të përpiqemi të biem në ujdi, d.m.th. të bëjmë diçka që të jetë e pranueshme edhe nga prokurorët e të zbatohet edhe vullneti politik i palëve që e kërkojnë. Unë them se, sa më tepër të heqim dorë nga këto imunitetet që pengojnë organet e hetimit për të luftuar krimin e korrupsionin, aq më mirë është
Për zgjedhjet e lira dhe të ndershme
Nëse dështojmë edhe kësaj here, ne i mbyllim vetes dyert, sidoqë të vijë, ne mund të hyjmë edhe në NATO, pra, mund të kemi përkrahjen e SHBA-së, ashtu si e kemi tani, por për një gjë të jemi të sigurt: Askush nuk do të na falë nëse bëjmë zgjedhje, të cilatprapë do të vihen në dyshime dhe prapë do të ketë kontestime. Pra, Berisha, këtë kusht duhet t’i bëjë vetes. Të bëjë zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Në rast se dështon kjo, atëherë përgjegjësia me madhe do të jetë e Berishës, se kjo është forca në pushtet e që përgjigjet për zgjedhjet.
Për zgjedhjet ne Amerikë
Unë kam qenë, që javët e para, me Obamën dhe e dinë gjithë miqtë e mi të ngushtë, sepse ndjeja nevojën se gjërat duhet të ndryshonin për Amerikën, e si rrjedhim, edhe për gjithë botën. Ky është një njeri që të ngjall besim, njeri i frymëzuar e me një mendje të shkëlqyer. Obama ka, me sa duket, si idhujt të tij, Linkolnin dhe Luter Kingun, dhe doemos njerëzit që do mblidhen rreth tij, duhet të përpuqen me qëllimin e tij.
Shekulli
Krijoni Kontakt