OPINION
Homazh për firmëtarët e dokumentit të Alfabetit
06-11-2008 / Fahri Shaska
100 vjet nga Kongresi i Manastirit
I pari që hodhi idenë e një grumbullimi, konference apo kongresi ishte Mit-hat bej Frashëri te gazeta "Liria" e Selanikut. Këtë ide e përkrahu Klubi i Manastirit dhe kryetari i tij Feim Zavalani. Këta shpërndan ftesat dhe organizuan Kongresin në Manastir 100 vjet më parë. Shqiptarët u grumbulluan në Manastir, dhe ndërmjet dy alternativave "shpërbërjen" apo "bashkimin" e Kombit vendosën bashkimin nëpërmjet gjuhës së shkruar shqipe.
Në ketë shkrim nuk do të merrem me perzgjedhjen e alfabetit, as me vlerat e tij, për këto është shkruar dhe do vazhdoj të shkruhet nga specialistët, ajo që më tërheq vëmendjen është publikimi i paktë i personazheve që kryen këtë akt madhor. Një dokument që të jetë i besueshëm duhet të ketë: datë, firmë dhe vulë. Kur njëra prej tyre mungon, në rastin konkret vula e Kongresit të Manastirit, nuk më duket me vend që të mos paraqesim firmat. Në 50 vjetët e monizmit, një pjesë e tyre ishin të pa dëshiruar për kohën, por është e pa falshme që sot të botojmë nëpër gazeta e revista vendimin e Manastirit pa emrat dhe firmat e tyre. Me që kishim të bënin me shkrimin shqip, firmat e tyre janë shumë të qarta dhe të lexueshme"! Në Manastir u grumbulluan intelektualët më të shquar të kohës, botues të gazetave dhe drejtues të klubeve patriotike të kohës. Shumica e tyre vazhduan aktivitetet e tyre intelektuale dhe patriotike. Disa marrin pjesë në kongresin e Elbasanit në 1910 apo në Vlorë në 1912. Një pjesë tjetër për shkak të moshës u ndanë nga jeta dhe nuk kemi aktivitete të tjera të tyre. Mjafton pjesëmarrja në Kongres dhe firma në vendimin e Kongresit që emrat e tyre të shkruhen me germa të arta në historinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kongresit pati mjaft debate, njëra pjesë mbronin një variant për alfabetin, të tjerët variante të tjera dhe debati po shkonte i hidhur, nuk po i lëshonin rrugë njëri - tjetrit. "Mbas bisedimesh, të cilat u zgjatën për shumë kohë qe frika se mos dështonte Kongresi me dam të madh e me turp, ndërhyni Fishta me një fjalim të nxehtë, iu lut të pranishmëve me lot në sy që të mireshin vesht. Më kanë tregue se atëherë kishte pasë ngja një gja e jashtëzakonëshme: ngrihet një hoxhë, Hafes Ibrahimi, i drejtohet Fratit tue e puth në të dy faqet. Ky gjest u prit me duartrokitje të nxehta dhe bani që të shuhet grindja. Kështu ma pat tregue Mati Logoreci, dhe unë po e lë të shkrueme, pse ashtë mirë të dihen disa punë" (Karl Gurakuqi-revista Shejzat 7-8 1969 faqe 326).
Në Kongres u përfaqesuan 22 shoqëri dhe qytete, ishin 32 vet me 50 mandate për votim, mbasi disa prej tyre kishin nga dy mandate. Aktin e kanë firmosur 27+4 vetë. Po paraqesim fotokopjen e vendimit të Kongresit dhe foton e të 32 delegatëve. Për lehtësi të leximit të firmave pranë çdo firme kemi vendosur nga një numër.
Firmat e tyre janë:
1) Shahin Kolonja -(Drejtor i gazetës "Dita" të Sofjes, delegat i Kolonjës).
2) Gjergj Qiriazi (Delegat i Manastirit, n/kryetar i Kongresit).
3) Dhimiter Buda (Delegat i Elbasanit).
(4) Sotir Peçi (Drejtor i gazetës "Kombi" Boston, delegat i Amerikës dhe Bukureshtit).
5) Luigj Gurakuqi (delegat i Shkodrës sekretar i Kongresit).
6) Dom Ndre Mjeda (Shoqëria "Agimi" Shkodër).
7) Nyzhet Vrioni (delegat i Beratit).
8) Bajo Topulli (delegat i Gjiirokastrës).
9) Midhat Frashëri (Kryetar i Kongresit, Drejtor i gazetës "Liria" të Selanikut, delegat i Klubit të Selanikut dhe i Janinës).
10) Grigor Cilka
11) Gjergjë Fishta (Kryetar i "Komisjonit të Alfabetit", delegat i "Bashkimit" Shkodër).
Këta ishin anetarët e Komisionit për përpilimin e alfabetit dhe pas tyre shkruhet: Vendimin e Komisionit e pelqyen të gjithë ZZ. Delegat të cilët po e nënshkruajnë duke dhenë besën se kanë për ta mbajtur.
12) Dhimitër Mole (delegat i Filibes).
13) Adham Shkaba Statobërdha " Delegat i Sofjes).
14) Hil Mosi (delegat i Shkodrës).
15) Leonidha Naçi (delegat i Vlorës).
16) Mihal Grameno (delegat i Korçës). 17)
Simon Shuteriqi (sekretar i Klubit të Elbasanit). 18)
Akil Eftimi Korça (delegat i Kostancës)
19) Mati Logoreci (Shoqeria "Agimi" Shkodër).
20) Rok Berisha,
21) Sulejman Efendi (Tiranë)
22) Hivzi Pasha (Kryetar nderi i Kongresit).
23) Hafës Ibrahimi (Shkup),
24) Firmë e padeshifruar prej meje.
25) Fiqiri ? ..
26) Feim Zavalani (Kryetar i klubit të Manastirit, me mandat edhe të Misirit).
27) Salahudin Manasirlliu (Delegat i Manastirit).
Pasi u fimos prej këtyre u publikua dokumenti dhe me vonë u firmos edhe nga
28) Sami Pojani (Drejtor i Gazetës “Korça”),
29) Shefqet Frashëri (Delegat i Korçës),
30) Thoma Avrami (Drejtor i gazetës “Besa”, Kajro),
31.Zenel Leskoviku (Delegat i Leskovikut).
Firma që mungon 32 është e Dom Nikollë Kaçorrit.
...
55
Krijoni Kontakt