Konfindustria: Çmimet e karburanteve duhet të jenë 25% më të ulëta, qeveria të ndërhyjë.

Fitim Zekthi
Tema

Çmimet e naftës në Shqipëri edhe gjatë kësaj jave mbetën në kuotën e një jave më parë, duke mos reflektuar asfare uljen me më shumë se dy herë të çmimeve të naftës në tregun botëror gjatë muajit të fundit. Masat e ndërmarra nga qeveria për deklarimin e çmimeve dhe llogaritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar në shitjen e karburanteve me çmimin që ai shkon në pikat e pakicës nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Një prej grupimeve më të rëndësishme të biznesit prodhues në vend, Konfindustria, deklaroi dje se kjo gjë është kthyer në shqetësim të vërtetë dhe çmimet e larta të karburanteve janë duke rritur kostot në të gjitha shërbimet dhe për të gjitha produktet e tjera në vend. Konfindustria tha se çmimet e karburanteve duhet të ishin më të ulëta deri në rreth 25 për qind aktualisht në treg. Konfindustria përballë mospasqyrimit në tregun shqiptar të rënies së ndjeshme të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe afatgjata për rregullimin e gjendjes nga institucionet shtetërore. Bazuar në analizat krahasimore të çmimeve të tregjeve, tha dje ky grupim i bizneseve në vend, çmimi i karburanteve në Shqipëri është të paktën 25% më i lartë se sa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal. Brenda një periudhe pothuajse 3-mujore, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë në më shumë se 100%, ndërkohë që vlerësimi i dollarit amerikan ndaj lekut nuk e kalon shifrën prej 25% gjatë së njëjtës periudhë, theksoi i njëjti burim. “Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore në krahasim me prodhimet dhe shërbimet e huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive shqiptare. Gjithashtu, çmimet e paarsyeshme të larta të karburanteve ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore dhe në mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptarë”, - bënë të ditur burime të Konfindustrias. Përballë kësaj situate, roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme, ndaj Konfindustria kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Kombëtar të Karburanteve, që duhet të monitorojë në vazhdimësi dhe të ndërhyjë për të rregulluar çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve.