Gazeta Tema



Nga Bledar Lumani

Shkarkohen nga detyra tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak që liruan nga akuzat e evazionit fiskal të akuzuarin kryesor në tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur dje që të shkarkojë gjyqtarët Shaqir Gradia, Ylli Minka dhe Naum Pejo me motivacionin e “Shpërdorimit të detyrës”. Shkelja u zbulua nga inspektorati i KLD, çka bëri më pas që Ministria e Drejtësisë të kërkojë shkarkimin e gjyqtarëve që përveçse liruan nga akuzat Delijorgjin, i falën atij edhe gjobën prej 1.2 milionë dollarësh.

Propozimi i Kreshnik Spahiut ka arritur të marrë mbështetje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa ministri i Drejtësisë, Alibeaj, e ka braktisur këtë mbledhje.

“Në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga Kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se rrëzimi i padisë civile në një proces penal, në përfundim të të cilit është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me dispozitën e mësipërme urdhëruese të ligjit procedural penal dhe në të njëjtën kohë ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej 122.668.851 lekësh. Për këto arsye, ndaj gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori masën disiplinore të shkarkimit nga detyra”, - deklaroi dje zëvendëskryetari i KLD, Kreshnik Spahiu.

Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak u shkarkuan nga detyra me motivacionin e “Shpërdorimit të detyrës”, duke qenë se liruan nga akuza e evazionit fiskal Mihal Delijorgjin, duke i falur këtij të fundit edhe gjobën prej 1.2 milionë dollarësh.

Në vitin 2005, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekësh të reja. Kjo, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj, Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e ankimuan këtë vendim në Apel, duke pretenduar pafajësinë. Kur çështja mbërriti në Gjykatën e Apelit të Durrësit, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të shkallës së parë. E ndodhur në këtë situatë, KLD u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo. Këta, pasi shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin, me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të Doganave në ngarkim të Delijorgjit, duke e nxjerrë të pafajshëm atë.




Përplasja Alibeaj-Spahiu për procedimin e gjyqtarëve

Gjyqtarët që liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin shkaktuan edhe përplasjen mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë. Një ditë pasi KLD bëri publike të dhënat e inspektimit për tre gjyqtarët ushtarakë që shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin, ministri i Drejtësisë i ka marrë në mbrojtje këta të fundit. Ministria e Drejtësisë i ka kujtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë se është ajo përgjegjëse për nxjerrjen e konkluzioneve të raportit të inspektimit dhe më pas fillimin ose jo të procedimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka. “Ministri i Drejtësisë, në zbatim të nenit 34 të ligjit nr. 9877, datë 18/02/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, është autoriteti që vendos fillimin e procedimit disiplinor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, - tha zyra e shtypit pranë ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, një ditë pasi KLD vendosi pezullimin e tre gjyqtarëve.

Ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rekomandoi Alibeajt të nisë procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve që falën Delijorgjin, ky i fundit u fokusua te kompetencat dhe jo te problemi. Madje, Alibeaj kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës nga ana e Spahiut. Në kërkesën e tij, Alibeaj pretendonte se Spahiu kishte tejkaluar kompetencat e detyrës së tij dhe kishte paragjykuar procedimin e mundshëm ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak.

Por, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e rrëzoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë, duke votuar në disfavor të tij. Kërkesa e Alibeajt u rrëzua sipas argumentit se nuk bazohej në ligj, si dhe për faktin e mos-konsiderimit si shkelje e detyrës nga zëvendëskryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, të atyre veprimeve te pretenduara nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.




Delijorgji sulmoi me tone kërcënuese Spahiun: Do ta tregoj vendin

I akuzuari kryesor për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec, Mihal Delijorgji, para disa kohësh sulmoi nga burgu zëvendëskryetarin e KLD, Kreshnik Spahiu. Me anë të një letre të hapur, e cila i drejtohej krerëve më të lartë të shtetit, Delijorgji akuzon Spahiun me tone kërcënuese, se ka shkelur procedurat në lidhje me tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak, duke i pezulluar ata. Sulmi i Delijorgjit ndaj zëvendëskryetarit të KLD, duke deklaruar se do t’i tregojë vendin atij, erdhi vetëm një ditë pas një tjetër sulmi që atij iu bë nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili pretendoi se Spahiu kishte tejkaluar kompetencat për pezullimin e tre gjyqtarëve që liruan Delijorgjin nga akuzat e kontrabandës. “Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë me deklaratat e tij më detyroi ndërmarrjen e përgatitjes dhe publikimit të kësaj letre të hapur, duke kaluar çdo lloj durimi nga ana ime”, - shprehej në letrën e tij Delijorgji. Sipas Delijorgjit, fakti që ai nuk është shprehur në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij, është marrë nga Spahiu si një pranim në heshtje i fajit për tragjedinë e Gërdecit. “Por, unë në asnjë rast nuk mund të rri pa iu përgjigjur dhe treguar vendin çdo personi, dhe aq më për një person të tillë, që flet duke abuzuar me pozicionin shtetëror si z. Kreshnik Spahiu, i cili me deklaratat e tij ka dëmtuar rëndë të drejtat dhe liritë e mia themelore, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta dhe ligjet”.