Fjalët e urta njihen dhe me emrin proverba. Këto janë thënie të shkurtra artistike kolektive, që, në mënyrë shumë sintetike, shprehin mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme.
Mendimet dhe gjykimet e fjalëve të urta kanë dalë nga praktika shumëshekullore e punës dhe e jetës së popullit. Për këtë arsye populli i quan ato dhe fjalë të moçme ose fjalë ari. Po për këtë arsye, ato paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme e me vlerë të përhershme. Sigurisht, kjo është e drejtë për shumicën e rasteve, por jo për të gjitha rastet. Disa fjalë të urta dhe mendime që ato bartin, u përkasin periudhave të caktuara historike.
Fjalët e urta e shprehin mendimin e tyre në forma të ndryshme: si përfundim logjik, si parim, si ligj, si këshillë. Po s’punove në të ri, do të vuash në pleqëri; Lumi fle hasmi s’fle; Shtri këmbët sa ke jorganin.
Disa fjalë të urta e shprehin mendimin drejtpërdrejt, kurse të tjerat në mënyrë të tërthortë, figurative. Kur thuhet puna të jep shëndet, shprehja përdoret me kuptimin e saj të parë të zakonshëm; por, kur thuhet S’mbulohet dielli me shoshë, shprehja ka kuptimin se e vërteta s’mund të fshihet. Në rastin e parë arti i proverbit qëndron te mprehtësia dhe drejtësia e mendimit, te aftësia për ta shprehur mendimin me sa më pak fjalë. Në rastin e dytë, veç këtyre, kërkohet dhe aftësia për të gjetur figurën e duhur. Populli është treguar shumë i talentuar në gjithë këto drejtime. Për të shprehur mendimin në mënyrë figurative, populli në fjalët e urta përdor më shumë metaforën, alegorinë dhe krahasimin; Bes’ e shqiptarit – si purtek’ e arit; S’futet hosteni në thes.
Në gjithë rastet mendimi shprehet në mënyrë përgjithësuese. Për këtë arsye fjalët e urta pëlqejnë shumë fjalitë mungesore, mënjanojnë fjalët që nënkuptohen. Veç kësaj, tek ato ideja nuk del nëpërmjet shtjellimit të një subjekti. Ato janë vetë ideja.
Sintetizmi, karakteri përgjithësues dhe mënyra figurative e shprehjes së mendimit bëjnë që çdo fjalë e urtë të përdoret me disa kuptime. Proverbi Derri do plumb, fjala vjen tërheq vëmendjen për qëndrimin që duhet mbajtur kundër armikut, kundër së keqes në përgjithësi e kundër njerëzve kokëfortë. Prandaj për të ditur kuptimin e saktë të çdo fjale të urtë, duhet të mbahet mirë parasysh koha, vendi dhe rasti kur thuhet.
Tematika e proverbave është shumë e gjerë dhe e larmishme. Proverbat kapin çështje që i kanë dalë popullit që në kohët e hershme e gjer në ditët tona, prandaj janë enciklopedi e filozofisë popullore. Temat kryesore që trajtojnë janë:
1. Atdheu (atdhedashuria, liria e atdheut, lufta kundër armiqve të tij, karakteristikat e shqiptarit): Duaje atdhenë si shqiponja folenë; Darov’ e armikut- o helm, a thikë.
2. Marrëdhëniet shoqërore (varfëria e masave, protesta dhe lufta e tyre kundër padrejtësisë): I varfëri vjel rrushin, i pasuri pi mushtin; Ule qafën, prite zverkut.
3. Familja: Burrë e grua – mish e thua; Kur s’do nënën e babanë, asnjeri s’ta ka sevdanë.
4. Puna (vlera e saj, rregulli e kujdesi në punë, shfrytëzimi i kohës së punës, zanatet): Këmbëpërbaltja – gojëpërmjaltja; Lëmyshku bren gurin, përtimi fik burrin; Fjala e gjatë bën ditën e shkurtër.
5. Morali (e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gënjeshtra, virtyti dhe vesi): Një krimb than një lis; E drejta dërrmon hekurin; Kush shkon pas brumbullit, do të arrijë në plehrat.
Fjalët e urta janë një nga llojet më të gjalla dhe aktive folklorike.