Close
Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 75
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565

    Historia e Shqipërisë _ Jean-Claude Faveyrial

    ”Historia e Shqipërisë”



    Jean-Claude Faveyrial




    E para histori e tillë e shkruar ndonjëherë.
    Autori ishte një prift francez me emrin Zhan-Klod Faverial (Jean-Claude Faveyrial)


    ZHAN-KLOD FAVERIAL DHE MANASTIRI NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE


    nga Robert Elsie


    Kur flasim për Manastirin dhe rëndësinë e tij në historinë e kulturës shqiptare,
    mendojmë në radhë të parë për Kongresin vendimtar të vitit 1908, i cili hodhi themelet e
    gjuhës letrare shqipe të sotme. Mendojme gjithashtu për veprimtarinë kulturore dhe fetare e familjes Qiriazi para një shekulli. Por Manastiri shquhet gjithashtu si vendi ku u hartua vepra e parë madhore për historinë e Shqipërisë.
    Historia e parë e Shqipërisë është ajo e priftit francez Zhan-Klod Faverial (Jean-
    Claude Faveyrial) dhe u hartua në gjuhën frënge, pikërisht në Manastir, në vitet 1884 deri
    1889. Kush ishte autori i kësaj historie të Shqipërisë?
    Zhan-Klod Faverial ka lindur më 25 mars 1817 në fshatin Yson-an-Fore (Usson-en-
    Forez) në malet e krahinës Overnjë (Auvergne) në perëndim të qytetit Sant Etien (Saint
    Etienne). Ka kryer studime ne Lion (Lyon) dhe erdhi në vitin 1843 me moshën njëzetegjashtë në Paris ku hyri në Kongregacionin e Misionit Lazarist dhe ku, dy vite më vonë, u bë prift katolik. Në të njëten vit, ai u dërgua misionar në ishullin Santorini të Greqisë. Në korrik të vitit 1847, e gjejmë Atin Faverial në Stamboll, ku Kongregacioni kishte një qendër misioni me një rëndësi të veçantë për veprimtaritë e Kishës Katolike në Turqi. Në këtë Qendër e Shën Benediktit (Maison Saint Benoît) lindi tek autori një interesim i veçantë për popujt e ndryshme të Rumelisë, d.m.th. të Jugut të Gadishullit Ballkanik. Në vitin 1866, ai u dërgua në Selanik, dhe një vit më vonë, në Manastir. Këto dy qytete ishin qendra të rëndësishme tregtare të Turqisë në Evropë me një popullsi shumë të përzier. Banorët e Rumelisë, siç dihet, ishin jo vetëm turq dhe grekë, por edhe bullgarë, që quhen sot maqedonas në këto vise, si dhe shqiptarë, vllehër dhe rromë. Me pak përjashtime, duket se Faveriali kaloi një gjysmëshekulli në Evropën Juglindore, kryesisht në Manastir.

    Që herët në Stamboll, midis viteve 1858 dhe 1867, Faveriali kishte filluar të mblidhte
    një bibliotekë historike të librave të rralla për shqiptarët, bullgarët dhe vllehërët. Ishte një
    njëri i ditur i cili interesohej shumë për historinë dhe për anekdotat e udhëtarëve, dhe i cili
    shkruante për çdo gjë që e kishte mesuar. Faveriali interesohej në mënyrë të veçantë për
    historinë e popujve të jugut të Ballkanit dhe i ndihmoi atë në rrugën e tyre të zhvillimit. Në
    vitin 1884, ai vizitoi Shqipërinë dhe, bashkë me Apostol Margaritis, themeloi shkolla rumune
    në Berat, në Korçë dhe në Prizren.
    Që nga viti 1859 deri në vitin 1861, thonë se Zhan-Klod Faveriali ishte bërë shpirti i
    lëvizjes kombëtare bullgare, pra maqedonase. Ishte gjithashtu një mik i madh i shqiptarëve
    dhe të vllehërve. Nga viti 1867 deri në vdekjen e tij në Manastir në vitin 1893, ai punonte
    profesor në liceun vllah të Manastirit, ku jepte mësim të gjuhës frënge dhe të filozofisë.
    Duket se Zhan-Klod Faverial kishte shkruar shumë, por për fat të keq, ka lënë shumë
    pak vepra të botuara. Ndër botimet e tij, tani libra tepër të rralla, janë një: Dorecak i
    mirësjelljes bullgarisht (Stamboll 1858), Dialogë frëngjisht-bullgarisht (Stamboll 1859) dhe
    Katekizmi i madhe për bullgarët uniatë bullgarisht (Stamboll 1862). Njohim edhe disa artikuj
    të tij për situatën në Manastir, për gjuhën bullgare dhe për liturgjinë bullgare, si dhe
    korrespondencën e tij.
    Vepra e tij kryesore, Historia e Shqipërisë (Histoire de l’Albanie), u botua në
    origjinalin frëng nga unë në Pejë në vitin 2001 me 426 faqe. Është një vepër kulturore tepër e rëndësishme për popullin shqiptar, duke qenë e para vepra që e jep tërë historinë e këtij vendi që nga koha e lashtë deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Është vëllimi i pari kushtuar tërësisht historisë së Shqipërisë.
    Shumë botime të tjera të këtij lloji nuk ka nga shekulli nëntëmbëdhjetë. Si krahasim,
    mund të përmendim vetëm veprën prej katër vëllimësh të Françesko Tajanit Le istorie
    albanesi (Historitë shqiptare) e botuar në Salernë të Italisë në vitin 1886. Dymbëdhjetë vjet më vonë u botua historia e parë e Shqipërisë në gjuhën shqipe: T'nnoλunat e Scćypniis prei gni Gheghet ći don vênnin e vet (Aleksandria e Egjiptit 1898) nga Stefë Zurani (1865-1941).
    Në fillim të shekullit njëzet mund të përmendet vepra e rallë prej 416 faqesh Historia é
    Shcypniis ch’ me fillése e déri me kohe ku ra ne dore te Turkut (Bruksel 1902) nga prosatori dhe botuesi i njohur shkodran Ndoc Nikaj (1864-1951).
    Historanët perëndimore filluan të interesoheshin për historinë e Shqipërisë vetëm
    gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndër veprat kryesore të historiografisë gjermanisht janë:
    Geschichte von Montenegro und Albanien (Historia e Malit të Zi dhe Shqipërisë, Gotha 1914) nga Spiridion Gopçeviq, dhe Geschichte Albaniens (Historia e Shqipërisë, Lajpcig 1914) nga Karl Rot (Karl Roth, lindur 1866). Pak kohë më vonë u botua vepra e parë në gjuhën frënge pas Faverialit, Brève histoire de l'Albanie et du peuple albanais (Historia e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, Bukuresht 1919) nga historiani i madh rumun Nikolaj Jorga (1871-1940), një libër i vogël prej 68 faqesh dhe pa shumë vlerë historike
    Gjatë leximit të Historisë së parë së Shqipërisë, pra e asaj të Faverialit, duket se autori
    nuk kishte një ide të qartë për shqiptarët si komb dhe për Shqipërinë si vend, siç i njohim sot.
    Historia e tij është më shumë historia e tërë rajonit të Evropës juglindore, duke përfshirë jo
    vetëm shqiptarët, por edhe vllehër apo aromunë të Pindit, si dhe grekët, turqët dhe sllavët. Kështu, Historia e Shqipërisë është historia e gjithë pjesës jugperëndimore të Ballkanit, duke përfshire Shqipërine e sotme, Maqedoninë në tërësi, Epirin, dhe Malin e Zi. Lexuesi do të gjejë gjithashtu të dhëna të rëndësishme për historinë e Kishës Katolike në Ballkan dhe, në mënyrë të veçantë, shumë hollësi për historinë e Patriarkatit të Ohrit (1394-1767).
    Vlen të theksohet gjithashtu se autori ishte në dijeni për veprat e letërsisë shqiptare
    ku, në një kapitull të veçantë, ai shkruan për Pjetër Budin, Frang Bardhin dhe Pjetër
    Bogdanin. Për saj i përket vlerës historike të librit Historia e Shqipërisë, ai me siguri nuk do të plotësojë nevojat e historianit të sotëm të Ballkanit dhe nuk është plotësisht besnik faktëve të historisë siç i njohim sot. Megjithatë, libri i Faverialit është një vepër plot informacioni. Ai përmban shumë hollësi që nuk gjinden në asnjë vepër tjetër.
    Arkivi i Kongregacionit të Misionit Lazarist në Paris, ku e gjeta dorëshkrimin e
    Faverialit, disponon edhe dokumenta të tjera për historinë e Shqipërisë dhe për historinë e
    Kishës Katolike në trevat shqiptare në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë. Është fjala për
    dokumenta dhe korrespondenca e personave të ndryshme, disa të njohura akoma dhe disa të harruara sot: Prenk Bib Doda Pacha (vdekur më 1920), Davidika Bib Doda, Margela Bib Doda, Dario Bucciarelli (1827-1878), Fulgjenc Carev (Fulgence Czarev, Kryepeshkopi i
    Shkupit), Preng Doçi (1846-1917), Jean-Pierre Karadaku, François-Xavier Lobry, Andrea
    Logareci (Andrea Logorezzi, Kryepeshkopi i Shkupit), Simon Lumezi (famulltar i Prizrenit),
    Anton Bityçi (Antonio Bittucci, famulltar i Shkupit), Michel Tarabulusi dhe Gjergj Çako.
    Shumica e dokumentave të këtij arkivi, të cilat gjindeshin fillimisht në liceun e Shën
    Benediktit në Stamboll, u riatdhesuan për në Paris, por një inventar të saktë nuk ka, duke
    qenë se shkolla e Stambollit u pushtua nga ushtria turke në vitin 1914 dhe dokumenta të
    caktuara u zhdukën.
    Biblioteka e madhe personale e Faverialit e librave të rralla për popujt e Ballkanit,
    duket se u dogj gjatë zjarrit i cili shkatërroi qendrën lazariste në Manastir në shkurt të vitit
    1909. Për fatin e dorëshkrimeve të tjera të Faverialit, fjala vjen për një Histori e Vllehërve
    (1891), një Histori i Gadishullit Ilirik (s.d.) dhe një Katekizëm vllah për priftërinj (1891), nuk
    dihet. Të paktën, Historia e Shqipërisë (Histoire de l’Albanie), pra historia e parë e Shqipërisë e shkruar ndonjë herë, u shpëtua.

    [botuar në: Bota Shqiptare, Romë, 5-18 dhjetor 2003, f. 14, në bazë të një versioni fillestar të
    mbajtur si ligjeratë në mbledhjen përkujtimore për 95 vjeçarin e Kongresit të Manastirit, në
    Shkup më 17 nëntor 2003. Published in Bota Shqiptare, Rome, 5-18 December 2003, p. 14,
    on the basis of an original version held on 17 November 2003 as a lecture for a conference in
    Skopje commemorating the 95th anniversary of the Congress of Manastir.]
    Ndryshuar për herë të fundit nga BARAT : 06-10-2008 më 11:44

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    PARATHËNIE



    Shumë kohë më parë se Perëndia të na hidhte në kufijtë e Shqipërisë, ne i kemi parë shqiptarët, dhe kemi thënë: -Ja, njerëz me të vërtetë të mirë. Mendimi i mirë që ishte ngjizur ndër ne, u forcua më tej nga marrëdhëniet që patëm me Bib Dodën, princin i Mirditës. Dhe, që atëhere, lindi ideja për të studiuar, nën dritën e historisë, një popull që nxirrte para nesh njerëz kaq të mirë, shfaqte kaq madhështi, dhe na ngjallte kaq nderim. Mjerisht, askush, të paktën aq sa ne njihnim, nuk e ka shkruar historinë e saj. Ndoshta, për këtë arsye, na u desh të shënonim vetë me durim faktet në lidhje me Shqipërinë, të cilat i gjejmë të shpërndara ndër historianë dhe dokumenta të huaj. Çfarë doli si rrjedhojë nga kjo punë e gjatë dhe e stërmundimtë? Seria e papërfunduar padyshim, por tekembramja, një sërë faktesh, një pjesë civile dhe të tjerat fetare, që ne sot mund t’ia parashtrojmë lexuesit. Ndoshta, ende këto fakte nuk do të kishin marrë një farë renditje kronologjike, pa një udhëtim që ne bëmë në Korçë (Guruxhe për Turqit), në vitin l884, dhe, kur u kthyem prej andej, ndjemë nevojën të përfitonim nga materiale të tjera, përveç atyre që i kishim mbledhur me mundim. Ishte një e vërtetë se, qysh nga pushtimi romak, Shqipëria nuk ka patur përkatësi politike. Që prej atëhere, për të hartuar historinë e saj, nuk mund të mbështeteshe në zhvillimet politike të jetës së saj kombëtare. Por, në mungesë të ngjarjeve politike, dukej se mund të gjeje mbështetje në shfaqjet e jetës së saj fetare. Po ashtu, vendi ka kaluar në krishtërim qysh në kohët e herëshme, dhe primati i Ilirisë, pati kërkuar strehim ndër malet shqiptare, pas shkatërrimit të Justinianës nga ana e Avarëve. Për fat të keq ne nuk kishim llogaritur Greko-Bizantinët, dhe vandalizmin e tyre. Po për shkak të vandalizmit të tyre u shkatërruan monumentet që ne patëm filluar, jo vetëm në jetën fetare të popullit shqiptar, por, pothuaj të të gjithë gadishullit Ilirjan:
    Ohër-Justiniana ka qënë metropoli e tij nga viti 535 deri në 1767. Për historianin, shkatërrimi i arkivave të një kryeqendre kaq të rëndësishme e kaq të madhe, si Metropoli Ohër-Justiniana, është një humbje për të cilën nuk do të vinte shumë keq, nëse veç interesit të madh në lidhje me të, nuk do të kishin shërbyer shumë fakte fetare si pika orientimi për ngjarjet civile. E për më tepër, ç’ishin këto humbje materiale në krahasim me të keqen që fryma bizantine i ka sjellë, pa dallim njësie, të gjithë popujve të Ilirisë. Pushtimi romak, jo vetëm kishte thyer barrierat politike që ngriheshin mes tyre, por ai, në të njëjtën kohë, i gatiti në ngjashmëri me ato njësi politike që kishte krijuar edhe gjetkë: në Francë, në Itali, në Spanjë….
    Po çfarë bëri Bizanti? Ai rendi të konvertojë në herezi greke, atë çka Apostujt e kishin konvertuar në Krishtërim, për të shndërruar në Helenë ata që Roma i kishte kthyer në Romakë. Në çfarë momenti mbërriti kjo ndërhyrje e pavend? Pikërisht, në kohën kur në Iliri po kryhej vepra e asimilimit moral, të cilën Roma dhe Krishtërimi e kishin parapregatitur me aq mund. Kjo punë e ndërprerë në këtë cak kohor, kjo amalgamë e parë e rrënuar tashmë, rikthehet natyrshëm në individualizmin kombëtar, prej nga Roma dhe Krishtërimi e kishin nxjerrë vendin. Eshtë diçka me të vërtetë e vajtueshme që, në vend të jenë të bashkuar, të gjithë këta popuj sot kanë xhelozi, shkatërrojnë, dhe përbuzin njëri-tjetrin.
    Veç kësaj, ndodhën edhe imigracione, por ardhacakët u konvertuan nga vendasit. Në të njëjtën kohë, për hir të frymës bizantine, mbërritja e banorëve të rinj veçse rriti antipatitë, shtoi pështjellimin, thelloi humnerën. Nuk është e pavlerë të theksojmë, gjithashtu, se peng i grindjeve fetare, të dhunëshme e shekullore, midis Romës e Bizantit, ka qënë Iliria. Ka qënë kjo në Bizant, si rrallë diku tjetër ku ndodhnin grindjet fetare, por, shkaku për të cilin është debatuar gjithherët ishte për zotërimin e Ilirisë dhe të Ohrit, metropolit të tij. Pra, çështja kryesore e Bizantit ishte që të mbeste zotëruese e Ohrit, dhe të mos lejonte Ilirët të krijonin një shtet më vete, siç u formuan në vende të tjera, si dhe të kthente në bizantinizëm atë që Roma e kishte romanizuar, e më tej, të zëvendësonte me të folmen greke, në fillim latinishten, e më pas edhe gjuhët vendase, të cilat u bënë krahinore, rurale, në krahasim me gjuhën zyrtare të pranuar nga të gjithë.
    Dhe tashmë, cila do të jetë e ardhmja e këtyre racave të pafat dhe e këtyre vendeve të mallkuara? Ne nuk e dimë. Veç diçka duket e sigurtë. Çasti për të krijuar një shtet të madh ka humbur njëherë e përgjithmonë. Duhet shtuar këtu se, sa më tepër Grekët do t’i imponojnë vetes sakrifica, herë për të fituar njërën dhe herë për të fituar tjetrën pjesë, aq më shumë do të bëhen të urryer. Përsa i përket interesit të tanishëm që i bashkangjitet njohjes, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më tej, të gjithë gadishullit Ilir, ne na duket përherë e më tepër se Europa e industrializuar dhe e qytetëruar, bën këtu po atë çka vetë Europa barbare dhe endacake ka bërë dikur. Por, tashmë çështjet kanë ndryshuar. Dhe ç’fatkeqësi për vendin! Iliro-Romakët: -Shqiptarë, Vllehë e të tjerë, -të gjithë së bashku, si shkak të përçarjes së tyre shoqërore, dhe të rrënimit të tyre politik, kanë Bizantin. Sa u përket fakteve historike të regjistruara nga ne, do të vërehet qartë se, sa më të shumtë janë ata në kohëra të caktuara, aq më të rrallë janë në të tjerat. Por, e meta në këtë rast qëndron në mungesën e dokumentave, dhe jo tek ne. Gjithçka që ne mund të bëjmë, është të rrëmojmë vetë në sa më shumë histori të mundshme, duke ia lënë të tjerëve, më me fat, barrën që të plotësojnë nismën tone. Mund të sjellë habi, gjithashtu, fakti se, në vend që të kufizohemi në atë çka sot quhet Shqipëri, ne këtu kemi përfshirë historinë e Maqedonasve. Shkaku për këtë është se, sipas Strabonit, Maqedonasit dhe Shqiptarët e Epirit, përbënin një popull të vetëm. Në të vërtetë, Straboni i Sinopit, i cili duket se ka vizituar këto vende, thotë se:
    “Shqiptarët dhe Maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat sjellje në zakonet e tyre, i prisnin flokët në të njëjtën mënyrë, dhe se ata kishin mjaft gjëra të tjera të përbashkëta, deri në atë masë, sa janë të shumtë ata që e kuptojnë Maqedoninë deri në Korkyrë (Korfuz)...”.
    Sot Grekët thonë se janë e njëjta racë me Maqedonasit. Kryeministri i mbretit Gjergj arriti deri aty sa të pretendojë se:
    -”Greqia lidhet me Maqedoninë për nga njëjtësia e racës dhe e traditave historike”. (Qarkore e 10 tetorit 1885).
    Por, zotit Delijani a nuk i kujtohet Demosteni kur i cilëson Maqedonasit si barbarë, dhe Filipin e Tretë mbret të barbarëve? Aq më tepër është e vërtetë se, për sytë e Grekëve të lashtë, Maqedonasit ishin një racë e huaj. Sa iu përket Bullgaro-Sllavëve, ne do t’i përmendim shumë herë, dhe kjo fillimisht për të kujtuar rrethanat kur ata kanë zëvendësuar në Maqedoni dhe Myzi racën shqiptaro-romane, dhe më pas, mbrojtjen me të cilën ata kishin përfshirë, qoftë. Metropolin Ilir, qoftë popujt përkatës në të. Zanafilla galo-keltike e Perandorisë Otomane, në të cilën Shqipëria përbën sot tre krahina të mëdhe ose vilajete, do kishte nevojë për hollësi më të mëdha. Por, këtu, ne kemi arritur të përmbledhim veç një studim të gjatë të bërë më parë, dhe që ne mund ta shtypim diku tjetër. Gjykimi që ne kemi sjellë për Serbët, dhe në veçanti për të mirënjohurin Dushan, duket i ashpër. Por, na u desh ta gjykojmë këtë të ashtuquajtur burrë të shquar, jo sipas rrëfimeve serbe, por, sipas veprave, sipas zakonit të tij, sipas mikpritësit të tij Kantakuzen, dhe, më së fundi, sipas raporteve të legatëve, që me sjelljen e tij i bënte të vinin nga Roma, dhe që ai i kthente, më pas, jo ndershmërisht. Dijetarët kanë pretenduar se, një e treta e gjuhës shqipe është me rrënjë latine, një e treta greke, dhe një e treta ilire. Por, në vend që të nxjerrim prej shqiptarëve fjalë të huazuara nga gjuhët latine dhe greke, a mos do të ishte më mirë ti shihnim ato të huazuara prej latinëve dhe grekëve nga gjuha pellazgjike, e cila kalon, në mënyrë të pakundërshtueshme, si gjuha e parë e ardhur në Itali dhe në Greqi, dhe të cilën shqiptarët e përcjellin natyrshëm si e vetmja gjuhë e ruajtur deri në ditët tona?
    Le të pranojmë se shqipja është e varfër, domethënë, ajo nuk është e kultivuar. Por, po t’i hiqnim gjuhëve më të kultivuara fjalët shkencore të huazuara nga të tjerat, si do të katandiseshin ato? Çështja kthehet pra kështu: -Shqiptarët, a i kanë ata, po apo jo, fjalët për të cilat deri këtu kanë patur nevojë, -dhe gjuha e tyre a përshtatet, po apo jo, në formimin e fjalëve të nevojshme për lëvrimin e shkencave në Shqipëri?
    I nderuari z.Dozon, ish konsull i Francës në Janinë, dëshmia e të cilit ka një peshë të rëndësishme, dhe i cili, për mbledhjen e këngëve, gramatikën dhe fjalorin e tij, padyshim ka meritë të madhe për Shqipërinë, pohon se:
    -”në raportin fonetik gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit”.
    Si mundet që kleri grek të mos jetë i fajshëm, kur ka penguar, dhe ende pengon në ditët e sotme, lëvrimin e kësaj gjuhe kaq të bukur! Grekët mburren se letërsia e tyre ka filluar me Homerin. Po Homeri vetë, nga cila shkollë greke ka dalë? Nga cilat shkolla është formuar? Përpara shkollave greke, pra, ka pasur shkolla pellazgjike, dhe një literaturë të madhe dhe të përkryer, e cila ka qënë themeli i letërsisë greke, ashtu si ndërtimet ciklopike kanë shërbyer si themel për ngrehinat e përkohëshme të ngritura prej Grekëve të lashtë. Cilado qoftë vlera e letërsisë greke, brezat pasardhës do t’i qortojnë padyshim të gjithë shqiptarët që e lëvrojnë atë duke shpërfillur letërsisë e vet, dhe të gjithë shqiptarët e pasur që themelojnë shkolla për grekët, në vend që t’i ngrenë ato për bashkatdhetarët e tyre. Në përurimin e Zhapionit (21 korrik1885), Zhapa i ri, foli për “ndjenja me të vërtetë humanitare” të themeluesit, xhaxhait të tij. Por, sa ka pasur ai ndjenja patriotike veç ndjenjave humanitare? Qysh atëhere, çfarë ka bërë Zhapa i Labovës (Përmet)? Ai, thjeshtë, ka dhënë më tepër një shembull të shëmtuar. Padyshim që grekët e kanë duartrokitur. Por, Shqiptarëve të vërtetë a nuk u është dashur të rënkojnë prej kësaj? Mjerisht, Zhapa nuk është i vetmi. I mirënjohuri Kristaq Zografi ka bërë dhe shumë të tjera. Diçka e çuditshme kur ata, e të tjerë si ata, besojnë se nderohen, ndërkohë që mbulohen me një turp nga më të përçmuarit, pasi Shqipëria është vendi më i prapambetur i Europës nga pikëpamja arsimore, dhe ndoshta, e vetmja në botën e popujve jo barbarë, e cila nuk ka letërsinë e saj kombëtare.
    Pothuaj aq të shumtë sa Shqiptarët, por më të shpërndarë se ata, Romano-Vllehët, për të cilët ne kemi folur në shumë kapituj, kanë filluar, vetëm në këto kohë të fundit, të zhvillojnë mësim në gjuhën e tyre. Në kohën e Romës, ata lëvronin latinishten, në të cilën Volskja (Vllahishtja) ishte dialekt popullor. Tashmë, për Vllehët ose Volskët, është e folmja nëpër familje, me të cilën ata dëshirojnë të fillojnë arsimimin e tyre vendor. Kush nuk do të shprehte përgëzime për këtë? Dhe të mos donte të shihte Shqiptarët të ndjekin shembullin e tyre, të bëjnë të ringjallet gjuha e bukur e Pellazgëve. Të shpërhapur nëpër Shqipëri, Maqedoni e gjetkë, qysh nga koha romake, Vllehët dhe Shqiptarët, shtrihen më vonë në Greqi, prej ku grekët ishin larguar. E për të thënë të vërtetën, janë ata që derdhën gjakun në momentin kur Europa ndërhyri dhe krijoi këtë mbretëri të vogël, në të cilën, sakaq, të gjithë Greko-Fanariotët rendën nga të gjitha anët, ashtu siç vrapuan nga të katër anët në kohën kur Konstantini themeloi Bizantin. Megjithatë, Vllehët dhe Shqiptarët, më së fundi, e kuptuan mistifikimin prej të cilit ata kishin mbetur viktima, dhe ata e dinë tashmë se si Grekët i vënë emrin e tyre punës së tjetrit. Dikur në Kostandinopojë, për t’i dhënë peshë vetes, greqizantët përvehtësuan emrin e Romakëve, ashtu si helenizantët marrin sot emrin e Helenit. Por, një dinakërie të tillë i ka kaluar koha. Kjo ka dalë në shesh, dhe Silogjet helenizuese, herët a vonë, do të punojnë për këdo tjetër, veç jo për Grekët. Padyshim, në kohën e Romës, Vllehët dhe Shqiptarët përdornin, ashtu si sot, të folmet e tyre të veçanta në vatrën shtëpiake.
    Por, për marrëdhëniet e përgjithshme, ata kishin nevojë për latinishten, të cilën e mësuan në shkollat publike. Kështu, ata flisnin gjuhët e tyre nëpër familjet, dhe i kultivonin ato në institucione të përbashkëta. Ndjenja e tyre patriotike për këto gjuhë është përherë e më e fortë dhe më e gjallë. Por, ata vetë, shpesh na janë shprehur se, për tregëti dhe marrëdhënie të tjera, kanë nevojë për një gjuhë më të përhapur së greqishtja, një gjuhë që t’i lidhë me pjesën tjetër të botës.


    Zhan Klod Faveirial
    1884 – 1889

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 1




    Origjina e Shqiptarëve - Pellazgët, ngulimet e tyre të herëshme - ndërtimet e tyre.




    Në përgjithësi është pranuar se Shqiptarët i përkasin racës pellazgjike -thotë historiani Kantu (vëll. 1, fq. 544). Pellazgët ishin shumë të lashtë për Grekët, më të lashtët, të cilët përbënin një racë mitike, si Titanët dhe Ciklopët. Por, historia e tyre na është përcjellë veçse nga pushtuesit e tyre, ndërkohë që ata vetë ishin tepër të paqytetëruar për të na lënë njoftime tepër të sakta. Gjithashtu, shfaqen në traditat klasike, si një sfond i errët që i humbet vështrimit. Nuk është, pra, e çuditshme që autorët grekë i përshkruajnë ata si barbarë.

    “Por -përgjigjet Kantu -faktet dëshmojnë se Pellazgët sollën në Greqi, jo vetëm disa arte, por një sistem të tërë besimi, artesh dhe gërmash. Ajo ishte një racë po aq sa bujare, edhe e pafat. Gjuha e tyre, më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten, u ruajt në dialektin eolian dhe në atë epirot, që helenët i cilësonin si barbare”.

    Nga vitet 1900 para Krishtit, Pellazgët zinin të gjithë vendin nga Orno deri në Bosfor. Gjithandej ata ngritën fortesa të shumta nën emrin e Larisës në Thesali dhe në Greqi, e të Tursit në Itali. Perënditë e tyre kryesore qenë Dodona në Epir, Kabiret në Samotrakë, Eleuzia në Atikë. Po ashtu, nën pluhurin e legjendave, -shton Kantu (vëll. 1, fq. 548) -shfaqen mirësitë që ata mbartën me vete. Dhe në faqet e maleve të Pindit, Olimpit, Helikonit, -qendërzime të Pellazgëve, -Grekët arritën të krijojnë religjionin, filozofinë, muzikën, poezinë. Në brigjet e Penesë Apoloni kulloste kopetë dhe Orfeu zbuste kafshët e egra. Në Beoti Amfioni ngriti qytetet nën tingujt e lirës së tij, domethënë, ai përpunonte artet e bukura për të përhapur qytetërimin. Mbretëritë e Argosit dhe të Sikionit, më të lashtat e Greqisë, u themeluan nga Pellazgët. Dinastitë e Tebës, Thesalisë, Arkadisë, Tirintit, Mikenës, të Likozurit-qytetit më të moçëm të Greqisë, po ashtu janë pellazge. Vijnë Helenët. Nuk u mjaftuan që i mundën Pellazgët, por kërkonin edhe ti poshtëronin. Duke qënë luftëtarë, ata hodhën përbuzjen mbi këtë racë bujqish dhe punëdashësish, madje i dëbuan edhe nga Thesalia, ku ata punonin prej dy shekujsh e gjysëm. Çfarë u bë atëhere me këtë popull fatkeq? Një palë u tërhoqën në Arkadi, në Kretë, në Epir, në Itali, dhe Siçili. Por të gjithë nuk mund të merrnin arratinë. Ata që mbetën u shndërruan në shërbëtorë. Si rrjedhojë, shumë shpejt, në çdo shtet të Greqisë, llogariten dhjetë herë më shumë skllevër se sa qytetarë. Në Atikë kishte 350 mijë të tillë, në Korint 450 mijë, në Egjinë 460 mijë, dhe -sipas Ateneut -Arkadia kishte 300 mijë. Të gjitha ato shtete të Greqisë -vazhdon Kantu -kishin gjithsej 20 milionë të tillë (vëll. 2, fq. 186).

    Disa filologë pretendojnë se Pellazgët flisnin greqisht. Por, gjuha shqipe që ekziston ende dhe që, pak a shumë e pastër, është në mënyrë të pakundërshtueshme një e folme pellazgjishte, -ajo vetë dëshmon se sa pellazgjishtja ndryshon prej greqishtes. Veç kësaj, Herodoti, i cili shtron po këtë pyetje, në një periudhë kur shumë bërthama të Pellazgëve ende ekzistonin, pohon se ata flisnin një gjuhë barbare, dhe shton se vetë Athinasit, duke u bërë Helenë, ndryshojnë gjuhën (Herodoti, libri 1, k. 57 e 58).
    Më së fundi, mësojmë nga Justini se Maqedonasit ishin një racë pellazgjike. Nga Kuint-Kyrs dhe Plutarku ne shohim gjithashtu se, midis greqishtes dhe maqedonishtes, ekzistonte një ndryshim i tillë sa që, duke kuptuar njërën prej këtyre dy gjuhëve, nuk mund të kuptoje edhe gjuhën tjetër. Dhe në fund, Straboni na tregon se për nga gjuha, zakonet, veshjet, dhe mjaft cilësi të tjera, dukej se Maqedonasit dhe Epirotët ishin i njëjti popull. Straboni thotë edhe se, ende në kohën e tij, shumë njerëz i thërrisnin Epirit me emrin Pellazgji.
    Pra, nuk është momenti për të dyshuar se Shqiptarët janë Pellazgë, dhe se gjuha e tyre është ajo e ruajtura më mirë prej të folmeve pellazgjike. Çfarë kishin bërë Pellazgët në Greqi, që të trajtoheshin prej Grekëve në këtë mënyrë siç vihet re? Është kjo ajo që ne nuk njohim. Autorët mendojnë se begatia dhe rehatia do t’i kenë çuar drejt zvetënimit.
    Asokohe Zoti kishte nxjerrë Grekët, popull nga më barbarët dhe më mizorët, pasi ata ishin më të varfërit dhe më lakmitarët për pasuritë e Pellazgëve, të arritura me punë duke hapur tokë në një vend të virgjër.Padyshim që Pellazgët bënë qëndresë. Atëhere do të ketë pasur një luftë midis Pellazgëve dhe Grekëve, një luftë sa të frikëshme, aq edhe të gjatë në kohë. Të zhveshur më në fund nga gjithçka, të parët qenë, ose u bënë, skllevër (hilotët) dhe u katandisën të punojnë fushat e tyre për llogari të pushtuesve, -ose iu hypën barkave dhe shkuan të kërkojnë strehim diku tjetër, -ose, ka më shumë të ngjarë, ata gjetën strehë në malet e larta tek shqiponjat.

    Me këtë shpjegohet ngulimi i Pellazgëve në Shqipëri dhe në kreshtat e Pindit. Prej andej ata ishin të pasulmueshëm, prej andej ata vetë do të kenë marrë emrin, ose të tjerët do t’ua kenë dhënë emrin Shqiptar. Sa për monumentet ciklopike, nuk ka kurrfarë dyshimi se gjithçka është vepër e Pellazgëve. Gurët e tyre tepër të mëdhenj janë të gjithë të prerë në formë poliedrike të çrregullt. Ata lidhen me njëri-tjetrin pa kurrfarë çimentoje. Këto mure mbahen nga vetë masa e tyre dhe nga përsosmëria me të cilën të gjitha pikat lidhëse përkojnë me njëra- tjetrën. Dhe mbi këto mure ciklopike Grekët, Romakët, dhe të tjerë, kanë ngritur më vonë ngrehinat e tyre. Të tillë gjenden të shumtë në numër, jo vetëm në Greqi, Thesali, Epir, Itali, Sardenjë apo në Siçili, por edhe në Azinë e Vogël, në Spanjë, në Francën jugore, Maqedoni dhe Thrakë.

    -”Në disa treva të Greqisë, aq më tepër në Epir, gjenden gjurmë të mbizotërimit dhe të qytetërimit të Pellazgëve. Dyzetepesë qytete ofrojnë rrënojat e ndërtimeve pellazgjike. Në pjesën më të madhe, ky ndërtim është pa përzierje; vetëm në disa ku ndërtesa helene është e një epoke të mëvonëshme. Midis këtyre qyteteve përmenden: Dodona, Efiri, Ambrazia, Elateu, Pandozia, Buketi, etj.”-

    (Saktësim i historisë së lashtë, nga Poirson dhe Cayx, fq. 195).
    Në fjalorin e tyre të historisë, Dezobri dhe Bashële thonë:
    -”Gjithçka dëshmon në Thesali, -vendqëndrimin e Pellazgëve -majat në shpatet lindore të Pindit janë të rrethuara nga muret e tyre masive, dhe fusha e Peneut që me sa duket ka qënë e kultivuar së pari prej tyre, dhe që quhet nga Homeri Argosi pellazgjik. Larisa zë qendrën e një pellgu të pasur, ku ende ndeshen fragmente të xhadeve dhe digat, më të herëshme në kohë se Helenët. Treva më qendrore dhe më pjellore e vendit ka mbajtur emrin Pellazgjiotidë” (art. Pellazgët).


    Shënime:

    -Samotraka -ishull në verilindje të detit Egje, ndër vendbanimet e herëshme të Pellazgëve.
    -Atika -krahinë në Greqi me Athinën kryeqendër.
    -Pindi -male që ndajnë Epirin me Thesalinë, banohej së lashti nga talarët dhe etikët (fise molose) sipas Strabonit.
    -Thesalia dhe Beotia -krahina: -e para në lindje të Epirit dhe në kufi me Maqedoninë e lashtë, laget nga Egjeu
    veriperëndimor. -e dyta, në jug të Thesalisë.
    -Olimpi dhe Helikoni - i pari, mal në veri të Thesalisë, dhe i dyti mal në Beoti kushtuar Muzave.
    -Peneu -lumë në Thesali.
    -Amfioni -perëndi e lashtë, bir i Zeusit.
    -Apoloni -perëndi e dritës dhe e arteve, -Orfeu -biri i Apollonit, aed i njohur për lirën.
    -Argos dhe Sikion -qytete në Argolidë, krahinë lindore në Peloponez.
    -Mikena -qytet i lashtë në Argolidë, me qytetërimin e saj të njohur, dhe Tirinti -kryeqendër e Argolidës.
    -Arkadia -krahinë në Peloponez.
    -Teba -qytet në Beoti.
    -Likosuri -duhet të jetë në Azinë e Vogël, (nga Likët e Homerit dhe Likia e Justinit)
    -Ateneu -shkrimtar i viteve 200 p.e.s, nga Egjypti, autor i “Gostia e dijetarëve” ku ka pasazhe të marrëdhënieve
    shoqërore-ekonomike tek ilirët.
    -Herodoti -(484-425 p.e.s), nga Halikarnasi, i konsideruar babai i historisë, autor i “Historia” ku jep të dhëna për
    pellazgët, dhe përmend ilirët.
    -Justini -historian latin i shekullit II e.s., në përmbledhjen e “Historia e përbotëshme e Trog Pompeut” jep të dhëna për
    ilirët e jugut dhe maqedonët.
    -Plutarku -historian dhe filozof nga Beotia (rreth 46-120 e.s.), autor i “Jetë paralele”.
    -Straboni -gjeograf dhe historian nga Ponti (63 -20 e.s), autor i “Gjeografia”.
    -Dodona, Efiri, Ambrazia (Ambrakia-Arta), Elatea -qytete dhe qendra në Epir.
    -Pandozia -qytet në Thesproti, -Buketi -qytet në krahinën e Kasiopisë në Epir.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 2


    Fiset parake në Shqipërinë e epërme dhe të poshtme.

    -”Iberët, -vë në dukje Desdevizi, -Ilirët, Medët, Shqiptarët, Partët, Venetët, janë fise të së njëjtës zanafillë. Ata gjenden, në të njëjtën kohë, në Europë dhe në Azi, dhe parapëlqyen të hidhnin rrënjë në vendet malore. Prirja e ngulmët për të zënë vend në to, vihet re kudo në botën e lashtë”. (Maqedonia e lashtë, fq.18).

    Sipas hamendësive të po këtij autori, Ilirët kishin kaluar në Europë të ndarë në tre grupe. Në të tretin u bashkuan Labeatët, Enkelejt, Dasaretët, Partinët, Linkestët, dhe popuj të tjerë perëndimorë të trevës maqedonase. Ilirët dhe Pellazgët do të kenë qënë homogjenë, domethënë, kushërinj të afërt, por ndryshimi ishte se, të parët erdhën nga Danubi, dhe të dytët nga arkipelagu, me emrin e tyre të Pellazgëve. A nuk mund të thuhet edhe se Pellazgët përbënin një lloj pararoje, pasi vendet ku ata u vendosën ishin më pjelloret, dhe ata i kultivuan ato me një lloj pasioni, gjë që solli si rrjedhojë zvetënimin e tyre prej mirëqënies së tyre të lartë?
    Vendet e shenjta pellazgjike: Samotraka, Eleuzia, Dodona, në të vërtetë, u shndërruan në qendra imoraliteti.
    Kalojmë origjinën e përbashkët të Ilirëve dhe Pellazgëve për të shtuar se Enkelejtë e shtrinë ngulimin e tyre përreth Raguzës. Raguza e vjetër është e ndërtuar mbi trojet e Enkelisë. Rizonitët (gjiri i Kotorrit) dhe Agravonitët malazezë, të përfshirë bashkë me Enkelejt në ndarjen e Anicit (v. 168), do të kenë jetuar më në jug: -prej Bokave të Kotorrit deri në grykëderdhjen e Bunës, dhe prej Adriatikut deri në Durmitor. Më në brendësi, nga Hercegovina deri në Prizren, dallojmë Autariatët, të cilët Roma i largoi nga deti dhe i detyroi të punonin tokën. Vijnë, më pas, nga veriu në jug, Ardianët dhe Skordiskët (me origjinë kelte). Në jug të Rizonitëve, gjenden në fillim Kolkiniatët (Ulqin) dhe Labeatët: -të parët në perëndim, dhe të dytët në lindje të liqenit të Shkodrës. Më tej, Taulantët, Partinët dhe Albanët ose Skirtonët (Shqiptarët) e Ptolemeut, që Plini i ndan në dymbëdhjetë fise, dhe për të cilët Pukëvili ka vërejtur si më poshtë:

    -”Të huaj ndaj ndarjeve dhe shpërndarjeve të vendit që bëjnë fitimtarët, maqedonasit e të tjerët, nga lartësitë e maleve të tyre, ata janë të pranishëm në rrëzimin e perandorive, dhe nën çfarëdo emri që iu caktua, ata duket se sfidojnë zotërit kalimtarë të botës, që arritën me trillin e tyre të përvijonin kufijtë dhe të pushtonin krahinat, por të cilëve fuqia e papërballueshme e Zotit nuk i lejon më tej të zhdukin llojin e kombeve, veç po të rrafshojnë malet dhe të kthejnë rrjedhën e lumenjve”. (Pouqueville, vëll. 3, fq.194).

    Zbresim më tej në jug. Këtu, prej maleve Akrokeraune deri në gjirin e Ambrakisë, gjejmë fiset e ndryshme Epirote. Teopompi numëron 14 syresh, por tre kryesorët duket se kanë qënë Kaonia në veri në Akrokeraune, Thesprotia në jug me Kako-Sulin në qendër, dhe Mollosia rrëzë maleve. Duke qënë Shqipëria e ndarë nga Italia vetëm prej ngushticës së detit Adriatik, nuk mund të lihen aspak jashtë vëmendjes edhe lidhjet me të. Pra, më tepër se fqinjësia nga njëri breg në tjetrin, një bashkësi origjine do t’i lërë vendin ngjarjeve politike.
    Ne gjejmë, për shembull, emrin Konia të ngjashëm me Kaonia, lumin Akeront të ngjashëm me lumin Akeron, dhe, më tej, një traditë e vjetër flet për kalimin në Itali të shumë Ilirëve, si Picentët, Daunët dhe Japigët. Nga kjo duket se ka arsye edhe më tepër për t’ia bashkangjitur
    “Pellazgëve të Italisë, këtë racë ilire që Straboni na e paraqet si të përzier me popullsinë pellazgjike të Epirit”. (Dèzobry, art. Pellazgët).

    Më në fund, Polibi na bën të ditur (libri 2, kap. 2) se “Ilirët ishin armiq të të gjithë Greqisë”, gjë që dëshmon sërish se Ilirët ishin e njëjta racë me Epirotët, dhe se ata konsideronin sikur ta kishin pësuar vetë atë që Grekët u kishin bërë Pellazgëve.


    Shënime:
    -Rizonitët -banorët e Rizonit, qytet në grykat e Kotorrit, qendër e lashtë ilire.
    -Agravonitë -banorët e krahinës ilire në Mal të Zi.
    -Anici -Anicus Gallus, pretor romak që luftoi dhe mundi mbretin ilir Gentin, dhe kreu ndarjen administrative të
    krahinave të pushtuara, Maqedonisë dhe Ilirisë.
    -Durmitor -mal në veri të Malit të Zi.
    -Teopompi -orator dhe historian grek nga Kio (378-323 p.e.s.), autor i “Historia helenike” dhe “Historia filipike”.
    -Skordiskët -fis galo-kelt në jug të Savës, rreth Danubit dhe Moravës.
    -Skirtonët -fis në verilindje të Shkodrës, në Dalmaci.
    -Ptolemeu -gjeograf nga Ptolemais e Egjyptit i shekullit II e.s., autor i “Gjeografia” ku jepen qytetet dhe vendbanimet e
    Ilirisë, dhe ku përmenden për herë të parë Albanoi-t.
    -Plini -Gai Plin Sekundi i shekullit I e.s., me “Historia e natyrës” ku flet mbi luftërat iliro-romake.
    -Akrokeraune -malet e Llogarasë.
    -Kako-Suli -50 km. në jugperëndim të Janinës, në zemër të Çamërisë.
    -Akeron -lumë në Epir (Thesproti), si dhe lumë në Italinë jugore.
    -Picentët, Daunët, Japigët -fise ilire në Italinë lindore: -të parët në Picenium në bregun e Ankonës dhe Askoli, daunët dhe
    japigët-japodët në Apuli.
    -Polibi -historian nga Arkadia (rreth 200-120 p.e.s), vepra e madhe e tij “Historia”.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 3


    Marrëdhëniet e vjetra të Greqisë me Shqipërinë

    Grekët pretendojnë se “Shqiptarët janë më grekë se vetë popujt grekë”. Historia nuk e vërteton këtë thënie pretenduese. Në të vërtetë, Shqipëria kurrë nuk ka qënë, as e nënshtruar nga Grekët, e as e pushtuar prej tyre. Nga ana e Grekëve gjithçka mbështetet në dy ngulime të ngritura prej Korintit: -ai i Amfilokisë, në gjirin e Prevezës në Epir, -dhe ai i Epidamnit ose Dyrrahut (Durrës) pranë Taulantëve në Shqipërinë e epërme. Të keqtrajtuar nga të pasurit, kolonët e varfër të Epidamnit ngritën krye kundër tyre, dhe shtinë në dorë ngulimet e tyre (432 para Krishtit). Të pasurit kërkojnë ndihmë atëhere tek Shqiptarët, domethënë, tek Ilirët barbarë, dhe për këtë na vijnë në ndihmë fjalët e Tuqididit (libri 2, k. 24-25): -Të gjendur nën trysni nga të gjitha anët, kryengritësit rendën për në Korfuz. Korfuzi nuk i ndihmoi, dhe ata u drejtuan me të shpejtë për në Korint, metropoli i tyre. Atëhere, Korinti dërgoi një flotë, dhe lufta shpërtheu sakaq midis tij dhe Korfuzit. Athina nuk duhej të ngatërrohej në këtë punë. Megjithatë, ajo nuk ndenji mënjanë. Sparta u përfshi gjithashtu, dhe ngjau lufta e Peloponezit, një luftë barbare, në të cilën robërit u vranë, si nga njëra anë dhe nga tjetra (Tuqididi, libri 1, k. 67), dhe ku Grekët u bën me turp -siç thotë Rolin (vëll. 3, fq. 14).
    Dihet se si përfundoi ajo luftë. Athina humbi flotën e saj në Ego-Potamo, në vitin 405. Një vit më vonë, ajo u pushtua, muret e saj u rrënuan, flota e saj u katandis në dymbëdhjetë galera, dhe qeverisja e saj republikane iu besua tridhjetë të huajve, tridhjetë tiranëve, siç u tha më pas. Se çfarë është Amfilokia ne e mësojmë nga Tuqididi (libri 3, k. 68), i cili thotë se ky është një vend barbar, dhe se banorët e Argosit-kryeqyteti i vendit, e kishin mësuar greqishten veç prej Ambrakiotëve, dhe se më pas Ambrakiotët i kthyen Argët në shërbëtorë.
    Më vonë, Argët ngritën krye duke u bashkuar me Akarnanët ose Lelegët (një fis tjetër pellazgjik), dhe i kërkuan ndihmë Athinës, e cila iu dërgoi atyre njëqint anije. Në sajë të kësaj ndihme, Argët dhe Akarnanët rimorrën Argosin, dhe i dëbuan prej andej Ambrakiotët e Korintit. Tuqididi lë të nënkuptohet këtu se Akarnanët ishin në luftën e Trojës. Por, sipas Strabonit (libri 10, k.2, f. 26), historiani Efor pohon të kundërtën; dhe atëhere, a do të kishin shkuar ata në ndihmë të Argëve, nëse nuk do të ishin Pellazgë.
    Ata vetë, për të tërhequr Romën në ndihmë kundër Etolianëve, thonë një ditë se “ata asnjëherë nuk kanë shkuar në ndihmë të Grekëve kundër Trojanëve, të cilëve Roma u detyron prejardhjen e saj” (Justini, libri 28, k.1).
    Më së fundi, në ditët e sotme, Akarnania është e populluar nga Shqiptarët, dhe në Misolongji flitet përgjithësisht shqip.


    Shënime:
    -Rolin (Charles Rollin) -historian francez (1661-1741).
    -Tuqididi -historian grek (rreth 460-400 p.e.s.), autor i “Lufta e Peloponezit”, ku flet për pjesëmarrjen e ilirëve të jugut në këto luftëra.
    -Efori -historian grek i shekullit IV p.e.s.
    -Etoli-Akarnani -krahinë në veri të gjirit të Korinthit, me Misolongjinë kryeqendër, në jug të Epirit.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    -----------------------------
    Ndryshuar për herë të fundit nga BARAT : 08-10-2008 më 10:08

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 4



    -Dinastia maqedonase-


    -”Mbretëria e Maqedonisë -thonë Puarson dhe Cayx në Saktësim i historisë së lashtë, f. 331 -ia detyron origjinën e saj një kolonie Pellazgësh të dëbuar nga Histiokotida prej Kadmenëve, rreth vitit 1302 para Kr. Ata u vendosen në Pind nën emrin Maqedonas dhe u shtrinë deri në Ematia”. Të dëbuar gjithashtu nga Grekët, një palë nga Thesalia, të tjerë nga Fokia, të tjerë më tej nga Peloponezi, pesëmbëdhjetë fise të tjera, vijnë me rradhë duke iu bashkangjitur të parit. Por duket se ata në fillim kanë jetuar të pavarur, dhe se krijuan një mbretëri të drejtuar nga Karani, vetëm në vitin 796 para Krishtit. Ajo duhet të ketë qënë një mbretëri e re si gjithë të tjerat. Shtrirja e saj nuk ishte gjithherët e njëjtë.
    Eskili tek Lutëset shkruan për vendin e Pellazgëve, se kishin për kufij Strimonin (Struma) dhe Argosin, gjë që tregon -sipas Niburit -se poeti grek përfshinte gjithashtu edhe Maqedoninë, në vendin e quajtur Pellazgjia. Në sytë e vetë Grekëve, Maqedonasit nuk ishin grekë. Shpeshherë Demosteni i cilësonte ata si barbarë, domethënë të huaj, dhe po ashtu, përpara tij Homeri na rrëfen se ata rendën në ndihmë të Trojës së rrethuar nga Grekët.
    Nga ana e tij, Justini na siguron se Maqedonasit ishin Pellazgë, dhe Straboni thotë se ata kishin të njëjtën veshje, flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat zakone me Epirotët. Më së fundi, ne kuptojmë prej komplotit ushtarak, ku ishin implikuar gjeneralët dhe oficerët maqedonas, Parmenioni, Filota, dhe të tjerë, -komplotin e të cilëve Kuint-Kyrs na e ka ruajtur me hollësi -se Maqedonasit nuk flisnin greqisht dhe se, për tu marrë vesh, ishte i nevojshëm një përkthyes.
    Është e vërtetë se në kohën e Arkelaut (413 para Kr.), u vendosën marrëdhënie politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, dhe, për më tepër, një i ri maqedonas shkonte në shkollat e Athinës për të përmbushur studimet e kryera në Maqedoni me mësues privat. Aristoteli ishte një nga ata. Por gjithashtu, vërejmë se Grekët nuk i donin ata, dhe se, me vdekjen e Aleksandrit të Madh, vetë Aristoteli u detyrua të kërkonte strehë në Eube, ku vdiq në vitin 322 para Kr. Mbretërit e parë të Maqedonisë i kishin selitë e tyre në Egea (Edesë ose Vodina). Por, Filipit II iu duk më e përshtatëshme të qëndronte në Pela. Nga Karani deri tek Aleksandri i Madh, Euzebi llogarit 24 mbretër, Velei Paterkuli numëron 17, kurse Justini 12 të tillë.
    Por historia nuk ka ruajtur në kujtesë ngjarjet që kanë ndodhur nën mbretërimin e pjesës më të madhe të tyre:
    Megjithatë, ajo na thotë se, -nën mbretërimin e Amintas I, i vdekur 500 vjet para Kr., Maqedonia u pushtua nga Persët dhe iu nënshtrua aleancës me ta, -se Kserksi stërviti Aleksandrin e I, gjatë ekspeditën e tij në Greqi (v. 480), -se Perdika II u lidh me Spartanët kundër Athinasve (v. 423), -se oborri i Arkelaut ishte strehë për grekët e përndjekur në vendin e tyre, si Euripidi për shembull, -dhe se, më pas, Lakedemonët me Brasidën, Tebanët me Pelopidën, me ndërhyrjet e tyre shtuan trazirat, teatër i të cilave ishte Maqedonia.
    Por, me ardhjen e Filipit II (v. 359), punët e Maqedonisë morën një drejtim tjetër. I dërguar peng në Tebë nga Pelopida, Filipi i shpëtoi mbikqyrjes së rojeve të tij, dhe u arratis në Maqedoni. Perdika, parardhësi i tij, kishte humbur jetën në një betejë kundër Bardhylit plak, mbretit të Ilirisë. Filipi nisi hakmarrjen për vdekjen e tij, dhe i caktoi një tribut Agit, mbretit të Peonëve. Më vonë, do të shihet të mbartet lufta në vijimësi, deri në Bosfor dhe deri në Danub. Por, ajo çka ai dëshiron fillimisht, është tu rimarrë Grekëve Amfipojën, Potidën, dhe brigjet që ata ia kishin rrëmbyer Maqedonisë. Meqë Demosteni iu shit mbretit te Persëve, Filipi vuri përballë tij Eskinin, e ndërsa këta dy oratorë argëtonin Grekët, Filipi sulmonte. Grekët iu drejtuan dy herë atij që të respektonte territoret e kushtuara zotit të tyre Apolon, dhe secilën herë ai e kreu misionin e tij në një mënyrë që, pasi i kishte mundur si njërën palë dhe tjetrën, e gjeti veten zot të Greqisë. Më kot, atëhere, Athinasit dhe Tebanët morrën armët. Filipi i dërrmoi ata në Keronea, ku Demosteni, frikacak jo më pak se llafazan, ishte i pari ndër ata që ia mbathën (v. 338).
    Duke vënë re atëhere se shpirti grek kishte nevojë për pakëz ngushëllim, Filipi u propozoi atyre një ekspeditë kundër mbretit të Persisë, dhe Grekëve iu duk i admirueshëm ky projekt që i jepte fund rrënimit të çështjeve të tyre. Por Filipi u vra në mes të përgatitjeve të tij (v. 336). Filipi vdiq, dhe Grekët besuan se ishin të lirë. Por rrënojat e Tebës, ku Aleksandri nuk kurseu veçse shtëpinë e Pindarit, i bëri ata të kuptojnë shumë shpejt se vetëm sa kishin ndërruar padronin. Me hir a me pahir, ata ishin të detyruar ti nënshtroheshin vullnetit të Aleksandrit, dhe të përmbushnin gjithçka që ai do kërkonte prej tyre. Përsa i përket vetë Aleksandrit, -fitimtar në Granika (v. 334), fitimtar në Isus (v. 333), fitimtar në Arbela (v. 331), -ai i shtyu fitoret e tij në veri deri në Baktriani, në jug deri në Indi, dhe vdiq në Babiloni (v. 323), në moshën 32 -vjeçare.
    Mjafton ti hedhësh vështrimin gjendjes shpirtërore në Greqi, për të kuptuar se populli kishte nevojë për një udhëheqës. Filipi dhe Aleksandri u kishin hequr të drejtën municipale të luftërave vetjake, dhe e kishin zëvendësuar gjendjen e luftërave të parreshtura me një gjendje rregulli dhe paqeje. Kjo ishte një mirësi e paçmueshme. Por, as Athinasit, as Spartanët, as Tebanët, nuk arritën ta kuptonin dot. Me vdekjen e Aleksandrit, ata ngritën krye, dhe u shtypën nga Antipatri në Kranon (v. 322). Dhe pikërisht në atë kohë, dy sherrxhinjtë e Greqisë, Demosteni dhe Hiperidi, vdiqën - Demosteni në Kalauri dhe Hiperidi në Egjinë. Sa elozhe janë ngritur, çfarë lëvdatash thurën Grekët e kësaj epoke të shquar! Vetë Demosteni na thotë se kush qenë ata, dhe se sa vlenin.
    Në kapitullin e nëntë të Filipikës së tretë të tij, po Demosteni vetë u thotë Grekëve nga lartësia e tribunës:
    -”Njëherë e një kohë ishte diçka e rëndë për tu pajtuar me korruptimin, dhe fajtori ndëshkohej me rreptësinë më të madhe; atëkohë nuk mund ti blenin rastet e volitëshme as oratorët dhe as gjeneralët; atëhere nuk shitej as mirëkuptimi që duhej të sundonte midis Grekëve, as mosbesimi që duhej shprehur ndaj tiranëve dhe barbarëve. Në ditët tona, e gjithë kjo shitet si në ankand. E kanë zili atë që e merr, e qeshin atë që e pohon, falet ai që është zhytur në të”. Dhe diku tjetër në kapitullin12, po ky gojëtar thotë: -”Ndërkohë që grekët e tjerë nuk janë në pozita më të mira se ju vetë, a duhet që qortimet tona të bien vetëm mbi ju?”.
    Në kapitullin e katërmbëdhjetë të Filipikës së katërt të tij, Demosteni iu përplas në fytyrë këto fjalë Athinasve:
    -”Sa herë që jepet rasti për të vepruar keni qënë të shitur, dhe në vend të bëni që pesha e zemërimit tuaj të bjerë mbi ata që iu tradhëtuan, ju nuk mendoni tjetër, veçse të shijoni kënaqësinë që sjell rehatia dhe plogështia”.
    Aleksandri kishte vdekur, dhe Antipatri në fillim e Polisperkoni më pas, qeverisën Maqedoninë në emër të Arrhideut -vëllait të tij, dhe në emër të Argosit -birit të tij të lindur pas vdekjes. Por, më pas, Kasandri hypi në fron dhe vrau të mirënjohurën Olimpia. Dhe që prej asaj kohe, Maqedonia kaloi me rradhë, nën zgjedhën e një mbreti të Epirit-Pirro, të një mbreti të Trakës-Lisimak, të një princi të dinastisë së Lagëve-Ptoleme Keranit, dhe të shumë komandantëve ushtarakë: Meleagri, Antipatri, Sosteni, deri sa Antigon Gonati shtiu në dorë kurorën (v. 278), të cilën familja e tij e ruajti deri në pushtimin romak (v. 169). Në kohën e Gonatit, nga viti 281 deri në 278, të ndarë në trupa të shumtë, Keltët danubianë pushtuan Maqedoninë, Greqinë dhe Trakën. Në Greqi ata plaçkitën tempullin e Delfit, në Maqedoni varret e mbretërve, ndërsa në Trakë ata rrethuan Bizancin. Të thirrur më pas prej Trakës në Azi nga Nikomedi, mbreti i Bitinisë, ata morën në Frigji, si shpërblim për shërbimet që i bënë Nikomedit, provincën e Galatisë, krahinë prej së cilës, herët a vonë, do të shohim të ngrihet perandoria Otomane.


    Shënime:

    -Histioki (Hestiotia) -krahinë në Thesali.
    -Foki (Fokidë) -krahinë në jug të Thesalisë.
    -Karani -mbreti i parë i Maqedonisë, i përmendur nga Justini.
    -Strimon -lumë i Thrakisë dhe krahinë e qytet po aty, në verilindje të Kalkidikisë.
    -Argos -emër i vjetër i Thesalisë, dhe qytet i Amfilokisë.
    -Demosteni -politikan dhe orator i Athinës (384-322), i njohur për “Filipikat”.
    -Kuint-Kyrs (Quinte-Church) -historian latin i shekullit I p.e.s., autor i “Jeta e Aleksandrit”.
    -Euzebi i Çezaresë -(265-340 p.e.s.).
    -Velleius Paterculus -historian latin (19 p.e.s.-31 e.s.), autor i “Histori”, përmbledhje e historisë së përgjithëshme.
    -Agi -mbret i paonëve, i përmendur nga Diodori në lidhje me luftën e Filipit II kundër Paionisë.
    -Amfilopoja (Amfipoja) dhe Potida -qytete në Maqedoninë e jugut, në bregun e Kalkidikisë dhe jug të Filipisë.
    -Eskini -orator athinas (390-314 p.e.s.), rival i Demostenit.
    -Keronea -qytet në Beoti ku Filipi mundi athinasit dhe tebanët.
    -Granika -breg në Azinë e Vogël ku Aleksandri mundi Darin III të persëve.
    -Isus -në Kiliki, Azi e Vogël; -Arbela -kryeqendër e Asirisë; -Baktrianë -në Azinë e vjetër në veri të Afganistanit.
    -Hiperidi -orator dhe politikan athinas, bashkëkohës i Demostenit.
    -Kalauri -ishull në Greqi, mbi bregun e Argolidës.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 5


    Dinastia Epirote



    Historinë e Epirit ne e njohim veç prej autorëve grekë, domethënë, nga të huajt. Pra, ata nuk do të flisnin me krenari përderisa tregojnë për një vend që e vlerësonin si barbar, dhe që nuk njihnin as gjuhën e as zakonet e tij. Megjithatë, duket se, qysh në kohët e herëshme, popullsia shqiptare krijon dy grupe kryesore: -ai i veriut kishte për qendër Shkodrën, dhe ai i jugut Pasaronin. Kjo jo për shkak se ishin dy raca të ndryshme, por, siç shihet ende edhe sot, dy grupe të së njëjtës popullsi, të drejtuara nga dy dinasti të ndryshme, dhe që mund të kenë patur secila interesat e saj të veçanta. Plutarku pohon se pas Delugut, Mollosët dhe Thesprotët patën për mbret njëfarë Faetoni (1525 para Kr.), shumë kohë më vonë (shek. 13 para Kr.), njëfarë Neoptolemi, pasardhësit e të cilit do të mbanin emrin e përbashkët të Pirridëve apo Eakidëve, pothuaj ashtu si në Egjypt, ata quhen Faraonë, dhe Brenë tek Keltët. Teopompi i Kios, pasues i Tuqididit, kishte hartuar historinë e Epirit, por vepra e tij humbi. Ky autor numëronte në Epir katërmbëdhjetë popullsi apo fise të ndryshme. Ja, emri i më kryesorëve, dhe ai i vendeve që ata duket se kanë zënë:
    -Helopët në perëndim të liqenit të Janinës, -Perrebët në lindje deri në Meçovë e ndoshta matanë saj, -në jug Mollosët, -Kaonët midis Vjosës dhe detit Adriatik, -Thesprotët përgjatë bregdetit prej maleve Keraune deri në Prevezë, -Atamantët mbi bregun e majtë të Inakus ose Artës, -Dolopët mbi Aspropotam në Anovllahi, -Amfilokët nën Atamantët, mbi gjirin e Artës. Në veri, shiheshin Labeatët përreth Shkodrës, Himanët drejt Tivarit e Ulqinit, Taulantët në Muzaki dhe në lindje të Durrësit, Partinët drejt Elbasanit dhe Tiranës, Dasaretët më lart në male, kanë për qytete kryesore Ohrin (Lyhnis) dhe Pelionin (Bilisht), Penestët në Dibrën e Poshtme, që kanë pasur Uskanën si qytet kryesor, dhe Pirustët prej Prizrenit deri në Prishtinë. Secili nga fiset shqiptare kishte padyshim mbretërit e tij, ose prijësit apo qeverisësit e vet të veçantë.
    Por, dy më të shquarat e dinastive të tyre -dhe, mesa duket, të tjerët duhet të kenë qënë pak a shumë nën ndikimin e tyre, -janë ato të Mollosëve në Epir, dhe të Labeatëve në Iliri. Vargu më pak legjendar i mbretërve Mollosë përmbledh veçse dymbëdhjetë të tillë: Admeti, Terruta, Alkesti, Neoptolemi, Arriba, Aleksandri I, Eakidi, Alkesti II, Pirro II, Neoptolemi II, Aleksandri II, Ptolemeu, Pirro III, Leodamia. Admeti (480-429) nuk donte ti shkonte në ndihmë Greqisë së pushtuar nga Persët, por më vonë, ai i ofroi strehë Themistoklit të dëbuar dhe të përndjekur nga Athinasit. Historia nuk thotë asgjë për Terrutën (429-395), as për Alkestin (395-361). Neoptolemi kishte dy fëmijët e tij të mirënjohur: -Olimpian, bashkëshortja e Filipit II, dhe nëna e Aleksandrit të Madh, -pastaj Aleksandër Mollosin, që shumë shpejt e shohim të qeverisë popullin. Arrimba (Arruba) i Justinit (libri 7, k. 3), e pajisi Epirin me një legjislacion të ri dhe, i pari ndër të gjithë, u betua se do ti përmbahet atij (v. 361-342).
    Vëllai i Olimpias dhe daja i Aleksandrit të Madh, Aleksandër Mollosi, luftoi në Itali kundër Abrucëve, në të njëjtën kohë kur nipi i tij luftonte me Persët. Por, ai ishte më pak fatmbarë se homonimi i tij, pasi kishte më pak dhunti në artin ushtarak. Fitimtar ndaj Abrucëve (Italia Jugore), ai u mund nga aleatët e tij dhe u mbyt në Akeront (v. 324). Romakët kishin kërkuar përsëri të vlerësoheshin prej tij, dhe ai kish lidhur një traktat aleance me ta. Në kohën e Eakidit dhe Alkestit, Kasandri pushtoi Epirin me shkasin se Epirotët e kishin pajisur me trupa Olimpian, nënën e Aleksandrit të Madh. Por Alkesti, i ndihmuar nga Akarnanët, i dëboi Maqedonasit dhe e çliroi Epirin nga sundimi i huaj. Pirroja është rritur nga kushëriri i tij Glauku, mbret i Taulantias, dhe ai hypi në fronin e Epirit veç me trupat që morri prej vjehrrit të tij, mbretit të Egjiptit. Padyshim që ai kishte shumë guxim dhe trimëri. Por, për të qënë një gjeneral i përplotë, atij do ti ish dashur më tepër qëndrueshmëri, më pak ambicje, dhe më shumë respekt ndaj këshillave të urta të mësuesit të tij Kinea Thesalianit.
    Tarentinët, që më parë e kishin lidhur Aleksandrin në një luftë kundërAbrucëve, e angazhuan atë vetë në një tjetër luftë kundër Romës. Për të thënë të vërtetën, ai korri mbi Romakët fitoren e parë, por beteja kishte qënë e përgjakshme, dhe ai humbi 13 mijë burra. Nëse një betejë e dytë do të kushtonte po kaq, -shprehet ai -unë do të kthehesha në Epir pa ushtarë. Nga Italia ai kapërcen në Siçili, thyen Kartagjenasit, dhe çliron Sirakuzën. Por, duke u kthyer, humbet arkën e tij ushtarake dhe një pjesë të flotës në ngushticën e Mesinës. “Çfarë ju duket senati?” -i thotë Pirroja atij. “Eshtë një kuvend mbretërish” -i përgjigjet këshilltari. Kinea kishte shkuar në emër të tij për ti propozuar paqen senatit romak. Ekspeditat ushtarake të Pirros në Itali, duket se i kanë nxitur idenë atij për të lidhur një urë midis Apolonisë dhe Brindizit. Gjithsesi, ai rikthehet në Epir, rend për në Maqedoni, dhe aty vetëshpallet mbret. Pastaj vritet gjatë betejës për marrjen e qytetit të Argosit (v. 272). Koka e tij iu soll Antigonit, dhe Antigoni ia ktheu Helenit, i cili e dërgoi në Epir. Epirotët e kishin quajtur dikur shqiponjë. Po, sigurisht, unë jam një prej tyre, -përgjigjet Pirroja -por jeni ju që më keni bërë të tillë. Duhej dëbuar dikush që kish folur keq për të. Kush do të mbetej atëhere këtu, -thotë Pirroja, -nga frika se nuk ka folur keq për mua diku tjetër.
    Sipas Justinit (Lib. 25, k. 5), të gjithë historianët bien në një mendje, se asnjë mbret nuk mund të krahasohej me Pirron, dhe se shumë pak princër apo edhe njerëz të shquar kanë arritur të bëjnë një jetë më të pastër se ai, dhe se, edhe më pak gjithashtu nga madhështia e emrit të tyre, kanë arritur ta bëjnë kaq të shquar një mbretëri të vogël. Aleksandri II desh për një çast të imitojë të atin e tij, dhe ai vetë shkroi libra mbi taktikën ushtarake, të cilat Arriani i përmend me mburrje, por, i mundur në Maqedoni, arriti ta rifitojë Epirin vetëm me ndihmën e Akarnanëve. Pirroja II vdiq më pas pa lënë fëmijë, dhe kurora e Epirit ra në duart e motrës së tij Leodamia. Duke mos dashur të qeveriseshin nga një femër, Epirotët ngritën krye, dhe një maskara vrau Leodaminë në një tempull ku ajo kish kërkuar strehë. Sipas shembullit, dhe me nxitjen e Etolianëve, Epirotët ranë në një mendje për republikën dhe emëruan një pretor apo një magjistrat të përvitshëm. Vetëm se paqëndrueshmëria e një qeverisjeje të tillë u kushtoi shtrenjtë.
    “Aty për aty -thotë Justini -perënditë u hakmorrën për këtë krim, me fatkeqësi të shumta dhe me një vdekshmëri në masë. Shterpësia, zia e bukës, luftërat civile, luftërat me të huajt, të gjitha këto, i ndoqën pas deri në rrënimin pothuaj të një kombi të tërë. Miloni, vrasësi i Leodamisë, duke rënë në shfrenimet e çmendurisë, shqeu trupin me hekur, me gurë, me dhëmbë, dhe, në krye të dymbëdhjetë ditëve, vdiq” (Justini, libri 28, k. 3).


    Shënime:
    -Pasaron -kryeqyteti i Mollosisë.
    -Brenë -prijës keltë (galo-keltët që u dyndën në Itali, Ballkan e deri në Azi të Vogël).
    -Inakus -lumë në Amfiloki.
    -Anovllahi dhe Aspropotam - malet e Pindit në mes Epirit dhe Thesalisë, dhe lumi që buron prej tyre dhe kalon në
    jug nëpër Etoli (Ahelou).
    -Himanë (hemionë) -nënfis i liburnëve.
    -Perrebë -banorët e Thesalisë.
    -Muzaki -Myzeqeja.
    -Themistokli -gjeneral dhe shtetas athinas (525-460 p.e.s.).
    -Abrucët (Brutët) -fis italik dhe krahinë, Abruzia me Peskarën).
    -Arriani -historian nga Nikomedia (Bitini), autor i historisë për Aleksandrin e Madh.

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 6


    Dinastia Labeate


    Për faj të historianëve, dinastia e Labeatëve apo Shkodrane është më pak e njohur se ajo e Epirotëve. Megjithatë, nuk ka dyshim se ajo vjen nga po ato kohë të moçme prej nga vijnë edhe dinastitë më të lashta të Shqipërisë jugore. Por, nuk duket se dinastia Labeate ka arritur fillimisht të sundojë të gjitha fiset e Shqipërisë së epërme.Vetë kjo trevë duhet të ketë qënë e ndarë sipas fiseve të ndryshme, secili i udhëhequr nga prijës të veçantë. Megjithatë, nevoja për tu mbrojtur prej një armiku të përbashkët, i ka detyruar ata, qysh në kohë të herëshme, të gruponin forcat e tyre dhe ti mbanin ato të bashkuara. Cili ishte ky armik i përbashkët? Tradita nuk përmend tjetër veç një dyndje kelte, të së njëjtës kohë me atë që vërshoi në Italinë veriore (v. 588 para Kr.).
    Shihet pra, -se Keltët, të udhëhequr nga Zigovizi, apo nga ndonjë prijës tjetër, kishin gjetur Adriatikun, në të njëjtën kohë që të tjerët hodhën ngulimin e tyre në Milano, -se ata kishin mundur Liburnët, -se, kur arritën në Shqipërinë e epërme, ata themeluan bashkë me banorët vendas një perandori mjaft të madhe, kryeqytet i së cilës do të ketë qënë Shkodra. Kjo është e mundur, por fakti mbështetet veç mbi një traditë të mirë. Gjithherët që na duhet të kthehemi në vitin 423 për të patur diçka konkrete, aq më pak iu mbetet Grekëve për të qënë krenarë. Në këtë epokë historia na i shfaq Shqiptarët, ose Ilirët e veriut, të bashkuar me Linkestët apo Pelagonët kundër Maqedonisë. Të gjithë së bashku ata thyen në Arnisa, pranë Ostrovës, Grekët e komanduar nga Brasida, dhe Maqedonasit e udhëhequr nga Perdika II.
    Linkestët Ilirë kishin asokohe për mbret Arribën, të birin e Bromerit. Por, Tuqididi nuk thotë cili ishte mbret i Ilirëve (lib. 4, k.125). Megjithatë, mund të besohet se ishte i famëshmi Bardhyl. Mbretërimi i këtij prijësi ishte gjashtëdhjetëvjeçar. Diodori duket se e ka përshkruar atë gjerë e gjatë. Fakti është se shpeshherë e gjejmë në luftë me Maqedonasit, sidomos me Perdikën II, i cili u vra në një betejë në vitin 369. Por ai vetë u vra më pas nga Filipi II, i cili përfitoi nga kjo fitore për të shtyrë matanë Lyhnidit (Ohrit) kufijtë e Maqedonisë. Biri dhe pasuesi i Bardhylit, Kliti, u bashkua me Glaukun, mbretin e Taulantëve, kundër Aleksandrit të Madh. Por ata u mundën në Pelion (Bilisht), dhe i dhanë fitimtarit një trupë të forcave ilire për të pushtuar Persinë. Aleksandri vdiq dhe Perdikës, kryetar i këshillit perandorak, i jepet nderi dhe e drejta për të ndarë perandorinë maqedono-persiane midis gjeneralëve të tij. Këtu shohim se, në këtë ndarje, Iliria i caktohet Filonit (Justini 13, fq. 4). Duket qartë se një zgjedhje e tillë nuk mund të kishte epërsi mbi të drejtat e fituara nga prijësit vendas. Gjithashtu, shohim Glaukun të vihet përballë Kasandrit, dhe të marrë nën mbrojtje Pirron e ri. I biri i Glaukut, Pleurati, duket se është mbreti i parë i Ilirisë që përmendet prej autorëve romakë. I thirrur në ndihmë prej Medionasve, Pellazgë të Akarnanisë, Agroni, i biri i Pleuratit, u dërgoi atyre njëqint anije dhe dhjetmijë ilirë. Të sulmuar papritmas, Etolianët u mundën dhe Medioni u çlirua. Për nder të kësaj fitoreje të pahijëshme, Agroni shtroi një pritje për të gjithë ushtrinë e tij. Por, -thotë Polibi (lib. 2, k.1) -i dhënë pas verës dhe qejfeve të tjera si këto, e zuri një pleurit që brenda pak ditësh e çoi në varr.
    Në vend që të godiste piraterinë në Adriatik, Teuta, bashkëshortja e tij dhe regjente e mbretërisë, duket se e përkrahte atë, të paktën sipas asaj që iu përgjigj ambasadorëve të Romës vetë ajo:
    “nuk ka qënë zakon i mbretërve ilirë të pengojnë nënshtetasit e tyre që të ndjekin rrugën në të mirë të interesit të tyre vetjak”.
    Një përgjigje e tillë i tronditi ambasadorët romakë dhe ata u përgjigjën:
    “Ky qenka një zakon që duhet reformuar”.
    Atëhere, jo vetëm që një përgjigje e tillë lëndoi krenarinë e Teutës, por ajo, për më tepër, vrau ambasadorët dhe dogji të gjallë kapitenët e anijeve që kishin sjellë ata. Si kundërpërgjigje, senati i Romës dërgoi në Iliri 20 mijë legjionarë të hypur mbi 200 anije (v. 230). Nga Rizoni, ku ajo u arratis, Teuta e mundur i pranoi të gjitha. Por, senati donte të binte në marrëveshje veç me të birin e saj, dhe i kërkoi, jo vetëm një tribut dhe dorëzimin e një pjese të Ilirisë me premtimin që të mos kalonte në det përtej Lisit (Lezhës) më shumë se dy anije të paarmatosura, por, kërkoi edhe kokat e këshilltarëve kryesorë të Teutës. Përpara kësaj kohe, Roma nuk ka pasur zotërime të mirëfillta në Iliri. Por shihet se, para luftës së parë punike, Apolonia kishte kërkuar mbrojtjen e Romës. Meqë 264 vjet para Krishtit, dy senatorë romakë, Fabrici dhe Aproni, kishin fyer ambasadorin e dërguar në Romë nga Apolonia, senati ua dërgoi ata si dy kriminelë Apolonasve që tu jepej ndëshkimi prej vetë atyre sipas dëshirës së qytetit. Por, pavarësisht dënimit, Apolonia u bëri një pritje të mirë senatorëve romakë, dhe i nisi përsëri me shumë nderime. Në vitin 228 para Kr., Romakët kishin pushtuar dhe mbanin në Iliri një territor të konsiderueshëm, midis të tjerash, Apoloninë, Dyrrahun dhe Lisin. Shtatë vjet më vonë (v. 221), ata u përqëndruan në pushtimin e Istrias. Ishte pirateria që e bënte të nevojshme këtë luftë të re. Por, pirateria nuk rreshti veçse mbas marrjes së Nesartës, vdekjes së mbretit, dhe nënshtrimit të plotë të vendit (v. 177 para Kr.).

    Shënime:
    -Linkestë dhe Pelagonë, Linkestia -ilirët lindorë dhe krahinë ilire, në trevat e Manastirit të sotëm.
    -Arnisa -qytet i taulantëve sipas Ptolemeut, ndërsa autori e vendos pranë Ostrovës, qytet mes Follorinës dhe Vodenës.
    -Diodori -jetoi në Siçili në kohën e Çezarit e Augustit, autor i “Biblioteka historike”.
    -Perdika II i vrarë në vitin 369 -duhet të jetë gabim pasi burimet e japin në vitin 360 ose 359 p.e.s këtë ngjarje.
    -Filoni -Heren Filoni, historishkrues i lashtë.
    -Medionas -banorët e Medionit, qytet në Etoli.
    -Nesartia (Nesakti) -qendër e fortifikuar në Istria, Nesactum -qytet në Istria.
    -Rizoni -gjiri i sotëm i Kotorrit dhe qytet i Dalmacisë, Rizani i sotëm.

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 7



    Lufta midis Romës nga njëra anë, dhe Maqedonisë e Ilirisë nga ana tjetër


    Vendosja e Romakëve në Iliri frikësoi Maqedonasit. Megjithatë, Filipi nuk do ishte ndjerë kaq i trembur pa grekun Dimitër i Farit, të cilit Roma i kishte marrë Korfuzin. Ai jo vetëm do të dërgonte 4 mijë burra në ndihmë të Hanibalit, por edhe kishte qenë për të çliruar Apolloninë. Akteve të armiqësisë senati iu përgjigj në mënyrë të ndërsjellë dhe, në vitin 214 para Kr., një flotë romake shkatërroi një flotë maqedonase në grykë të Vjosës. Paqja e vitit 205 është për tu shënuar, pasi Roma dhe Maqedonia e ndanë mes tyre, në njëfarë mënyre, Shqipërinë. Filipi përfshinte Epirin, ndërsa Roma morri nën vete Pleuratin II dhe Ilirinë e epërme. Por kjo paqe nuk ish tjetër veçse një lloj armëpushimi, pasi lufta rifilloi në vitin 200 para Kr., dhe, që në fushatën e parë, Sulpici depërtoi nëpër Kandave deri në zemër të Maqedonisë. Arriti në shpatet e Pindit, theu Filipin në rrethinat e Atakut mbi një prej liqejve të Prespës. Përshkoi pastaj Pelagoninë, Eordenë (Kajlari), Elimenë (Anaselica) dhe Orestinë, ku mori Celetrumin (Kostur). Duke ndjekur më pas rrugën e Apollonisë, ai la një garnizon të fortë në Pelion (Bilisht) sipas disave, Plasa sipas të tjerëve, të cilën ai ua kishte rrëmbyer Dasaretëve, dhe të cilëve iu hoqi skllevërit duke lënë aty vetëm njerëz të lirë. Tre vjet më vonë, Kuint Flamini mori në dorë operacionet ushtarake kundër Maqedonisë. Për dyzet ditë me rradhë, ushtria e tij dhe ajo e Filipit qëndruan ballë për ballë, në drejtim të burimeve të Aosit (Vjosës). Pozicioni i Filipit ishte i paarritshëm, dhe prandaj Flamini vendosi të depërtonte në Maqedoni nëpër Kandave, rrugë që Sulpici kishte ndjekur më parë, kur pretori i Epirit, Karopi, i dërgoi atij një bari. Bariu pranoi ti printe nëpër shtigje të tërthorta një trupe të forcave romake mbi një mal i cili ngrihej përmbi kampin maqedonas. Në të vërtetë, tre ditë më pas maqedonasit u sulmuan përballë dhe pas shpine. Filipi sakaq morri arratinë dhe zbriti në Thesali, ku Flamini e bëri të provonte shpartallimin e përgjakshëm të Kinoqefalit (v. 197). Për të arritur paqen, Filipit iu desh të tkurrte ushtrinë e tij në 500 burra, flotën në 5 anije, të paguante 500 talante, të premtonte tribute për 50 vite rrjesht, dhe të jepte si peng të birin e tij, Dimitrin. Nga Thesalia, ku ai kishte përfunduar të gjitha hesapet me Filipin, Flamini u nis drejt Korintit, dhe i deklaroi të lirë Grekët e Europës e të Azisë. Prej këtyre fjalëve, mes Grekëve shpërtheu një ngazëllim i marrë. Dy herë kuvendi i përgjithshëm përsëriti dekretin romak, dhe Flamini gati sa nuk u mbyt nën lulet dhe kurorat që hidheshin nga të katër anët (v. 196). Ti shpallje Grekët të lirë politikisht, do të thoshte ti detyroje ata që të rrinin urtë. Ky ishte qëllimi i senatit. I tillë kishte qenë në të vërtetë edhe pikësynimi i Filipit dhe i Aleksandrit.
    Por Grekët mjaft shpejt i dhanë një kuptim krejt tjetër dekretit të senatit. Trazira të reja shpërthyen midis tyre, dhe shtete të shumtë guxuan të krijonë lidhje përkundër romakëve. Më së fundi, ata shtynë Maqedoninë të rifillojë luftën, duke i premtuar se do ta mbështesnin. Por Perseu u thye në Pidna nga Pal-Emili (v. 168), dhe aleati i tij, Genti, po ashtu, në Shkodër nga Anici. Maqedonia u nda në katër rajone të pavarura nga njëra tjetri, ndërsa Iliria në tre pjesë. Dhe në prani të banorëve më me peshë, Pal-Emili, Anici dhe komisarët e dërguar nga Roma, bënë këtë ndarje. Ata Ilirë që kishin mbajtur anën e Romakëve u përjashtuan nga taksat, kurse taksat e të tjerëve u përgjysmuan. Me Epirin u veprua krejt ndryshe. Atje ishte shpallur haptas qëndrimi kundër Romës, dhe Anici kishte marrë me sulm atje katër qytete: Pasaronin, Tekmonin, Falasin, Horeumin. Në Epir, gjithashtu, u rrënuan 70 qytete që u përkisnin, në pjesën më të madhe, Mollosëve -thotë Straboni (lib. 7, k. 7, fq. 3). Përveç kësaj, 150 mijë banorë dhe kryetarë familjesh u shpërngulën në Itali. Në vend të tyre dërguan kolonë të tjerë, dhe këta ishin Vllehët ose Romenët e ditëve tona, në veçanti Zagoritët. Shënojmë, gjithashtu, se korrespondenca e Perseut kishte rënë në duart e Pal-Emilit. Roma e dinte sa grekë kishin qënë në këtë luftë. Megjithatë, ajo u tregua e duruar. Por, edhe pse e vonuar, hakmarrja nuk ishte më pak e tmerrshme. Në Korint ishin vrarë përfaqësuesit e Spartës, dhe u poshtëruan ata të Romës. Dhe, mjaft shpejt arrin atje Mumi. Ai e merr me sulm Korintin (v. 146), e rrafshon atë, dhe banorët e saj i nxjerr në ankand. Teba dhe Athina ishin një hiçgjë në këtë kohë. Për atë çka është Maqedoni dhe Shqipëri e epërme, ndarja e këtyre mbretërive të lashta, e para në katër distrikte ose provinca, e dyta në tre, nuk zgjati shumë. Vetë banorët kërkuan një reformë, dhe senati vendos të përfitojë nga turbullirat e nxitura nga Andrisku për ta bërë këtë vend, të bashkuar me Epirin, një provincë të tërë dhe të vetme (v. 147). Atëkohë Perseu-mbret i Maqedonisë, dhe Genti-mbret i Ilirisë, e kishin ngritur në qiell triumfin e shkëlqyer të Pal-Emilit. Andriscu stolisi atë të Metelit. Të shkëputur nga karrot e triumfit, ata u lëshuan, si njëri dhe tjetri, në qeli ku ata u shuan nga një vdekje e ngadaltë dhe mizore. Të mëdhenjtë e vendit, të cilët patën pranuar përgjegjësinë e tyre, u çuan në ekzil në Itali. Ka të ngjarë që një pjesë e tyre vdiq aty, por Justini na bën të ditur se të tjerë u riatdhesuan me kërkesën e qyteteve. Ja se me çfarë fjalësh e ka përmbledhur Justini historinë e Maqedonasve:
    -”Prej Karanit deri tek Perseu, ishin 30 mbretër. Kjo monarki zgjat 923 vjet, por mbizotërimi i saj ishte vetëm 192. Duke u bërë zotër të tyre, Romakët e kthyen në një shtet të lirë, dhe vendosën magjistratë në çdo qytet. Ajo morri, më tej, nga Pal-Emili, ligje që edhe sot janë në fuqi” (Justini, libri 33, k. 2).
    Taksat mbi minierat dhe mbi disa toka duhet të jenë marrë nga bujqit ose nga Maqedonasit. Por Roma parapëlqeu ti hiqte ato krejtësisht. Përse? “Arsyeja është - thotë Tit-Livi (libri 45, 11), -se shfrytëzimi i tyre pasuron përherë ata që i përfitojnë dhe bëhen shkas zilie, urrejtjeje, dhe ndonjëherë edhe rebelimi”. “Më në fund, -vazhdon Tit-Livi -u dërguan për në Romë ata Maqedonas që kishin për natyrë ti shërbenin me përulje mbretit dhe të sundonin mbi të tjerët me shpërfillje” (lib. 45, k. 32). Po ky autor na bën me dije se banorëve të Korkyrës, Apollonisë dhe Dyrrahut, iu shpërndanë 200 barka që ia kishin marrë Gentit. Prej kësaj kohe, Shqipëria humbet për një kohë të gjatë pavarësinë e saj, dhe është me rëndësi të japim këtu vlerësimin që Pukëvili ka bërë për këtë çështje (Vëll. 3, fq. 194):
    -”Albanezët ose Shqiptarët, që ndjekin pa dyshim fatin e mbretërisë së Maqedonisë, mbetën të përzier dhe ndërthurur nën çemërtimin e përgjithshëm të Maqedonasve dhe Ilirëve, sipas vullnetit të fitimtarëve që gjithherët marrin përsipër ndarjen e kufijve topografikë të ngjashme me ato që bëjnë në ditët e sotme në hartë. Por, të huaj ndaj këtyre ndarjeve të vendit, shqiptarët nga lartësitë e maleve të tyre asistuan në rënien e perandorive, dhe nën çfarëdo emri që i emërtuan, ata duket se sfiduan zotërit e huaj të botës të cilët, sipas qejfit të tyre, mundën të vijëzonin kufijtë dhe të pushtonin provincat, por të cilëve fuqia e papërballueshme e Zotit nuk i lejoi të shuanin llojet e kombeve, veç po të rrafshonin malet dhe të kthenin rrjedhën e lumenjve”.


    Shënime:
    -Eordea (eordenjtë) -krahinë në Ilirinë juglindore, Kailari-qytet në juglindje të Kosturit, në rrethin e Kozanit.
    -Orestidia -krahinë në Ilirinë juglindore, mes Epirit dhe Maqedonisë, Elime -Naselica e sotme.
    -Flamini (Kuint) -konsull romak.
    -Sulpici (Galba) -konsull romak 211-200 p.e.s.
    -Kandavia -stacion rrugor në malet Kandave mes Elbasanit dhe Ohrit, përgjatë rrugës Egnatia, rreth Babies dhe Qukësit.
    -Pal-Emili -konsull romak, viti 168 p.e.s.
    -Pidna -qytet në Maqedoni, mbi Thesali në bregdet, në gjirin e Selanikut.
    -Tekmon -qendër e fortifikuar në Epir (Mollosi),
    -Falas -qytet në Thesali; Horea -qytet i fortifikuar në Epir.
    -Teba -kryeqendër e Beotisë.
    -Tit Livi -historiani më i shquar romak në kohën e Augustit (59 p.e.s.-17 e.s.), nga Padova, shkroi historinë e Romës
    “Ab urbe condita”.
    -Korkyrë -Korfuz; Dyrrah (Dyrrachium) -Durrës.

  11. #11
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 8


    Administrimi romak në Maqedoni dhe në trevat e Ilirëve


    Maqedonia, Iliria dhe Epiri, duke nisur nga viti 147 para Kr., në vend të mbretërve apo të pretorëve, kishin veçse prokonsuj ose magjistratë romakë si guvernatorë. Këta guvernatorë padyshim që nuk ishin të gjithë të mirë, por, edhe nuk ishin të gjithë të këqinj. I pari, që historia tregon se u soll keq, u denoncua në senat dhe, me të arritur në Romë, babai i tij i tha: -”Nuk të njoh më, ti nuk je i denjë për mua, as për familjen tonë: jashtë prej shtëpisë sime”. Pizoni, edhe ai, u denoncua në Romë, dhe u ndoq ligjërisht nga i mirënjohuri Ciceron. Në fjalimin para popullit romak, të cilin e kemi ndër duar, ky gojëtar i thotë Pizonit: -”Ju jeni i vetmi nga të gjithë prokonsujt e Maqedonisë që nuk keni hyrë në Romë nga porta e triumfit, -ju jeni i vetmi që, duke u kthyer nga Maqedonia, nuk keni fituar nderet e triumfit” (k. 23). Në Ilirinë dhe Maqedoninë, tashmë të pushtuara, Roma dërgon 15 komisionerë: 5 në Iliri dhe 10 në Maqedoni. Ata kishin për detyrë të riorganizonin vendin, dhe udhëzimet për to -thotë Tit-Livi (Lib. 45) -u diskutuan gjerësisht në senat. Midis tjerash, ata duhej të hiqnin taksat e vendosura mbi minierat dhe të përgjysmonin tributin që u paguhej mbretërve: -”Me këto masa -thotë Tit-Livi (libri 45, k. 18), -populli romak dëshmon se ai nuk u sillte skllavërinë njerëzve të lirë, por lirinë atyre që ishin skllevër”. Maqedonasit kërkuan një legjislacion të ri. Ai iu dha atyre, dhe po ky legjislacion ishte ende në fuqi në kohën që Tit-Livi përpilonte analet e tij. Kantu vëren veç tjerash (vëll. 5, fq. 205) se, për të rrënjosur sundimin e saj, Roma, gjithherët, kishte si kujdes parësor që tek të mundurit: -të asgjësonte fuqinë publike dhe lirinë konstitucionale, -të shkrinte konfederatat, -të fuste në ato vende një popullsi romake, -tu akordonte të drejtën e qytetarisë të gjithë vendasve që ishin të denjë për të. Jeta e 150 mijë familjeve të shpërngulura, dhe 70 qytetet e rrënuara në Epir me urdhër të senatit Romak, e bëri të vuante shumë grekun Plutark në biografinë e tij për Pal-Emilin (k. 29). Por çfarë provon këtë? Se Plutarku i gjykonte ngjarjet si grek, kurse Tit-Livi si romak.
    Nga ana tjetër, Thesalianët e masakruar apo të shndërruar në skllevër prej Grekëve, si dhe 150 mijë familjet e shpërngulura nga Pal-Emili, u zëvendësuan sakaq me të tjerë, me Vllehët e dërguar nga Italia dhe të organizuar në koloni nëpër Duumvire. Nëse vendi nuk do ishte ripopulluar nga kolonët e sjellë prej tjetërkund, si do kish mundur Pompeu të rekrutonte ushtarët po prej këtyre viseve, kur dijmë mirë se Roma, në këto kohë, rekrutonte ushtarë vetëm midis kolonëve dhe qytetarëve. Në komentaret e Çezarit, tashmë është çështja jo për aleatë por për rekrutë të vërtetë. Lexojmë këtu se as ushtarët e as kalorësit, nuk kishin braktisur Çezarin për të kaluar me Pompeun. Në vend të kësaj, çdo ditë vinin ushtarë të kampit të Pompeut drejt Çezarit, kryesisht nga ata që ishin rekrutuar në Epir, në Thesali dhe në zona të tjera që Çezari kishte nënshtruar. (Bellum Civile. libri 3, kap. 61).
    Pasi pushtohej një vend, kujdesi parësor i Romës ishte të lidhte kryeqytetin me anë të rrugëve ushtarake. Këtë bëri ajo edhe në Iliri dhe në Maqedoni. Rruga Egnatia, për të cilën flasin Polibi dhe Straboni, kishte dy degëzime në Adriatik: -e para në Apolloni, e dyta në Dyrrah, ku si njëra dhe tjetra takoheshin në Klaudiana. Duke iu ngjitur më pas maleve Kandave, ajo u shtri në fillim deri në Trakë, më vonë deri në Bosfor, dhe më tej edhe deri në Persi. Distancat shënoheshin me gurë ushtarakë. Çdo përrua, çdo lumë i madh apo i vogël, kishte nga një urë shumë të fortë. Kuajt e postës vendoseshin në distanca të caktuara. Çdo guvernator apo çdo zyrtar udhëtonte lirisht, por për civilët ishte e nevojëshme një leje ad hoc.
    Piloni ose Diavati ndante Ilirinë nga Maqedonia. Rruga Egnatia kalonte nëpër të. Duke u zgjatur më tej në Barnum ose Barnuntum (Perister), ajo arrinte në Heraklea të Pelagonisë. Duke kaluar, më pas, vendin e Linkestëve (Follorina) dhe të Eordëve (Ostrova), ajo merrte drejtimin për në qytetet e Edesës (Vodena) dhe të Pelas drejt Selanikut. Mbi Rrugën Egnatia, përpara Diavatit apo Pilonit, ne gjejmë Lyhnidin dhe liqenin e tij, Pont Serviliumin mbi Drin në rrethinat e Strugës, stacionin e Tre Tabernave (ose tre khanët e Domuzderit), qytetin e Skampinit, bigëzimin e Klaudianës në rrethinat e Elbasanit, pastaj Durrësin në veri mbi Adriatik, dhe Apoloninë në jug, domethënë në derdhjen e Vjosës. Duke folur për këtë rrugë që ai duket se e ka përshkuar, Straboni i emërton Epirotë kombet ose fiset shqiptare që ajo kishte në të djathtë, dhe Ilirë ata që kishte në të majtë. Në jug ishin malet e Kandavisë, dhe në veri malet ilirjane. Në ditët e sotme thuhet Gegët në veri dhe Toskët në jug. Ciceroni është një nga personalitetet më të shquar që ka përshkuar Rrugën Egnatia. I përndjekur nga Klaudi, të cilin e vrau Miloni më vonë, ai u kthye në Selanik, ku qe dëshmitar i orgjive të Pizonit dhe trupave të tij greke. Por rrethanat po ktheheshin në favor të tij, kështu që ai la Selanikun, iu afrua Romës, dhe u vendos në Durrës deri në ditën kur një senatus-consulte i dha fund ekzilit të tij. Kishte shpërthyer lufta civile midis Pompeut dhe Çezarit dhe përreth Dyrrahut u zhvillua beteja e parë. Falë pozicioneve që kishte zënë dhe përgatitjeve të kohëzgjatura, Pompeu arriti këtu të parën fitore. Por, në vitet në vazhdim, ai humbi një betejë vendimtare në Farsala të Thesalisë (9 gusht 48 para Kr.).
    Çezari kishte rrjeshtuar, megjithatë, veçse 22 mijë legjionarë dhe 1000 kalorës, kundër një këmbësorie të dyfishtë në numër, dhe një kalorësie shtatë herë më të madhe. Por, qysh prej dhjetë vitesh, trupat e tij jetonin nëpër çadra. E paktë në numër, ushtria e tij kishte epërsi në disiplinë dhe në përkushtimin ndaj prijësit. Mbi të gjitha, ai kishte një pararojë të pakrahasueshme ose legjionin kelt, që e bëri Çezarin sundimtar të Romës dhe zot të botës. Më vonë, Çezari u vra (viti 44), por, Oktavi, nipi i tij, dhe Antoni, një nga gjeneralët e tij më të mirë, ndoqën vrasësit dhe i shpartalluan në Filipe (42 para Kr.). Shumë shpejt shpërtheu një luftë e re, -ishte e treta midis Oktavit dhe Antonit, pasi ky i fundit i kishte lënë të motrën. Një betejë vendimtare u zhvillua në Epir, dhe fitorja mbeti në anën e nipit të Çezarit të madh (31 para Kr.). Pra, në Maqedoni, -në fillim në Thesali e më vonë në Filipe, -e, më në fund, në Epir, ishte caku ku u vendos fati i botës në tre variante të ndryshme. Pas Filipesë, Oktavi kishte qënë i pamëshirshëm: koka e Brutit u pre dhe u vendos në Romë nën këmbët e statujës së Çezarit. Pas Aktit, ai u tregua zemërbutë: -askujt prej robërve që kërkuan tu falej jeta, nuk iu refuzua kërkesa. Në Ilirinë e Epërme (Dalmaci dhe Myzi) u zhvilluan luftime të shumta midis ithtarëve të Pompeut dhe të Çezarit. Ishte veçse një rrjedhojë e luftës civile, dhe përplasja ndodhte Romak me Romak. Por, në kohën e Augustit, vendi u rebelua dhe u derdh mjaft gjak në rrethimet e qyteteve Andretium dhe Arduba. Tiberi, i cili u ngarkua të nënshtronte kryengritësit, thirri Baton, prijësin e tyre, dhe e pyeti se cili ishte shkaku që i kishte shtyrë të ngrinin krye.
    “Sepse -iu përgjigj me guxim Batoja, -ju vini ujqërit të ruajnë kopenë, në vend që t’ua besoni kopenë barinjve”.

    Shënime:
    -Klaudiana (Klodiana) -qendër e lashtë pranë Peqinit të sotëm, stacion rrugor ku takohen dy degëzimet e rrugës Egnatia,
    e Durrësit dhe e Apollonisë.
    -Pilon -Diavat -qytet në juglindje të liqenit të Ohrit.
    -Barnus -qytet në Maqedoninë jugperëndimore (theksojmë këtu se me Maqedoni, nënkuptojmë konceptin e vjetër
    gjeografik në kufijtë e Thesalisë, të Egjeut dhe Thrakisë, dhe jo konceptin politik të sotëm).
    -Heraklea -Manastiri i sotëm; Edesë (Vodena) -në Maqedoninë jugore.
    -Pela -qytet në Maqedoni mbi gjirin e Selanikut, kryeqyteti i Maqedonisë prej 400-168, e quajtur dhe Dioklecianopoja.
    -Ponservili -stacion rrugor në lindje të Tre Tabernave, stacionit rrugor pranë Qukësit.
    -Skampin -qytet i lashtë pranë Elbasanit.
    -Farsala -qytet në jug të Thesalisë.
    -Filipè -qytet në kufijtë e Maqedonisë dhe Thrakës, në lindje të Selanikut, pranë detit Egje.
    -Akti -liman në Epir në gjirin e Ambrakisë, ku u zhvillua beteja e famëshme detare mes Oktavianit dhe Antonit në
    vitin 31 p.e.s.
    -Arduba (Arduha) -kështjellë në veri të Dalmacisë.
    -Andretium -qytet i lashtë në Dalmaci, në veri të Salonës.
    -Myzia -krahinë ilire mbi Dardaninë, afërsisht në territoret e Serbisë së sotme.

  12. #12
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 9


    Epoka kristiane


    Atëkohë u vendos një heshtje e thellë në të gjithë universin, dhe, në mes të kësaj heshtjeje të thellë, lindi Jezu Krishti, paqëtori më i madh i popujve dhe i shpirtërave. Vetë Augusti e ndihmoi, pa e ditur, në vënien në jetë të dekreteve hyjnore. Profetët kishin thënë se Mesia, shpresa e popujve, kishte lindur në Betlehem. Regjistrimi i popullsisë, i urdhëruar nga perandori i madh, e detyroi Jozefin dhe Marien të shkonin atje. Mbretërimi i demonit do të pasohej nga perandoria e Jezu Krishtit dhe e Kishës së tij. Megjithatë, Augusti donte të përjetësonte kujtimin e fitores së tij. Ai e rrethoi me mure të fortë vendin ku ai kishte shtrirë fushimin e tij në Akti, duke ngritur ndërtesa të hijëshme dhe duke ua dhuruar ato një pjesë banorëve të Ambrakisë, dhe të tjerat banorëve të shumë qyteteve epirote që luftërat e mëparëshme i kishin shkatërruar. Në kohën kur Straboni viziton Nikopojën, popullsia e këtij qyteti ishte e shumtë në numër dhe tregëtia e saj lulëzonte. Nipi i vogël i Augustit dhe djali i vogël i Antonit, Germaniani, përfitoi nga çasti kur riparoheshin aty anijet e tyre, për të parë Nikopojën. Ai e vizitoi atë në tërësi, si dhe kampin e të mundurve dhe monumentet e ngritura nga ngadhënjyesi. Dhe kjo ishte për të - thotë Taciti -një ndijim i dyfishtë gëzimi dhe dhimbjeje. Krishtërimi u predikua këtyre anëve nga një prej apostujve më të mëdhenj. Shën Pali na bën me dije se ai vetë kaloi në Nikopojë, në dimër të vitit 64, dhe se dha një pritje në Shën Tite (Letra 3. 12). Në këtë kohë, vetë apostulli kishte predikuar tashmë Ungjillin në Maqedoni, sidomos në Filipe, Selanik dhe në Bereja (Veria). Letra që ai i shkroi nga Roma banorëve të Filipesë, dhe dy letra që ai shkroi nga Korinti banorëve të Selanikut, figurojnë midis librave të Testamentit të Ri.
    Ky apostull ishte në Azinë e Vogël, kur një ëngjëll iu shfaq në formën e një plaku, dhe e ftoi të kalonte në Maqedoni pasi tashmë populli ishte i gatshëm të priste lajmin e ri.
    Në letrën e tij shkruar Romakëve (15. 19), Shën Pali thotë se ai kishte predikuar Ungjillin deri në Iliri, por nuk dihet nëse ai ka kaluar nëpër Maqedoni apo nëse ka ardhur nga Adriatiku. Pasi u kishte predikuar Ungjillin popujve të Skithisë, Ilirisë dhe të Epirit, Shën Ndreu vdes në Patra. Për ti dhënë rëndësi e për të çoroditur të paditurit, patriarkët e Kostandinopojës ia atribuan këtij apostulli themelimin e qytetit të tyre. Nestori ia atribuoi atij edhe themelimin e selisë në Kiev. Pohime të tilla nuk i qëndrojnë dot kritikës, por është e vërtetë se vëllai i Shën Pjetrit predikoi Ungjillin në Bizanc. Vetëm Grekët e bënë atë të harronte atë çka kishte dëgjuar prej Jezu Krishtit ti thoshte Shën Pjetrit, dhe të bënin Prodromin ose Gjon Pagëzorin e një Foti. Aristarku, i martirizuar në kohën e Neronit, është i pari ipeshkv që ne gjejmë në Selanik. Por, me sa duket, ky qytet nuk duhet të ketë pasur vikarë apostolikë përpara Shën Askolit, të cilin e shohim të pagëzojë perandorin Teodori i Madh. Shën Dimitri ishte martirizuar këtu në kohën e Dioklecianit, në vitin 307. Heliodori, i pari ndër ipeshkvët që e gjejmë në Nikopojë, nënshkroi letrën e shkruar për kishat nga koncili i Sardikës ose Sofias. E njëjta letër ishte nënshkruar, po ashtu, nga Paregori, i pari ipeshkv që e gjejmë në Shkup. Në Shkodër ne nuk gjejmë ipeshkvë para Basit (fundi i shekullit të katërt), dhe Dyrrahu, që duket se ka qënë i drejtuar nga ipeshkvi Apolon, në kohërat apostolike u ngrit në metropoli vetëm në shekullin e pestë. Ipeshkvi Shën Ast, Peregrini, e shumë të tjerë, vuajtën mjaft aty nën Trajanin. I dëbuar nga Roma prej Domicianit, bashkë me filozofët e tjerë grekë, Epikteti u tërhoq në Epir, dhe qëndroi këtu deri sa ishte gjallë ky perandor (v. 90-96). Megjithatë, perandori Adrian e vlerësonte shumë atë. Por Lukiani tallet me një njeri që pagoi tre drahme për llampën që përdorte Epikteti. Blerësi kishte besuar se, duke punuar nën dritën e kësaj llampe, ai merrte nëpërmjet saj dijet e ish zotëruesit të saj. Përveç kësaj, filozofia e Epiktetit ishte ajo e filozofëve idhujtarë. Një i krishterë nuk i jep shumë rëndësi, meqënëse ka në Ungjill dhe në shembujt e shenjtorëve, parimet e mira dhe modelet më të larta.
    Papa Eleuteri, që mbajti mbajti selinë papnore nga viti 177 deri në 186, ishte nga Nikopoja. Atij iu kërkua nga një mbret i Anglisë të bëhej i krishterë. Për atë dhe gjithashtu për parardhësit e tij, Shën Ireneu, arkipeshkv i Lionit na jep këtë dëshmi:
    -Prej këtyre Papëve na është ruajtur tradita dhe predikimi apostolik. Duket qartë se besimi i madh fetar i këtyre ipeshkëve është i njëjtë me atë të apostujve, dhe se na është përcjellë prej tyre me të gjithë pastërtinë e tij. Nikopoja u rimëkëmb nga perandori Julian rreth vitit 361 pas Kr. Pallatet e saj - thotë Mamert -u shembën një kohë nga të gjitha anët, portikët e saj nuk kishin më çati, ujësjellësit nuk sillnin më ujë, dhe lojrat e tyre publike, të krijuara nga Augusti, e të hedhura poshtë nga të krishterët, nuk tërhiqnin më njeri aty. Nikopoja ishte pushtuar dhe plaçkitur nga Xhenseriku, në vitin 475. Ambasadori grek iu ankua atij duke e cilësuar si një akt armiqësie, dhe Xhenseriku u përgjigj:
    -”Kisha të drejtë të veproja atëhere si armik. Tashmë, ju më propozoni paqen, unë jam gati të mirëkuptohem me ju”.
    Nikopoja u rrënua, gjithashtu, edhe nga mbreti i Gotëve, Totila, në vitin 542. Flitet se qyteti u shkatërrua edhe nga ardhacakët bullgarë të vitit 933. Kedreni shkruan se, vetëm duke qënë të detyruar të linin Bullgarinë, ithtarët e një farë Mikeli gjetën aty strehë. Qyteti u mor nga Dolioni më 1040, -shton Kedreni. Shkatërrimi i Nikopojës, pra, ishte ose vepër e kohës, ose e Grekëve. Nikopoja, për një kohë të gjatë, ishte metropolia e gjithë Epirit. Roli që luajtën ipeshkvët e saj ishte nga më të nderuarit. Ne gjejmë Heliodorin në koncilin e Sardikës, Donatin në atë të Efesit, Atikun në atë të Kalkedonisë. Eugjeni jetoi nën perandorin Zenon, Alkizoni nën Anastasin, Danieli nën Leon Dijetarin. Kur në shekullin e 12-të, Nikopoja ishte shkretuar, qoftë për shkak të Saraçenëve të Kartagjenës, qoftë prej shkaqesh të tjera, të drejtat e saj të metropolit i kaluan në fillim Naupaktit (Lepanto), në vijim Artës, e më tej Janinës.
    Por çfarë ndryshimi midis ipeshkëve të Janinës dhe atyre të Nikopojës. Për të mos u kthyer më në këtë qytet, le të themi më së fundi se, në vitin 1792, një konsull i Francës, M. dë Lasal, u vra atje nga një ushtar i kapedan Lepeniotit, dhe se, në vitin 1798, një trupë prej 280 francezësh u zhduk në këto rrënoja të vjetra, pasi luftoi aty shumë ditë kundër forcave 20 herë më të mëdha të Ali Tepelenës.
    Ata që mbijetuan -thotë Pukëvili -u dërguan në Janinë, të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilat ua kishin rrjepur për së gjalli.
    Nga goja e tyre, Pukëvili mësoi vuajtjet e pësuara gjatë robërisë në Shtatë Kullat e Kostandinopojës. Por, sa mizorisht e kanë pësuar Suljotët dhe Prevezasit tradhëtinë e tyre ndaj francezëve.


    Shënime:
    -Nikopoja -qytet në Epirin e vjetër, Preveza e sotme.
    -gjendja e dyfishtë e Germanianit -Duke qënë nipi i Augustit dhe i biri i Antonit, duhej të përjetonte ngadhënjimin e
    të parit dhe humbjen e të dytit, në betejën e njohur të Aktit.
    -Bereja -Veria e sotme, qytet mbi gjirin e Selanikut, në jug të Edesës.
    -Patra -qytet në bregun veriperëndimor të Peloponezit.
    -Serdika -qytet i vjetër, në Sofjen e sotme.
    -Trajani (98-117 e.s), Domiciani (81-96), Adriani (117-138), Juliani (361-363) -perandorë romakë.
    -Epikteti -filozof stoik i shekullit I, lindur në Frigji.
    -Lukiani -shkrimtar i lindur në Siri (125-192).
    -Kedreni -autor bizantin me Përmbledhje historish për mesjetën.
    -Totila -mbreti i Ostrogotëve (541-552).
    -Xhenseriku (428-477) -mbreti i parë i Vandalëve që u instaluan në Afrikën Veriore.
    -Efes -në veriperëndim të Azisë së Vogël; -Kalkedonia -në Azinë e Vogël.
    -Zenoni (474-491), Anastasi (491-518), Leon Dijetari (866-912) -perandorë romakë të Lindjes (Perandorisë Bizantine).

  13. #13
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 10



    Romanizimi i Ilirisë


    Në shekullin e katërt para Krishtit, historianët grekë quanin Iliri bregun lindor të Adriatikut, që prej kreut të këtij deti në veriperëndim, deri në malet Arokeraune në jug, ku fillonte Epiri. Në brendësi të tokës, Iliria shtrihej deri në Sava në verilindje, dhe në lindje deri në degën e Drinas midis Bosnjës e Serbisë. Mali Skardus i ndante më tej, nga Maqedonia dhe Traka.E përshkuar nga verilindja dhe juglindja nga zgjatimi i Alpeve Juliane, ajo ishte e pasur me ishuj, strofulla të piratëve, dhe ndahej nga tre lumenj kryesorë: Kerka ose Tatius që derdhet në det në Skardona, Narenta ose Naro, dhe Drini jugor ose Drilo. Iliria jugore përfshihej midis Drinit dhe maleve Akrokeraune. Roma fillimisht pushtoi vetëm Ilirinë jugore, Maqedoninë dhe Epirin. Pushtimi i Ilirisë veriore ishte vepër e Oktavit para betejës së Aktit. Por, këtu, është me rëndësi të përmendim atë çka vë në dukje Apiani.
    -”Romakët -thotë ky autor -nënkuptonin me emrin e përbashkët të Ilirëve, jo vetëm Dalmatët dhe fiset fqinje, por edhe Panonët, Myzët, dhe të gjithë popujt që gjendeshin në të djathtë të rrjedhës së poshtëme të Danubit. Unë nuk kam arritur të zbuloj -shton historiani i lartpërmendur -se kujt i ka lindur kjo bindje. Por, padyshim, kjo dëshmohet në ditët e sotme, dhe tributi që paguhej prej gjithë këtyre popujve, që prej Pont Euzinës (Deti i Zi) e deri në Istria, quhet në mënyrë të përbashkët tributi Ilir”.
    Puansinjo e shpjegon emrin e përbashkët të Ilirisë si të dhënë gjithë këtyre popujve prej kthimit të Ilirikumit në dukat ose në qeverisje ushtarake. Por Desdevizi e gjen arsyen në një homogjenitet të racës, se të gjithë këta popuj ishin ilirë (Maqedonia e lashtë, fq. 59). Sidoqë të jetë, duke u bërë provincë e perandorisë së madhe romake dhe duke u shtrirë, -përfshirë këtu Maqedoninë dhe Epirin, -nga Adriatiku deri në Detin e Zi, Iliria bënte shumë më tepër një jetë të përbashkët se në të gjitha të tjerat, në Francë, në Angli, në Spanjë, në Itali. Dhe në këtë jetesë të përbashkët, ajo mori formën romake dhe pranoi zakonet që ishin krijuar në krahun lindor të qytetërimit kristian, pa intrigat antikristiane të frymës bizantine. I nisur nga viti 168 para Kr., me pushtimin e Shqipërisë, Epirit dhe Maqedonisë, romanizimi i gadishullit ilirjan u përmbush në vitin 46 të erës kristiane, me shndërrimin e Trakës në provincë romake.
    Dy elementë kontribuan për këtë: shkollat dhe legjislacioni. Me thënë të vërtetën, Roma nuk iu diktonte të mundurve, as gjuhën dhe as ligjet e saj. Por ajo ngrinte një shkollë latine në të gjitha qendrat kryesore, në mënyrë që të mund të kuptoheshin me guvernatorët, pasi guvernatorët duhet të flisnin vetëm latinisht, madje edhe në Greqi. -thotë Maksim Valeri. Roma u jepte, ndër të tjera, një legjislacion të veçantë atyre që ia kërkonin atë. Maqedonasit e morën një të tillë pasi ia kishin kërkuar Pal Emilit, dhe -thotë Tit-Livi, -”ai duket si të ishte hartuar, jo për armiq të mundur, por për aleatë që kishin kryer shërbime të rëndësishme” (lib. 4, k. 32). Ka të ngjarë që Anici të ketë përpiluar të tillë të ngjashëm për gjithë Shqipërinë, prej gjirit të Kotorrit deri tek ai i Ambrakisë.
    Por për të respektuar zakonet kombëtare, Roma i jepte emrin e qytetarit romak kujtdo që e meritonte atë. Ka të ngjarë që, qysh në kohën kur perandori Karakala e shtriu të drejtën e qytetarisë romake në të gjithë qytetarët e perandorisë, zakonet vendase duken se shfuqizohen në parim (viti 211-217). Sidoqoftë, romanizimi tashmë kishte vepruar aq shumë në Iliri mbi elementët kombëtare të cilët përbënin vendin, dhe kishte arritur ta bënte atë, falë krishtërimit, një vend pothuaj aq homogjen, saqë Konstantini i Madh i ktheu krahinat ilire në një shtet të dallueshëm, të udhëhequr nga nipi i tij Dalmati. Kush ishte ai që shfuqizoi urdhëresat testamentare të perandorit të madh? Fraksioni helen i lidhur pas arianizmit dhe që ishte i gjithëpushtetshëm në atë kohë. Ky fraksion veproi kundër vullnetit të Konstantinit. Dalmati që kishte ardhur në Kostandinopojë, u masakrua. Shtetet e këtij princi, duke ndjekur idetë e Konstantinit, duhej të krijonin një bashkësi të aftë për tu rezistuar barbarëve.
    Por të përçarë, të dobësuar, të kthyer në të paaftë të përballonin armikun, ata do të bëhen pronë pasi kishin qënë prè e tyre. Qëllimi ynë nuk është të ripërshkruajmë tallanditë e dhimbshme të gadishullit ilir në kohën e dyndjeve barbare. Por, kjo është një pikë mbi të cilën, sot më tepër se në çdo kohë tjetër, është e rëndësishme të krijohet një mendim i qartë. Si ndodhi në të vërtetë, që në Romania (provincat ilirjane), nuk ndodhi ashtu si në Francë, në Itali, në Spanjë, madje edhe në vetë Anglinë? Me fjalë të tjera, si ndodhi që sllavizmi mbizotëroi këtu mbi romanizmin? Cili ka qënë shkaku? Pafuqia e Grekëve dhe fryma e tyre përçarëse. I vendosur në Bizant në qendër të romanizmit, helenizmi i mori emrin, por nuk kreu veprat e tij. Në vend që t’i përmbahej vendimeve të paevokueshme të koncilëve ekumenikë, dhe të linte pushtetin civil të përqëndronte vëmendjen e tij në mbrojtjen e kufijve, ai e ktheu pallatin perandorak në një arenë teologjike. Dhe është diçka që bie në sy se, pikërisht në ato kohë kur kufiri ishte më i kërcënuar se kurrë, dhe kur krahinat ilire pësonin shkatërrimet më të rënda nga Gotët, Hunët, Avarët, -Grekët ziheshin me më shumë tërbim. Me një fjalë, në momentin kur krahinat binin njëra pas tjetrës në duart e barbarëve, ata bënë saktësisht atë çfarë do të bënin edhe në çastin kur Turqit pushtuan Kostandinopojën (Studime historike mbi Vllehët e Pindit, fq. 213-214).


    Shënime:
    -Skardus (Skardi) -malet e Sharrit, në veriperëndim të Shkupit.
    -Alpe juliane -Pjesa më lindore e alpeve që ndajnë Istrinë nga Panonia. Nëpër këto alpe kalonte rruga nga Emona
    (kryeqendër në veriun dalmat) në Akuila që lidhte Italinë me Ilirikun.
    -Kerka ose Tatius -në veri të Dalmacisë.
    -Skardona -qytet i Liburnisë, në qendër të Dalmacisë, mbi Salona.
    -Narona (Narenta) -qytet buzë lumit Narenta, përballë ishujve dalmatë, në veri të Malit të Zi.
    -Apiani -historian i lindur në Aleksandri të Egjyptit, (fundi i shekullit I-170 e.s.), autor i “Historia Romake”
    (Luftërat civile), ku jepet kuptimi i Ilirisë në këndvështrimin romak.
    -Valeri Maksimi -shkrimtar romak i fillimit të shekullit I, autor i “Ngjarje e thënie të shënuara”.
    -Karakala -perandor romak (211-217), djali i Septim Severit.
    -Dalmati -M.A.Probi i lindur në Sirmium (qytet në Myzinë veriore, mbi Sava), perandor romak (276-282).
    -Grekët -ky përcaktim nuk është për grekët si kombësi, por për fraksionin kundër Konstantinit që krijoi ndarjen e
    perandorisë prej sektit arianist.

  14. #14
    i/e regjistruar Maska e cool_shqype
    Anëtarësuar
    30-05-2007
    Vendndodhja
    jetoj me lemoshat e nanes natyre
    Postime
    1,024
    Pune E Shkelqyer...

  15. #15
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 11


    Legjionet ilire dhe perandori Sever
    Protesta e tyre kundër shitjes së perandorisë nga pretorianët



    Perandori Sever nuk ishte aspak shqiptar nga prejardhja, por ai komandonte legjionet ilire në kohën kur, apo pasi kishin therur Pertinaksin, rojet perandorake i shitën perandorinë romake Ded Julianit me një çmim prej 6.250 drahmesh për ushtar. Senati, duke mos patur pushtet, e lejoi këtë, por një pazar i tillë shkaktoi zemërimin e të gjithë legjioneve romake. Ato të Anglisë shpallën perandor gjeneralin Albin, ato të Sirisë Peçen Negrin, dhe ato të Ilirisë Septim Severin. Tashmë legjionet ilire rekrutoheshin veçanërisht në Shqipëri dhe në Maqedoni. Për të mos nxitur ambicien tek kolegët e tij, Severi nuk dëshironte që ta merrte vetë funksionin perandorak. Ai priti që t’ia impononte ushtria e tij. Vetëm se -thotë Herodiani (libri 2), -ai fitoi bindshëm kundër gardës pretoriane. Midis të tjerash, ai e akuzoi atë (gardën) se kishte masakruar Pertinaksin pasi i ishte betuar për një besnikëri të shenjtë, dhe ai do donte që një burrë energjik të hakmerrej për vdekjen e tij dhe të vendoste nderin e perandorisë. Dhe këto fjalë -shton Herodiani -iu erdhën për shtat ushtarëve të Ilirisë, të cilët kishin shërbyer nën Pertinaksin në kohën e Mark Aurelit, dhe kishin admiruar dashurinë e tij ndaj ushtarëve, po aq sa edhe guximin e tij. Duke parë tek ata nderimin e thellë për Pertinaksin dhe mllefin ndaj atyre që e vranë, Severi shfaqej mospërfillës ndaj gjithçkaje tjetër, përveç hakmarrjes aq të dëshiruar prej ushtarëve.
    Ushtarët e besuan -thotë Herodiani -pasi, aq sa ishin shtatviganë dhe turreshin sypatrembur nëpër luftime, po aq pak ata ishin të aftë të kuptonin ndjenjat e vërteta të atyre që i rrethonin. Plotësisht të bindur se Severi nuk mendonte aspak për lartësimin e tij, ata u dhanë me shpirt pas tij, dhe e shpallën perandor.

    “Nuk e prisja kurrë -u përgjigj Severi -ta shihja veten në këtë vend ku më kini ngritur. Lidhja me sovranët e mi të ligjshëm më kishte penguar të pretendoja për diçka të tillë, por pasi ju ma ngarkuat si detyrë, as ju, as unë, nuk duhet ta lëmë perandorinë për një kohë të gjatë në këtë llum.
    Qortimet që mund të bëheshin për Komodin, nuk mund ti adresoheshin Pertinaksit, këtij plaku, vlera dhe urtësia e të cilit do të mbeten përgjithnjë në kujtesën time.Pretorianët, jo vetëm që guxuan të ngrenë duart e tyre të mallkuara mbi të, por, për më tepër, ata nuk patën turp të shisnin me çmim poshtërues një perandori që shtrihej tejetej, mbi tokë e mbi det. Po aq sa janë të poshtër, aq më pak janë për tu pasur frikë. Këta janë ushtarët e paradës e të ceremonisë. As për nga guximi, as për nga numri, ata nuk krahasohen dot me ju.Në të vërtetë, ju jeni, ju, të mësuar të shihni armikun përballë, të duroni marshimet më të gjata, të qëndroni të paepur karshi të ftohtit dhe vapës, etjes dhe urisë, e të kapërceni lumenjtë e mbuluar nga akujt. Përkundrazi, kohortat pretoriane, të zhytura mes luksit dhe qejfeve të Romës, nuk do të dijnë t’i bëjnë ballë pranisë suaj”.

    Sapo mbaron këtë fjalim, ai niset drejt Romës. Kudo tmerri i paraprinte shfaqjes së ushtrisë së Ilirisë. Vetë pretorianët dalin përpara pa armë. Duke i rrethuar me legjionet e tij, Severi nisi t’i qortojë për vdekjen e Pertinaksit dhe për pazarin e turpshëm me Dedin. Ai iu hoqi flamujt ushtarakë, dërmoi kohortat e tyre, dhe theu mbrojtjen e tyre në rrethinat e Romës. Kështu ra, në sajë të legjioneve ilire, kjo gardë turbulluese, prej jeniçerësh të vërtetë otomanë dhe strelicësh të vërtetë rusë. Fillimet e saj ishin të errëta, dhe ajo do të mbaronte duke përvetësuar të drejtën për të shitur perandorinë në ankand.

    Shënime:
    -Septim Severi -perandor romak (193-211).
    -Pertinaksi -perandor në vitin 193, zëvendësoi Komodin, por u vra po atë vit nga garda pretoriane.
    -Ded Juliani -rival i Septim Severit, me origjinë siriane.
    -Mark Aureli -perandor romak (161-180).
    -Komodi -perandor romak (180-192), djali i Mark Aurelit.
    -Herodiani -shkrimtar me prejardhje nga Siria (shekulli II-III e.s.), shkroi për historinë e Romës pas vdekjes së
    Mark Aurelit.

  16. #16
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 12


    Shën Gaji, Shën Donati dhe Shën Askoli – filozofët paganë – ndarja e perandorisë romake



    Shqipëria e jugut (Epiri) i pati dhënë një papë Kishës Katolike. Shqipëria veriore i dha një tjetër. Ne dëshirojmë të flasim për Shën Gajin, nipin e perandorit Dioklecian, që për 12 vjet (283-296) mbuloi drejtimin e selisë së Shën Pjetrit. Një Shqiptar, pra, gjendej në krye të Kishës, në të njëjtën kohë kur xhaxhai i tij ishte në krye të perandorisë. Tashmë, fakti që nipi i perandorit Dioklecian ishte papë, dhe se gruaja e tij Priska dhe e bija e tij Valeria ishin të krishtera, dëshmon bindshëm se numri i të krishterëve duhet të ketë qënë i madh në oborrin e tij, dhe se ai vetë pak rëndësi do ti ketë kushtuar paganizmit. Por, duke mos qeverisur dot vetëm, ai u rrethua nga njerëz që e detyruan të përndiqte kristianizmin. Ky ishte shkaku fillestar i gabimeve që e bënë të urryer kujtimin e tij. Midis tjerash, thuhet se ai shpresonte të bënte për vete Galerin, duke e martuar me Suzanën, mbesën e Papa Gajit. Por, meqë pati bërë betimin e virgjërisë me duart e papës, xhaxhait të saj, Suzana refuzoi dorën e Galerit. Dhe kjo solli si rrjedhojë urrejtjen e skëterrëshme kundër të krishterëve që dallojmë tek Galeri. Valeria, e bija e Dioklecianit, u detyrua atëhere të martohej me Galerin dhe të hiqte dorë nga kristianizmi. Por sa fatmjerë ishte ajo pas kësaj! Të arratisura për një kohë të gjatë, dhe të kërkuara më kot prej Dioklecianit, Valeria dhe Priska përfunduan të fshehura në Selanik. Por Licini, duke zbuluar strofkën e tyre, i detyroi të hidheshin në det. A e kish parashikuar se, ai vetë bashkë me të birin e tij, do të vriteshin po aty, më pas, nga Konstandini i Madh?
    Dy filozofë të Epirit, Prisku dhe Hifikli, luajtën një rol të madh në oborrin e Julianit. Në kohën e Valentinianit, Prisku u akuzua për magji. Por doli i pafajshëm dhe u dërgua përsëri në Epir, ku vdiq nga dhimbja prej lajmit se tempulli i Eleuzisë, ku idhujtaria ishte e mbrojtur si në një fortesë, ishte përmbysur nga Alariku (v. 396). Hifikli, filozofi tjetër i Epirit, por filozof cinik, kishte qënë, gjithashtu, mik i afërt me Julian Apostatin. I ngarkuar prej Epirotëve të shkonte në oborrin e Valentinianit për ti bërë lëvdata guvernatorit Probi, ai e teproi kaq shumë, saqë Valentiniani e pyeti nëse lëvdatat e tij ishin vërtet të sinqerta. “Madhëri, -iu përgjigj Hifikli -midis zhvatjeve që na bëjnë të rënkojmë, lëvdata që Probi shkëput prej nesh, është ajo që na kushton më pak”.
    Duke mësuar më pas, se të gjithë Epirotët e shquar që ai kishte njohur, ishin vrarë ose më tepër kishin kërkuar strehë përtej detit, Valentinianit i hipi një zemërim i madh, pasojën e të cilit Probi do ta kishte ndjerë patjetër, nëse Valentiniani nuk do kish vdekur nga një tërbim edhe më i madh (v. 375). Në momentin kur, prej filozofisë së tyre të vjetëruar, Prisku dhe Hifikli nderonin në Epir paganizmin që po jepte shpirt, Donati, ipeshkvi i Evorit, nderonte atje kristianizmin në sajë të virtyteve të tij të pashembullta. Autorët thonë se kryheshin shumë mrekulli në varrin e tij. Donati rrojti deri në kohën e perandorit Teodos. Nuk dihen as koha e as hollësitë e vdekjes së tij të mirësishme. Në po atë periudhë, kur Shën Donati e bënte shembull Epirin me virtytet e tij, Shën Askoli lartësonte të gjithë Ilirinë me të tijat. Shën Askoli ishte me origjinë nga Kapadokia dhe mik i veçantë i Shën Bazilit të Madh. Duke patur frikë se mos ngjitej në fronin episkopal, ai u arratis në Akai. Aty ai ishte murg kur u zgjodh për selinë e Selanikut. Një zgjedhje e tillë ishte mëse e pranueshme për Papa Shën Damazin, aq sa ai i besoi atij dhjetë krahinat që krijonin në atë kohë vikariatin e Ilirisë dhe që përfshinte, ndër të tjera, të gjithë Shqipërinë.
    Duke qenë i sëmurë në Selanik, Teodosi i Madh e thërret Askolin dhe e pyet nëse ishte arian apo katolik. Katolik, -u përgjigj Askoli -dhe, falë Zotit, e gjithë Iliria ka ruajtur të paprekur besimin e Nikesë, pavarësisht ndonjë intrige që u përdor për ta shtyrë atë drejt humbjes së këtij besimi. I kënaqur pamasë nga kjo përgjigje dhe nga ky takim, Teodosi lejoi pagëzimin, dhe, i shëruar pas pak ditësh, shpalli besimin cunctos populos, ku iu ndalohej heretikëve të merrnin emrin e katolikëve (v. 380). Një vit më parë (v. 379), u realizua ndarja midis perandorëve Gracian dhe Teodos. Për këtë duhet besuar Le Bo (lib. 20, k. 44), se Graciani i la Teodosit Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa Selaniku do të bëhej kryeqyteti i Ilirisë lindore. Dhe në Epir u tërhoq Alariku, pasi kishte plaçkitur Greqinë në vitin 396. Ai qëndroi aty fillimisht tre vjet, dhe, më pas (v. 405), kaloi dimrin në të, duke pritur të vinte Stilikoni e ta ndihmonte për të pushtuar Ilirinë. Por, meqë Stilikonin e kishin vrarë, ai kaloi në Itali, dhe atje plaçkiti Romën (v. 410).
    Përpara se të vdiste, Konstandini i Madh e pati ndarë perandorinë tepër të madhe të Romës, midis tre bijve dhe dy nipërve të tij. Pjesa e Dalmatit përbëhej nga Maqedonia dhe Shqipëria në qendër, në jug nga Greqia dhe ishujt, në lindje nga Thraka, dhe në veri nga Dakia. Me trupat dhe burimet e një shteti të tillë, Dalmati mund të ndalte barbarët e veriut, dhe kjo ishte pikërisht ajo çka dëshironte Kostandini. Por ai u vra prej fraksionit greko-arian, dhe përherë, që prej asaj kohe, kufiri i vendit mbeti i hapur ndaj sulmeve barbare. Të bashkuara sërish me në krye Teodosin e Madh, të gjitha krahinat e perandorisë u ndanë përfundimisht midis dy bijve të tij: Arkadit dhe Honorit. Rodopet në jug, Eski (Iskra, lumë i Sofjes) në veri, shërbyen si kufij për dy perandoritë. Maqedonia dhe Shqipëria, Greqia dhe Dakia (bullgaro-serbe) i përkisnin perandorisë së Perëndimit. Duke mos patur guxim t’ia hiqte këto krahina oborrit të Milanos, ku kishte selinë Honori, oborri i Bizantit i la ato të shkatërroheshin nga Alariku, prijësi i Gotëve (v. 396). Stilikoni vrapoi në ndihmë të tyre. Gotët u shtypën në Epir kur, për të shpëtuar Alarikun, Bizanti e shpalli atë komandant të ushtrisë. Të sulmoje atëhere atë ishte si të fusje në një luftë vëllavrasëse të dy perandoritë. Stilikoni parapëlqeu të kalonte përsëri në Itali. Që prej asaj kohe, dhe pa asnjë të drejtë, Shqipëria dhe Maqedonia, Greqia dhe Dakia, iu aneksuan perandorisë së Lindjes (v. 405).

    Shënime:
    -Diokleciani -perandor romak ((284-305), me origjinë ilire nga Salona, reformator vendosi tetrarkinë, ndau perandorinë
    në dy dioqeza. U shoqëruan në perandori nga Maksimiani dhe dy çezarë (Konstanc Klori dhe Galeri).
    -Galeri -perandor romak (293-311), dhëndrri i Dioklecianit.
    -Julian Apostati -perandor romak (361-363), nipi i Konstantinit, u shkëput nga kristianizmi dhe iu kushtua paganizmit.
    -Valentiniani I-perandor romak (364-375), me origjinë ilire nga Panonia, u shoqërua nga Valensi.
    -Valentiniani II -perandor romak (371-392), i biri i Valentianit I.
    -Valensi -perandor romak (364-378), shoqëroi vëllain e tij Valentinian I në krye të perandorisë, duke mbuluar pjesën
    lindore.
    -Alariku -mbret i Vizigotëve (395-410).
    -Evori -qytet në Epir.
    -Kapadokia -në Azinë e Vogël, qendra e perandorisë hitite, një prej vatrave të para të kristianizmit.
    -Akai -provincë në veri të Peloponezit.
    -Nikè -qytet në Azinë e Vogël (Anatoli), por edhe qytet në Lokridë në gjirin e Korinthit, si dhe qytet në Maqedoni.
    -Graciani -perandor romak (375-383), lindi në Sirmium, i biri i Valentinianit I.
    Teodosi (I Madh) -perandor romak (379-395), ndau perandorinë romake mes bijve të tij: Honorit (perandor i Perëndimit
    (395-423) i thyer nga barbarët), dhe Arkadit (perandor i Lindjes (395-408).
    -Rodope -male në Thrakë.
    -Eski (Iskra) -lumë që buron nga Rodopet.

  17. #17
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 13


    -Përpjekja e patriark Atikut mbi Ilirinë – Përgjigjia e Teodosit II drejtuar Honorit - tridhjetepesë vjet të skizmave - përgjigje e ipeshkëve ilirë - Koncilet e mbajtura në Iliri.


    Meqë Bizanti kishte rrëmbyer krahinat që Teodosi i kishte dhënë më të voglit të fëmijëve të tij, Atiku, peshkopi i këtij qyteti, nuk vonoi të nxirrte një dekret perandorak për të kaluar në tribunalin e tij gjykimet e çështjeve madhore në Iliri (v. 421). Ende prift i thjeshtë, po ky Atik kishte kontribuar më shumë se çdokush tjetër për të çuar në ekzil Shën Krisostomin, me anë të intrigave, shpifjeve dhe dëshmive të rreme të tij. Përvehtësues i selisë së Kostandinopojës, nuk është për tu çuditur që Atiku ndërmorri edhe uzurpimin e pushtetit të papës në Iliri. Megjithatë, papa kërkoi të drejtën e tij. Ai iu drejtua me një letër perandorit Honor i cili, nga ana e tij, i shkroi Teodosit II:
    “Nën perandorët kristianë -i thotë, midis tjerash, Honori -kisha romane nuk duhet të humbasë atë çka nuk e humbi nën perandorët paganë”.
    Atëhere, në një letër që ne e kemi ende, Teodosi i përgjigjet xhaxhait të tij se ai kishte dhënë urdhërat, dhe se asnjë ndryshim nuk do të bëhej në shtetin e moçëm për çështjet kishtare. Papa Siksti u shkroi ipeshkëve të Ilirisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Dardanisë dhe Greqisë, të mbledhur në Selanik (v. 435), se, në vend të Rufit që kish vdekur pak kohë më parë, ai ia kalonte juridiksionin e tij ipeshkvit Anastas. Prej kësaj letre kuptohet se ndryshimi i një vikari nuk sillte asnjë ndryshim në çështjet kishtare.
    “Me pëlqimin e Anastasit çdo metropolit do të bënte shugurimet në krahinat e tij. Por, përpara se të paraqitej një kandidat para vikarit apostolik, atij duhet ti kontrolloheshin me kujdes cilësitë dhe të metat e tij. Më së fundi, të gjitha problemet kryesore në lidhje me çështjet fetare do ti raportoheshin vikarit apostolik”.
    Në këtë periudhë nuk vërehet të ketë pasur ndryshime në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Ilirisë. Por, në Kostandinopojë ne shohim patriarkun Akas të nisë një skizmë 35-vjeçare. Ipeshkvët e Ilirisë, jo vetëm që nuk morën pjesë në asnjërin krah, megjithë ndonjë nxitje që u bëhej atyre nga Kostandinopoja, por, për më tepër, i shohim të shfaqin hapur besnikërinë e tyre ndaj selisë apostolike. Domethënë, për bindjen e tyre ndaj pushtetit që ajo mori nga Jezu Krishti me anë të figurës së Shën Pjetrit. Duke iu përgjigjur Papa Shën Gjelasit, ata thonë se kanë shmangur molepsjen kutërbuese të Akasit, të Pjetër Mongesë dhe të idhtarëve të tyre, dhe se ata do të mbeten të nënshtruar paprekshmërisht ndaj selisë së Shën Pjetrit, dhe se do të ruajnë të pacënuar besimin ortodoks, predikues i të cilit është Shën Gjelasi. Lauranti i Ohrit njofton, gjithashtu, papën se letrat e parardhësit të tij kundër Akasit dhe ithtarëve të tij, ishin lexuar në kishën e Selanikut dhe në të gjitha kishat e krahinës.
    Gjithçka ishte në paqe në kishat e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Greqisë, dhe të Dakisë, në kohën kur skizma e Akasit dhe herezia e Eutikut shpërthyen në Lindje. Dhe, ashtu si besimi mbeti i paprekur, administrimi i të gjithë kishave mbeti deri në perandorin Justinian, ai që kishte qënë gjithmonë, domethënë, në duart e një vikari apostolik. Por më vonë, Justiniani kërkoi, dhe u lejua nga Papa Shën Agapit (v. 535) dhe nga Vigjili (v. 545), që vikariati apostolik i Selanikut të ndahej midis ipeshkëve të Selanikut dhe Justinianës. Megjithatë, Justiniana, rrënojat e të cilës shihen pranë Kystendilit, u shkatërrua nga Avarët. Atëhere u desh të tërhiqej në Ohër vikaria apostolike e Ilirisë së Epërme, dhe aty mbeti deri në vitin 1767, kur intrigat fanariote ia dolën në krye ta heqin atë nëpërmjet një perandori otoman. Sa i përket vikariatit të Selanikut, ai tashmë ishte hequr që në vitin 735 nga perandori grek Leon Izauriani. Ky perandor, ikonoklast vetë, kishte ngritur një patriark ikonoklast në selinë e Kostandinopojës, dhe, për ta shpërblyer atë për apostazinë e tij, ai i dhuroi vikariatin e Selanikut, që i ishte hequr papës, si dhe ipeshkvitë e tjera që i ishin hequr Patriarkut të Antiokisë.
    Përpara se të ecim më tej, le të themi disa fjalë për koncilet kryesore të mbajtura në Iliri. Ai që mblodhi perandori Valentinian në vitin 375, dhe ku u gjendën ipeshkvët e Ilirisë, meriton të përmendet në mënyrë të veçantë. Të molepsur nga arianizmi, lindorët nuk donin aspak të pranonin Trininë e shenjtë. Sipas tyre, aq sa ka tek Perëndia persona aq ka dhe entitete: tre persona e si rrjedhim tre Perëndi. Siç shihet, ky ishte një rikthim në paganizëm. Ipeshkvët e Ilirisë e dënuan këtë herezi dhe e shoqëruan dekretin e tyre dogmatik me një letër drejtuar ipeshkëve të Azisë së Vogël dhe të Frigjisë. Vetë Valentiniani, i cili atëkohë ishte në Iliri, bashkëshoqëronte njërin dhe tjetrën me një reskript perandorak, ku ai këmbëngul për atë që, t’i jepej Perëndisë ajo çka i takon Perëndisë, dhe Çezarit ajo çka i takon Çezarit. Valensit i duhej të përkrahte vëllanë e tij. Ai pëlqeu të mbështeste arianizmin dhe t’ua diktonte atë Gotëve, të cilin Hunët e çuan përtej Danubit. Të porsa arianizuar, Gotët do të bëhen katastrofa e perandorisë, dhe aty për aty, ata do të djegin Valensin në një kasolle në afërsi të Adrianopojës (v. 378).
    Tre sinodet e tjera, që historia thotë se u mbajtën në Iliri, në vitet 415, 516, dhe në 550, nuk ofrojnë ndonjë gjë të veçantë. I pari është në lidhje me Perigenin, ipeshkv i Korintit, të cilin nuk e pranonin aspak ipeshkv në Patra, -i dyti për herezinë eutikiane, -dhe e treta për dhunimet e ushtruara nga Justiniani kundrejt Papa Vigjilit dhe Benenatit, primat i Ilirisë, në lidhje me tre kapitujt. Vetë ipeshkvët ilirë ishin të mendimit se nuk duhej ngatërruar një autor me shkrimet e tij, dhe, me fjalë të tjera, mund të jenë shkruar gjëra të gabuara dhe të jenë tërhequr më pas, dallim që perandori grek nuk e bëri dhe nuk e pranoi. Prej kësaj rrjedhin dhunimet e urryeshme kundër papa Vigjilit dhe pjesës tjetër të ipeshkëve ortodoksë.



    Shënime:

    -Eutiku -herezist bizantin (378-454), sajoi doktrinën monofiziste, të dënuar nga koncili i Kalkedonisë.
    -Akasi -(471-489), patriark i Kostandinopojës, skizmatik, i mbrojtur nga perandori.
    -Justiniana (Bederiana) -qytet në Dardani, në lindje të Shkupit.
    -Leon Izauriani -perandor i Bizantit (717-741).

  18. #18
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 14


    -Iliria nën Anastasin, Justinin dhe Justinianin –
    pritja e legatëve të Papa Shën Hormizdasit në Aulonë, në Skampin, në Ohër – shkresa 131 e Justinit.



    Ne kemi parë se perandori Dioklecian ishte nga Dioklea, për rrjedhojë Shqiptar. Perandori Anastas, po ashtu. Ai lindi në Dyrrah, në vitin 430. Prindërit e tij ishin të varfër, por ai vetë nuk dukej të ishte pa vlera. Më 491 ai u ngjit në fron nga perandorja Ariadna. Më parë ai duket se ka qënë zemërndjeshëm por, pasi u bë perandor, u soll njëlloj si të tjerët, domethënë si njeri i pafè. Qysh në fillim, -thotë Lë Bo (libri 3, k.11) -në kurriz të bashkatdhetarëve të tij, ai ngriti rreth Dyrrahut një mur mbrojtës të trefishtë, pastaj ai i detyroi provincat të jepnin në para atë çka deri tani e kishin dhënë në natyrë, për mbajtjen e trupave, në të të cilat shfaqej një rrëmujë e paanë. Më vonë, Justiniani rivendosi mënyrën e vjetër të vjeljes së taksave. Atë e akuzojnë, gjithashtu, se i ka vënë zjarrin edhe vetë akteve origjinale të Koncilit të Kalkedonisë. Por a iu dha mundësia atij që ta bënte këtë? Dy lloj çështjesh arritën të vendoseshin në këtë koncil: -çështja e besimit dhe çështja e disiplinës. Patriarkët e Kostandinopojës pranuan vendimin e së parës, por ambicia e tyre i shtyu ta refuzojnë të dytën, dhe të mos pranonin kufij mbi të. I mërzitur nga grindjet e tyre -edhe me papën, edhe me patriarkun e Aleksandrisë, -i lodhur gjithashtu nga kotësitë e përditshme, Anastasi dërgoi të merreshin aktet e koncilit dhe i flaku në zjarr. Duke ditur nga njëra anë se arkipeshkvi i Selanikut duhej të qeveriste në emër të papës Maqedoninë, Shqipërinë, Greqinë dhe Dakinë, e nga ana tjetër, duke parë se patriarkët e Kostandinopojës kishin arritur ta korruptonin atë, -ipeshkvët e Maqedonisë dhe Shqipërisë u bashkuan rreth 40 vetë, dhe, në një koncil krahinor, ata hodhën poshtë njëzëri juridiksionin e paligjshëm të Doroteut. Meqë Alizoni, Arkipeshkvi i Nikopojës, kishte vdekur në Kostandinopojë, ipeshkvët e krahinës caktuan një tjetër në vend të tij me miratimin e papës. Doroteu i tërbuar nxiti guvernatorët të përndiqnin ipeshkvët. I njoftuar për intrigat e tij, Papa Shën Hormizdas i shkroi në vitin 517:
    -”Nuk është Gjoni i Nikopojës, por jeni ju vetë që shkelni me këmbë zakonet e vjetra. Si legat i selisë eprore, ju keni padyshim juridiksionin mbi Ilirinë perëndimore, por me çfarë të drejte ju pretendoni të ruani privilegjet prej atyre, urdhëresat e të cilëve ju sot nuk i respektoni? Si guxoni ju të kërkoni një bindje ndaj një feje kur ju vetë nuk e kini? Respektoni si duhet Zotin, dhe do të merrni me lehtësi atë çka njerëzve u takon të marrin”.
    Një vit më vonë (518), Justini u ngjit në fronin e Kostandinopojës dhe solli një varg ndryshimesh në të. Me inortodoksinë e tyre, dy parardhësit e tij, Zenoni dhe Anastasi, e kishin turbulluar kishën e shtetin jo më pak sesa pesë apo gjashtë patriarkë për arsye të ambicjes së tyre. Për të qetësuar njërën dhe tjetrin, Justini iu drejtua Papa Shën Hormizdasit. Legatët e papës, të thirrur nga Justini, përshkuan Shqipërinë dhe kudo u pritën si të dërguar të Zotit. Në Aulonë pritja që iu bë atyre ishte e mahnitëshme, dhe entusiazmi i përgjithshëm. Diçka krejt tjetër ishte në Skampin (Elbasan) dhe në Lyhnid (Ohër). Në Skampin ipeshkvi Troi doli para tyre bashkë me klerikët dhe popullin e tij. Burrat dhe gratë mbanin qirinj. Ushtarët mbanin kryqe. Troi nënshkroi më pas deklaratën e ortodoksisë, të dërguar nga Roma, dhe predikoi për popullin e mbledhur në kishën e Shën Pjetrit.
    “Është e vështirë -thanë legatët, duke i shkruar papës, -të gjesh një popull me kaq përkushtim, kaq lotë, kaq gëzim”.
    Në Lyhnid pritja ishte e ngjashme me atë të Skampinit. Formulari i papës u lexua më pas në kishë dhe u nënshkrua nga ipeshkvi Teodoret. Në Kostandinopojë ai u nënshkrua nga më tepër se dymijë ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Pastaj u fshinë nga diptikët emrat e gjashtë patriarkëve: Akasi, Praviti, Timoteu, Eufemi, Makedoni dhe Timoteu, të cilët kishin turbulluar kishën. Duke shoqëruar në fillim në perandori xhaxhain e tij Justinin, pastaj duke u bërë vetë perandor, Justiniani shndërroi në qytet të shkallës së parë fshatin Taurezi, ku ai kishte lindur. Me urdhër të tij, ai u rrethua nga mure të fortë, u zbukurua me portikë, dhe u ndërtuan në të kisha të hijëshme (shih Prokopin). Si e kreu këtë punë, Justiniani i kërkoi -siç thuhet -Papa Shën Agapitit që vikariati i Selanikut të ndahej më dysh në favor të Justinianës, atdheut të tij. Shën Agapiti i mirëpriti dëshirat e Justinianit, dhe këtij perandori i dërgoi reskriptin në Katili (v. 535). Vigjili ripohoi veprën e parardhësit të tij, siç del nga shkresa 131 (v. 545), ku vetë perandori thotë pë të:
    “Arkipeshkvi fatlum i Justinianës së parë, atdheut tonë, do të ketë nën proteksionin e tij Dakinë Mesdhetare, Dakinë buzë lumenjve, Prevalitaninë, Dardaninë, Myzinë e epërme, dhe Panoninë. Ai do të shugurojë ipeshkvët e krahinave të lartpërmendura, do të jetë i shuguruar nga këshilli i tij, dhe, në hapësirën e juridiksionit të tij, ai do të jetë në vend të selisë së Romës, gjithçka në përputhje me atë që ka përcaktuar i shenjti Shën–Papa Vigjili”.

    Shënime:
    -Anastasi -perandor i Lindjes (491-518), nga Durrësi, mbrojti monofizizmin.
    -Justini -perandor i Lindjes (518-527), lindi në Bederiana (Justiniana Prima) në Dardani.
    -Justiniani I -perandor i Lindjes (527-565), lindi në Tauris në Dardani, pranë Shkupit, hartues i kodeve juridike dhe
    konstruktor i shumë qyteteve dhe fortesave në Ballkan.
    -Prevalitania -një nga ndarjet e Ilirisë në Perandorinë Romake që përfshinte trevat nga veriu i lumit Mat
    (Ardaksani i lashtë) deri në Drina (Drinosi i lashtë) në Bosnjë, me Shkodrën kryeqendër, me kufij lindor Myzinë,
    në jug me Epirin e Ri dhe në veri me Dalmacinë.
    -Prokopi -historian i shquar bizantin (shekulli V-VI) i kohës së Justinianit, autori i “Mbi ndërtimet”, “Historia e luftërave”,
    “Historia e fshehtë”. Përshkruan veçanërisht ndërtimet në Iliri.

  19. #19
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI 15


    Vargu i parë i ipeshkëve të Ohrit – Shën Gregori i Madh ngrihet kundër titullit të patriarkut ekumenik – Muhameti



    Shën Denisi është i pari i ipeshkëve të Ohrit që përmend Lekyjeni në librin e tij Oriens christianus. Shën Denisi merrte pjesë në koncilin e Sardikës ose Sofias (v. 346). Ky koncil vendosi që, për të nderuar autoritetin e dhënë nga Jezu Krishti Shën Pjetrit, i duhej drejtuar papës, mëkëmbësit të tij, për të gjitha çështjet dhe hollësitë kryesore midis klerikëve. Shën Denisi, jo vetëm që nënshkruante vetë aktet e koncilit të madh, por gjithashtu, nënshkruante qarkore që ai u drejtonte gjithë kishave në favor të Shën Athanasit të madh të Aleksandrisë. Antoni është ipeshkvi i dytë që e gjejmë në Ohër. Kur arrin në Efes në vitin 449, ai rradhitet në anën e oborrit bizantin, dhe nënshkroi aktet e koncilabulave ose kaçakërisë. Por, më pas, e gjejmë nënshkrimin e tij në fund të letrës drejtuar perandorit Leon nga Sinodi i Epirit. Shën Proteri ishte vrarë në Aleksandri nga ithtarët e Eutikut, dhe, para se të vepronte kundër vrasësve, Leoni deshi të merrte mendimin e ipeshkëve. Me papën në krye, mendimi i njëzëshëm i ipeshkëve ishte që vrasësit e Proterit duhej të ndëshkoheshin. Lauranti duket se ka qënë pasardhësi i drejtpëdrejtë i Antonit. Duke ditur se Shën Gjelasi do të hipte mbi fron në selinë e Shën Pjetrit, Lauranti e njoftoi për ecurinë e letrës së Shën Feliksit, parardhësit të tij. Qarkorja e Shën Feliksit, drejtuar ipeshkëve të Ilirisë, ishte lexuar në Selanik, dhe në të gjitha kishat e tjera të vikariatit apostolik. Duke përfunduar, Lauranti kërkon edhe për vetë atë, edhe për ipeshkvët e tjerë, një përgjigje qetësuese. Përgjigja e papës është e vitit 495. Shën Gjelasi u përgjigjet ipeshkëve ilirë se “po të kishte qënë ai patriark, peshkopi i Kostandinopojës do t’u bindej jo më pak ligjeve kishtare, dhe se duhej të dënohej kur nuk i kryente detyrat e tij apo përhapte një doktrinë të gabuar, siç kishte ndodhur me shumë patriarkë grekë”. “Veç kësaj -shton papa, -sado që Akasi ta mbajë veten për patriark, ai nuk është i tillë”. Për ta bërë kishën e tyre një patriarkat, Bizantinët iu drejtuan Papa Shën Leonit, dhe Shën Leoni e hodhi poshtë kërkesën e Anatolit, të perandorit Marsian dhe të senatit. “Më në fund, -vazhdonte Gjelasi -vetë Anatoli arriti të pranojë se vetëm papa mund të lartësojë ipeshkvë të tjerë në pozitën e patriarkut”.
    Më vonë, ishte Lauranti që mbrojti fenë kundër perandorit Anastas, dhe guximin e tij e pagoi me shtatë vjet burg në qelitë e Bizantit. Aty ai edhe u paralizua. Por ndodhi mrekullia, dhe ai u shërua në kishën e Shën Kozmit dhe Shën Damianit ku qe dërguar. Me kthimin e tij në Ohër, Lauranti vdiq aty në moshën 80-vjeçare, në të njëjtin vit me persekutorin e tij (v. 518). Teodoreti duket të jetë ngjitur në selinë e Ohrit gjatë kohës së burgimit të parardhësit të tij. Ka të ngjarë, po ashtu, që ai të jetë ngritur në krye të kësaj selie nga vetë Papa Shën Hormizdasi, pasi në një letër drejtuar Shën Avitit, njërit prej ipeshkëve të Francës, Shën Hormizdasi thotë: -”Kishat e Dardanisë dhe të Ilirisë na kanë kërkuar ipeshkvë, dhe ne i kemi shuguruar atje ku ishte e nevojshme”. Në këtë kohë, Arkipeshkvi i Selanikut kishte kaluar nga ana e heretikëve, dhe kishte humbur të gjithë pushtetin që merrte prej papës. Ja përse Shën Hormizdasi ishte i detyruar ti kalonte drejtpërdrejtë në gjendje pushimi selitë ilire. Në Ohër Teodoreti priti legatët e kërkuar nga perandori Justin. Ashtu si Zoili, ipeshkvi i Skampinit, ai bëri të lexohet në kishë dhe nënshkroi deklaratën e ortodoksisë që do të nënshkruanin në Kostandinopojë 2500 ipeshkvë, priftërinj dhe murgjër. Po ashtu, në kohën e Teodoretit, vikariati apostolik i Ilirisë u nda në dysh: në atë të Selanikut dhe atë të Justinianës (Kystendil), nga papët Shën Agapit dhe Vigjil me kërkesën e Justinianit. Benenati duket se ka qënë pasues i drejtpërdrejtë i Teodoretit. I thirrur në Kostandinopojë për çështjen e tre kapitujve, domethënë për tre shkresa të Ibazit, Teodoretit të Ankirës dhe Teodoretit të Mapsuestit, Benenati duhet të jetë marrë vesh me Papa Vigjilin se nuk duhet ngatërruar një shkresë me autorin e saj. Në koncilin e Kalkedonisë, autorët e lartpërmendur u pranuan si ortodoksë, megjithëse këto vepra të shkruara prej tyre nuk ishin të tilla. Justiniani, me maninë e tij për të dogmatizuar, ngatërronte librat me vetë autorët, dhe nga kjo rrjedhin dhunimet e gjera dhe skandaloze që iu bënë Papa Vigjilit dhe ipeshkëve me urdhër të tij.
    Më në fund u mblodh një koncil (v. 553). Tre kapitujt u dënuan, por autorët e tyre u njohën për ortodoksë, siç i kishte njohur koncili i Kalkedonisë. Kateli I, vikari apostolik i Ilirisë së epërme, njihet vetëm nga reskripti i Justinianit (v. 535). Por Gjoni, një nga pasardhësit e tij, luajti një rol të madh në letërkëmbimin e Shën Gregorit të Madh. Zgjedhja e tij ishte miratuar nga perandori Maurik, dhe Shën Gregori i dërgoi atij Paliumin (v. 591). Ligjërimi i primatit ose Patriarkatit të Justinianës-Ohrit ishte kryer nga papa me kërkesën e një perandori të krishterë, dhe është patriarku grek që, në vitin 1767, i kërkon një perandori jo të krishterë suprimimin e po kësaj primatie. Cili nga këto dy akte ishte kanonik apo kundër-kanonik, i krishterë dhe jo i krishterë. Por, një suprimim kundër-kanonik dhe kundër-kristian, a mund të ketë ndonjë vlerë në sytë e të krishterëve: - Shqiptarë, Vllehë, e të tjerë?
    Sipas gjithë gjasave, arkipeshkvi primat i Justinianës e shpërnguli vendqëndrimin e tij në Ohër, qysh në vitet e para të shekullit të shtatë. Pasi, në këtë kohë, Maqedonia, Shqipëria e poshtme, Prevalitania ose Shqipëria e epërme, ishin plaçkitur nga Avarët dhe Sllavët. I vetmi pas Kostandinopojës që nuk ra në duart e barbarëve, ishte Selaniku. Vetë Epiri mund të plaçkitej nga dita në ditë. Ja përse u dërguan në Korfuz reliket e Shën Donatit. Shumë ipeshkvë gjetën strehë asokohe në Korfuz e gjetkë. Megjithëse më pas, iu dha një juridiksion mbi kishat që i kishin mikpritur ata, Shën Gregori i Madh, vendosi që ata thjesht të kishin të drejtën e strehimit, në pritje për t’u kthyer në vendet e tyre. Ekzistojnë ende letrat e Papa Shën Gregorit drejtuar ipeshkëve të Shqipërisë në lidhje me shumë çështje, e, midis tjerash, për një ligj të perandorit Maurik që ua ndalonte ushtarëve të bëheshin murgjër. Shën Gregori i porosit legatët e tij, Euzebin e Selanikut dhe Gjonin e Justinianës, metropolitët Urbitin e Durrësit, Andrenë e Nikopojës, dhe të tjerët, që të mos pranonin as në manastire, e as në administratën kishtare, punonjës civilë dhe ushtarakë për të cilët nuk jepen të dhëna. Por nga më të shënuarat dhe më të spikaturat e letrave të tij, janë ato që i përkasin titullit të ekumenikut që mori peshkopi i Kostandinopojës. Qysh prej vitit 451, këta peshkopë nuk rreshtën për asnjë çast së shkeluri mbi të drejtat e ipeshkëve dhe patriarkëve të tjerë.
    Më së fundi, donin që ata vetë të zinin vendin që Jezu Krishti ia kishte caktuar papës, në personin e Shën Pjetrit. Deri në atë kohë ata kishin shkelur herë me njërin e herë me tjetrin, tashmë ata lakmonin të zëvendësonin gjithçka. Prej kësaj buron ajo çka Shën Gregori u shkruan patriarkëve të Aleksandrisë dhe të Antiokisë, duke u thënë: -”Mos i jepni askujt një titull të gjithësishëm pasi, duke ia dhënë atë njërit, janë zhvlerësuar të tjerët dhe, nëse arrihet deri këtu, -thotë më tej Shën Gregori -ai që emërohet në këtë mënyrë do të bjerë në gabim, ashtu siç ka ndodhur me shumë peshkopë të Kostandinopojës, dhe të gjithë do të rrëzohen bashkë me të”.
    Në një nga letrat drejtuar primatit të Ilirisë, Gjonit të Justinianës, Shën Gregori kërkon që ky titull të mos i njihej as arkipeshkvit të Kostandinopojës, as kujtdo tjetër qoftë: -”Dhe kjo -thotë ai, -pasi titulli i patriarkut ekumenik, ose i patriarkut të gjithësishëm, përjashton ekzistencën e çdo patriarku tjetër. Si do të kishte patriarkë në Aleksandri, Jeruzalem, Antioki e gjetkë, nëse ky i Kostandinopojës është patriark i krejt botës”. Ky pretendim i Gjonit Agjëruesit, për të qenë i vetmi patriark në botë, ishte frut i një ambicjeje dhe i një hipokrizie djallëzore. Për këtë arsye, vetë Shën Gregori i shkruan atij: -”Ajo që më çudit është se në fillim duket se ju i jeni larguar ipeshkvisë, ndërsa sot duket se e kërkoni atë për shkak të ambicjes. Ju e shpallnit të padenjë emrin e ipeshkvit dhe tashmë doni që ta mbani vetëm ju!” (v. 595). Në këtë epokë, Muhameti, udhëheqës i muslimanizmit, ishte tashmë 26 vjeç. Shën Gregori, në shumë letra të tij drejtuar perandorit Maurik dhe të tjerëve, shihet të nxisë një ndëshkim të pashembullt për peshkopët dhe për perandorët bizantinas. Si të parët dhe të dytët, të gjithë kishin kërkuar perfas et nefas të bënin Kostandinopojën kryeqytet të botës së krishterë. Por, shumë shpejt, do të shohim se Zoti do ta bëjë atë kryeqytet të botës muslimane.


    Shënime:

    -Ankira (edhe Angora) -emër i lashtë i Ankarasë, në Azinë e Vogël, Galati.
    -Mauriku -perandor i Lindjes (582-602).
    -peshkop dhe ipeshk -kemi përdorur dy emërtesa për të dalluar ata që vareshin nga kisha e lindjes dhe ata që vareshin
    nga selia apostolike (papati i Romës).

  20. #20
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    KAPITULLI l6



    Shkatërrime në Shqipëri nga Vandalët dhe Visigotët – shqiptarët lënë ushtrinë greke – këshilli i luftës në Durrës - kështjella të ndërtuara apo të riparuara në Shqipëri – Principata Diokleate – Iliria e shkretuar nga Sllavët dhe Avarët - këndvështrimi i Pukëvilit mbi kështjellat dhe ligjet e Justinianit



    Në vitin 475, Xhenseriku, mbret i Vandalëve, duke ditur se do ti dërgohej një përfaqësi, nxiton ta parandalojë këtë, dhe dërgoi flotën e tij të plaçkiste qytetet e Siçilisë, të Italisë dhe të Epirit, midis tjerash edhe Nikopojën. Kur ambasadori grek, ankohet për këtë duke e quajtur si një akt armiqësie, Xhenseriku ia ktheu: -”Në atë kohë unë kisha të drejtën të veproja si armik. Tashmë ju më bëni propozime për paqen dhe unë jam gati ti dëgjoj ato”. Më 459, Teodoriku, mbret i Ostrogotëve, vjen në Shqipëri me të gjithë kombin e tij, dhe kërkon të vendoset këtu. Tashmë ai ishte zot i Durrësit në kohën kur e shkëmbeu këtë ngulim me një më të mirë, të cilin perandori Zenon ia ofroi në Myzi. Meqë Pelagonia (Manastiri) nuk pranoi tu jepte atyre ushqime për të shkuar në Shqipëri, ata e marrin me sulm dhe e djegin atë. Pak më herët, në të njëjtën mënyrë, ata kishin marrë dhe shkatërruar Gradskon (Stobin e lashtë). Për tu hakmarrë ndaj Bizantinëve të cilët u ndeshën me të për Italinë, Tolida, mbret i Ostrogotëve, dërgoi 300 barka me urdhërin për të plaçkitur brigjet e Greqisë. Ata zbritën -thotë Lë Bo -në ishullin e Korfuzit, e plaçkitën atë, dhe kapërcyen në kontinent (v. 551). Nikopoja, Onhezmi, dhe qytete të tjera deri në Dodonë, ndjenë mbi kurriz të gjithë tërbimin e Gotëve. Meqë po niseshin, ata shkatërruan të gjithë bregdetin shqiptar dhe zunë anije të shumta që sillnin ushqime në Salona, ku i pritnin ushtritë e Gjonit dhe të Nerseut (libri 48, k. 4).
    Po i njëjti autor na bën me dije edhe se, i pakënaqur nga Gjepidët, Justiniani iu dha Lombardëve vendbanime në Panoni dhe në Norik, madje hodhi shuma të mëdha parash që të shkonin e të vendoseshin në afërsi të Gjepidëve, matanë Danubit. Por të gjitha këto shpërblime nuk i penguan barbarët të rrënonin Dalmacinë dhe Ilirinë deri në Durrës. Emri i aleatit iu dha edhe më shumë guxim. Nëse ndodhte që të burgosurit iu shpëtonin nga duart, ata e quanin të drejtën e tyre për ti kërkuar përsëri ata.
    “Madje është vënë re -thotë Prokopi (libri 3, k. 33 dhe 34), -të kthehen në tokat tona për të rimarrë skllevërit e tyre nga shtëpitë, dhe duke i shkëputur nga krahët e prindërve të tyre”.
    Prokopi, po ashtu, na bën të ditur (Lufta e Gotëve, libri 3, k.11) se një pjesë e trupave shqiptare braktisi ushtritë greke, duke i marrë Italinë Totilës. Ata nxorrën si arsye se nuk paguheshin, se në mungesë të tyre Hunët kishin sulmuar befasishëm vendin e tyre, dhe se u kishin rrëmbyer gratë dhe fëmijët (v. 541). Një këshill lufte u mblodh në Durrës midis Belisarit dhe gjeneralëvë të tjerë, të dërguar në ndihmë të Romës që u rrethua nga Totila (v. 548).
    “Pak kohë më vonë -shton Prokopi (Lufta e Gotëve, libri 3, k. 39), -Sllavët u dyndën në të gjithë Ilirinë deri në Durrës, duke kryer të gjitha llojet e mizorive, vrasjeve, grabitjeve, dhe zhdukën një pjesë të banorëve. Ata morrën madje edhe disa kështjella që deri atëhere vlerësoheshin si të papushtueshme dhe përshkuan të gjithë vendin. Gjeneralët e ngarkuar për të mbrojtur Ilirinë kishin mbledhur 15 mijë burra dhe, megjithatë, e ndoqën armikun veç nga larg”.
    Nëse do të gjykosh përafërsisht shkatërrimet e kryera nga barbarët në Shqipëri në kohën e Justinianit, mjafton të hedhësh një vështrim në numrin e fortesave të cilat, Prokopi na thotë, se janë ngritur nga e para apo janë riparuar nga ky perandor. Prokopi, panegjerist dhe bashkëkohës i Justinianit, numëron tridhjetedy të ndërtuara nga e para dhe njëzetegjashtë të riparuara, në Epirin e ri apo Shqipërinë qendrore.
    Në Epirin e Vjetër, po ky autor llogarit dymbëdhjetë të tilla, të ndërtuara nga e para, dhe njëzetekatër të riparuara. Epiri i ri kishte kryeqytet Durrësin, ndërsa ai i Vjetri si qytet kryesor Nikopojën. Po përse Justiniani ndërtoi ose riparoi kaq shumë fortesa gjithandej, dhe as nuk ndreqi, as nuk ngriti në Prevalitani?
    Ja me pak fjalë. Lukari, në historinë e tij të Raguzës, na bën të ditur se një nga Gotët e parë të vendosur në Dalmaci, kishte pushtuar Prevalitaninë dhe kishte bërë Shkodrën kryeqytet të saj. I martuar me motrën e Istokut, babait të Justinianit, i kërkon më vonë Justinianit, nipit të tij, titullin e mbretit, por perandori i dha atij vetëm titullin e kontit, dhe me këtë emër përkufizoheshin guvernatorët e Prevalitanisë prej kronikanëve grekë. Dy Kanzhit i duken këto hollësira krejt të mundshme. Menjëherë sapo Visigotët dhe Ostrogotët pushtuan Dalmacinë dhe Shqipërinë e epërme, vendosën aty guvernatorët e kombit të tyre, dhe i mbajtën këto vende deri në vitin 535. Është e vërtetë se në këtë periudhë të fundit Perandoria e Poshtëme rimorri zotërimin e Dalmacisë, por populli mbeti aty. Vetëm garnizonet e Gotëve të Italisë u dëbuan.
    Diku tjetër kemi thënë se, me afrimin e barbarëve, ipeshkvët e Shqipërisë së Poshtme shpërngulën për në Korfuz reliket e Shën Donatit. Dhe ja tani mënxyrat që e bënë të nevojshëm një veprim të tillë, dhe që shpërndanë kudo llahtarinë e njëjtë me shkatërrimin e dyzet qyteteve të Dalmacisë nga Khahami i Avarëve (v. 598). Është çasti kur Justiniani shpërndau trupat e tij, në Itali kundër Gotëve, në Lindje kundër Persëve, dhe që, duke i gjetur të hapur kufijtë e Savës dhe të Danubit, Sllavët pushtuan Ilirinë me trupat e tyre. Tashmë, kur u shfaqën Avarët, trupat e tyre mbulonin edhe vendet nga Deti i Zi deri në Adriatik, nga Danubi deri në kepin Matapan. Për Avarët ishte çështje hakmarrjeje për ambasadorët e masakruar nga sllavët, por për perandorin Tiber ky ishte një rast i volitshëm për të spastruar Ilirinë. Me pëlqimin e Bajanit dhe të Tiberit, 15 mijë kalorës avarë u sulën mbi fushimet e Sllavëve dhe i plaçkitën (v. 581). Deri tani sllavët e kishin plaçkitur Ilirinë për hesap të tyre, ndërsa tash e mbrapa do ta plaçkisnin edhe për llogari të Avarëve. Vetë Avarët plaçkisin dyzet qytete në Dalmaci. Sllavët bënë prè gjithë të tjerët. Shqipëria qendrore nuk u kursye. Ajo ndjeu mbi kurriz gjëmën e të gjithë luftërave që paraprinë ngritjen dhe rënien e Perandorisë së Poshtme -thotë Pukëvili. Qytetet u shkatërruan dhe u ringritën shumë herë. Justiniani rindërtoi Tyranën, Aulonën, Musionin. Ai, po ashtu, fortifikoi shtegun e portave Kaudavikune për të ndaluar sulmet e barbarëve. Por, me kështjellat e Justinianit ngjau njëlloj si me ligjet e tij. Moria e ligjeve dhe e kështjellave nuk mund ta mbanin më në këmbë këtë kollos të ronitur nga vjetërsia (Pukëvil, Udhëtime, vëll.1, fq. 373).


    Shënime:
    -Stobi -Gradsko e sotme, qytet në qendër të Maqedonisë në buzë të Vardarit.
    -Tolida -duket se është gabim shtypi, pasi bëhet fjalë për Totilën mbretin e ostrogotëve.
    -Onhezmi -qytet i lashtë në Sarandën e sotme.
    -Salona -kryeqendër në Dalmacinë ilire (Solini i sotëm), përballë ishujve me Bratin, Farin e Isën.
    -Gjoni dhe Nerseti -duhet të jetë fjala për Gjon Troglitën dhe Belisarin, gjeneralin e famshëm, si dhe eunukun
    Nerset, të cilët ishin mbështetësit e sundimit të Justinianit.
    -Gjepidët (gepedët) -popullsi gjermanike e vendosur në Daki në kohën e Justinianit.
    -Lombardët -popullsi gjermanike e vendosur në Elbë, Oder dhe në Italinë e veriut me Pavian kryeqendër.
    -Norik -krahinë e banuar nga fisi iliroverior i norikëve, në veriperëndim të Panonisë (afërsisht në Austrinë e sotme).
    -Panonia -provincë ilire e banuar nga panonët, në verilindje të Dalmacisë, në Hungarinë e sotme.
    -”ushtri greke” -duhet pasur parasysh se me ushtri greke autori nënkupton ushtritë perandorake (bizantine) dhe jo si
    koncept identifikues për grekët si kombësi.
    -Khaham -Kagani ose Hagani, titull mbreti tek Avarët.
    -Bajani -prijësi i Avarëve.
    -Tiberi -perandor i Lindjes (574-582).
    -Musion - Museoni, qytet dhe fortesë në Maqedoni, megjithëse këtu autori duhet ta ketë fjalën për ndonjë fortesë në
    Shqipërinë e mesme afërsisht në Muzakinë e vjetër.
    -Tyrana -Tyrkana, fortesë në Epirin e Ri; -Avlona -Vlora.
    -grykat kandavikune -grykat e maleve midis Elbasanit dhe Ohrit, në malet Kandave.

Faqja 0 prej 4 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Mosekzistenca historike e "Jezusit" dhe e "Pavlit"
    Nga Qafir Arnaut në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 153
    Postimi i Fundit: 06-03-2015, 11:37
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •