Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Post Pasazhe nga libri:Pellazgët nuk ishin grekë të mirëfilltë

    Pellazgët nuk ishin grekë të mirëfilltë
    A janë Pellazgët grekë të mirëfilltë? Jo, përgjigjet Herodoti. Jupiterin që nderohej në Dodonë, Homeri (Iliada, XVI, 234) e emërton Jupiter Pellazgu dhe shohim se Pellazgët janë trajtuar shpesh si stërgjyshër të grekëve. Straboni, sipas Tuqididit, dallon se Homeri nuk i njihte Barbarët, pikërisht sepse për Homerin grekët nuk janë ende Helenë. Për nga lashtësia vetëm emri i Pellazgëve e kalon emrin e Akenëve. Emri Pellazgoitidë është përcaktuar edhe për rajonin e Thesalisë që gjendet pranë liqenit Beben. Sipas një gojdhane tejet të lashtë, shumë më përpara epokave trojane, banorët e Greqisë do të kenë qenë quajtur Pellazgë. Vetë Euripidi, i cituar nga Straboni, pohon se ata duke lënë emrin Pellazgë do të kenë marrë emrin Danai. Është e sigurtë se grekët me emrin e Pellazgëve lidhin kujtimet më të lashta të historisë së tyre. Asiosi i Samos, i përmendur nga Pauzani, thotë se toka e zezë, lindi Pelasgosin nga maja e maleve, të ngjashëm me zotat. Në një fragment të Hesiodit, Pelasgosi quhej biri i Tokës dhe stërgjyshi i Pellazgëve. Meqenëse për grekët njerëzit kanë dalë nga gjiri i tokës, të cilën e quajnë toka-mëmë, atëherë nuk duhet të habitemi se Pellazgët për ata ishin autoktonë. Pellazgë ka patur në Maqedoni dhe në Thrakë. Mbreti i kësaj perandorie është Pelasgos, biri i Paleoktonit (toka e lashtë) dhe që rrjedh nga Pelasgosi autokton. Herodoti pohon se gjithë vendi, i cili në kohën e tij quhej Hellas, dikur mbante emrin Pellazgji. Thesprotët e Epirit, me kryeqytetin e tyre Dodonë, kanë qenë Pellazgë ashtu si edhe banorët e Atikës dhe banorët e viseve të Argos. Kalimaku e kujton sërish këtë, pasi aty gratë e Argianëve ai i emërton me emrin Pellazget. Me plot të drejtë duhet që te Eolianët dhe Arkadianët ne të shohim Pellazgët. Jonianët, të vendosur përgjatë bregut verior të Peloponezit, gjithashtu do të kenë qenë Pellazgë. Sipas Eforit emri Pelasgia do të ketë përcaktuar dikur të gjithë Peloponezin, ndërsa Straboni e sheh kombin e Pellazgëve si një komb, i cili dikur shtrihej në të gjithë Greqinë, por mbizotërues mbi të gjitha në Thesali dhe Arkadi. Në Thesali, Homeri njihte një qytet të quajtur Argos Pelasgihon, madje edhe në periudha relativisht të vona aty njihej një zonë me emrin Pelasgiotidë.
    Një fakt i sjellë nga Herodoti, fakt me një autenticitet të pakundërshtueshëm, është se Pellazgët të shquar për kalatë e tyre, do të fortifikonin anën perëndimore, anën më të dobët të Kekropisë dhe rrugën që të çonte për aty do ta mbyllnin me nëntë porta. Ky bastion, për shkak të zanafillës së tij, ka mbajtur gjithmonë emrin Pelasgikon. Pellazgët u vendosën edhe në gadishullin e Kalkidikës dhe aty do të themelojnë një numër qytetesh, ku i ka njohur edhe Herodoti. Duhet shënuar se ata flisnin të njëjtën gjuhë me Pellazgët që banonin në Plaki dhe Skilakë, por që nuk kuptoheshin nga grekët e tjerë. Nga kjo, Herodoti arriti në përfundimin se meqenëse qysh në kohë të kahershme e gjithë Greqia ka qenë e banuar nga Pellazgët, atëherë ajo ka qenë tokë barbare. Nëse pasardhësit e këtyre Pellazgëve flisnin një dialekt grek, si mund të hamendësohet që Herodoti nuk arrinte t‘i kuptonte ata? Grekëve nuk u kishin shpëtuar nga sytë edhe lidhjet e ngushta që bashkonin Tirrenët dhe Pellazgët Italiotë sa e quajtën Tirren të gjithë kombin e Etruskëve. Herodoti nxirrte se në Etruri kishte emigruar një pjesë e Lidianëve nën udhëheqjen e mbretit. Fjala Tirren, Tiran janë shumë të njohura dhe shumë të përhapura në Shqipëri. Aleksandri i Pleuronit i trajtonte Pellazgët e Pleuronit si Tirrenë dhe ende edhe sot në Shqipëri ekzistojnë dy qytete të quajtura Tirania apo Tirana, më i madhi prej të dyve gjendet midis Durrësit dhe Lezhës, ndërsa tjetri në afërsi të Krujës.
    Pellazgë shënohen edhe nëpër ishujt jonianë, të tillë si Lesbos, Kios, Samos, Eube dhe Kretë, po ashtu shumë larg prej Azisë së Vogël, hasim emrin e Dardanëve të famshëm të Troadës. Sipas legjendës, Dardanus në Misi do të ketë themeluar Dardaninë. Nga të gjitha sa thamë më sipër, del se qysh nga mugëtirat e kohërave, ka ekzistuar një popullsi, e cila është quajtur nga grekët popullsi Pellazge, e vendosur në të njëjtën tokë me grekët, pra një popullsi që ishte pak a shumë e ndryshme nga ata, ekzistenca e të cilëve ngjitet përtej periudhave Trojane.
    Nëse Greqia ka një klimë kaq të mirë, me një tokë në përgjithësi të begatë, përse duhet të ketë qenë shkretinë përpara imigrimit të grekëve. Herodoti e thotë qartë se ajo ka qenë e banuar nga Barbarët. Tuqididi shkon në të njëjtin drejtim; Pauzani dhe mbi të gjithë Straboni japin prova interesante në ndihmë të tezës së mbështetur nga Herodoti.

    Cilat jane burimet ku u bazua Benlow?
    Qysh prej shumë vitesh kam besuar se në një numër emrash gjeografikë dhe historikë apo parahistorikë të Greqisë së lashtë, kam hasur tregues të një popullsie zanafillore më të hershme se Helenët. Ndërsa po shfletoja një ditë fjalorin shumë të paplotë, të cilin Xylanderi ia ka bashkangjitur gramatikës së tij shqiptare, hamendësimet e mia, sipas mendimit tim, arritën një farë shkalle gjase, për të mos thënë edhe më shumë. Gjuha shqipe dukej se i jepte kuptim disa emrave të përveçëm, të cilët nëpërmjet rrugësh të tjera ishin të pashpjegueshëm, të tillë si Male, Pilos, Andani, Olimpi. Për fat të keq, për t’u sqaruar më shumë, përveç Xylanderit, kisha vetëm trajtesën për gjuhën shqipe të Bopit, mësuesit tim të shquar, të cilën ai ma kishte paraqitur në vitin 1850, kur shkova herën e fundit për ta parë në Berlin. Kjo trajtesë për momentin nuk më duhej shumë, por më tërhoqi vëmendjen në lidhje me veprën mjeshtërore dhe të punuar me shumë kujdes të Hahn, ku gjendej e përmbledhur gjithçka që dihej për të kaluarën dhe të tashmen e Shqiptarëve, plus kësaj një gramatikë mjaft të plotësuar për pjesët si dhe një leksik të punuar edhe me më shumë kujdes se sa ai i Xylanderit. Për herë të parë veprën e Hahn e kam parë në vitin 1873, në bibliotekën e Cassel (Hesse Electoral). Unë e porosita atë qysh atëherë si edhe veprën e bukur të Miklosich në lidhje me gjuhën shqipe, në të cilën mbizotëronte fryma e kritikës mendjendritur, çka e nderon shekullin tonë. Sakaq dallova se pista që unë besoja se kisha zbuluar, tashmë përveç meje kishte qenë ndjekur edhe nga të tjerë. Kështu mua më mbeste të hulumtoja dhe të gjeja. Mezi prisja që t‘ua bëja të ditur mjeshtërve të dijes disa nga përfundimet e arritura. Egger, i pari me të cilin bisedova, ishte i mendimit se do të ishte me dobi që këto t‘i nënshtroheshin gjykimit të Akademisë. Unë nuk i kundërshtova këshillat e tij, në të njëjtën kohë ai më hapi thesaret e bibliotekës së tij. Përveç kësaj, tregues të çmuar m’u dhanë edhe nga zotërinjtë de Longperier, Derembourg dhe Ernest Desjardins.
    Dy leksionet, për të cilat isha i autorizuar t‘i zhvilloja në Akademi, tërhoqën vëmendjen e albanofilëve të Italisë. Një zonjë e madhe, emri i së cilës njihet me nderim në fastet tona letrare dhe zanafilla shqiptare e së cilës është nga më të shkëlqyerat, më nderoi duke hyrë në korrespondencë me mua, për të më huazuar shkëlqimin e erudicionit të saj dhe për të më njoftuar punimet e bashkatdhetarëve të saj, me vendbanim në Itali, përsa u takonte materialeve që më interesonin. - Këshillat, të dhënat, botimet filologjike dhe historike si dhe broshurat e të gjitha llojeve, Dora d‘Istria m‘i përcillte me dashamirësi dhe pa kurrfarë interesi. Gjithashtu munda të vihem në dijeni edhe të gramatologjisë shqipe të Demetrio Camardas, të gramatikës së De Radës dhe të shkrimeve të Vincenzo Dorsa. E ndjej nevojën që t‘i falenderoj këtu, botërisht, Princeshën e hijshme dhe bashkëpunëtorët e saj të ditur, për ndihmën e tyre kaq të zellshme dhe kaq të përzemërt. Duke shfletuar faqet në vijim ata do të dallojnë, shpresoj, se unë i kam lexuar veprat e tyre dhe kam ditur të përfitoj nga ato.

    Si paraqitet dilema kryesore e prejardhjes se shqiptareve?
    Sot ka dalë sheshit se në një epokë që nuk mbahet mend, Greqia nuk ka qenë e banuar nga grekët; kur këta të fundit depërtuan në vendin, të cilin ata duhej ta paraqisnin me emrin e tyre, ky vend nuk ka qenë shkretinë. Atëherë, cilës racë i përkisnin banorët e parë? Këta banorë nuk kishin themeluar atë çfarë ne e quajmë shtet, madje as nuk formonin një komb, ata nuk kishin as literaturë dhe nuk ditën të vendosnin tradita të qëndrueshme; së fundi, asnjë dokument dhe asnjë mbishkrim nuk na jep dëshmi për ekzistencën e tyre në kohët e kahershme. Megjithatë, në tokën e Greqisë ka gjurmë të shumta të një qytetërimi më të hershëm në kohë sesa qytetërimi i grekëve. Stralli, veglat dhe sëpatat e një formë krejt zanafillore, të cilat gjenden aty me shumicë, provojnë se edhe Greqia ashtu si të gjitha vendet e Europës ka kaluar epokën e Gurit dhe epokën e Bronzit. Duhen shtuar këtu muret e mëdha, ndërtime ciklopike, të cilat hasen kudo, prej Epirit deri në Azinë e Vogël.
    Së fundi, duhen mbajtur parasysh emrat e vendeve, maleve, lumenjve, personazheve legjendarë, të cilët nuk shpjegohen nëpërmjet mitologjisë greke dhe që duket se bëjnë pjesë në fjalorin e një idiome të huaj. A ekziston ende sot kjo idiomë? A është ruajtur kaq e paprekur, për të na krijuar mundësinë që sot të jetë e dobishme në hulumtimet tona? Kjo është çështja mbi të cilën ne duhet të hedhim dritë.
    Guillame de Humboldt, pasi studioi gjuhën baske, për të cilën edhe shkruajti faqe të shkëlqyera në volumin IV të Mitridatit, iu vu punës për të shqyrtuar emrat e përveçëm që paraqiste gjeografia e lashtë e Spanjës. Pjesa më e madhe e këtyre emrave kishin forma latine apo të latinizuara; Pushtimi romak kishte vënë vulën e tij në të gjithë vendin. Pa dyshim që në jug kishte koloni fenikase, kartagjenase, të cilat i kishin ruajtur emërtimet e tyre semitike. Qytete të shumtë në numër, emrat e të cilëve përfundojnë me briga, nxirrnin në pah dyndjen e Keltëve. Gjithsesi, mbeste një grup i madh qytetesh, emrat e të cilëve nuk ishin latinë dhe që megjithatë do t‘i rezistojnë edhe analizës së studiuesve të arabishtes dhe keltishtes. Ishte e qartë se ishin emra të viseve që u përkisnin Iberëve, banorëve zanafillorë të Spanjës. Gjuha baske të bën ta kuptosh pa vështirësi kuptimin e parë të tyre. Nga kjo, Humboldt beson se mund të nxjerrë si përfundim se baskët ishin me saktësi pasardhësit e Iberëve të lashtë, të cilët të tërhequr në malësitë pothuajse të paarritshme, ruajtën pavarësinë dhe gjuhën e të parëve të tyre.
    Studimi i vëmendshëm i antikitetit grek, i emrave të qyteteve më të lashtë të tij, maleve dhe popullsive, të një pjese të zotave të tij, duket se të çon në një rezultat të njëjtë. Fenikasit ngritën vendqëndrime të shumta nëpër ishujt e detit Egje dhe u përpoqën të kolonizojnë disa vende të kontinentit. Duke hequr midis tyre disa emra të përveçëm semitikë, të cilët na paraqesin gjeografinë e Helladës antike, gjendemi përballë një numri të madh emrash, zanafilla e të cilëve sigurisht që nuk është greke dhe që duhet të ngjitet edhe disa shekuj më lart se sa gojëdhënat më të hershme helene. Shumë nga këto qytete, na thuhet shprehimisht se i përkisnin Pellazgëve, Lelegëve, Kaukonëve dhe Dardanëve. Deri më sot një gjuhë e vetme duket se arrin të na i bëjë të kuptueshëm emrat e këtyre viseve: kjo është gjuha shqipe. Prandaj autori i veprës që kini në dorë, është i prirur të mbështesë tezën se shqiptarët e ditëve të sotme janë pasardhësit e popullsive, të cilat përpara mbërritjes së grekëve, zinin viset që shtrihen nga deti Adriatik deri në Halis.
    Prandaj duhet t‘i nënshtrohen një shqyrtimi të vëmendshëm mendimet e shkrimtarëve grekë, të cilët në pjesën më të madhe e dinin se bashkatdhetarët e tyre nuk kanë patur zënë gjithmonë atë tokë, të cilës ata do t‘i jepnin emrin e tyre; se bashkatdhetarët e tyre jo gjithmonë kanë patur formuar një konfederatë kombëtare të stërmadhe dhe se përpara se të merrnin emrin Helenë, ata kanë mbajtur njeri pas tjetrit emrat Grekë, Pellazgë, Akenë. Përpara se të hyjmë në thelbin e çështjes me të cilën po merremi, do të na duhej të përcaktojmë vlerën respektive të këtyre emrave të ndryshëm. Kuptimi i emrit që mbahet si më i lashti, pra Pellazgët, është në veçanti i debatueshëm dhe pranon shpjegime të shumta. A janë Pellazgët grekë të mirëfilltë? Jo, përgjigjet Herodoti. Po, përgjigjet Auguste Bœckh. Në faqet e ketij libri do te gjeni mendimin e atyre, te të cilët besuam se duhej të ndaleshim per te dhene nje pergjgjjgje sa me te sakte.

    Milosao


    http://img390.imageshack.us/img390/2...apture1mv2.png
    Ndryshuar për herë të fundit nga brooklyn2007 : 28-09-2008 më 14:03
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

Tema të Ngjashme

  1. Islami Sot Dhe Nesër
    Nga llokumi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 22-09-2012, 10:50
  2. Vlerat e muzikës sonë të mirëfilltë
    Nga Lekë Rezniqi në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-11-2011, 07:39
  3. Parailiret - Iliret - Arberit _M.Korkuti
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 02-10-2006, 20:53
  4. Besimi dhe besimtari
    Nga Fjala e drejte në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-12-2004, 16:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •