UNGJILLI SIPAS LUKËS
PARATHËNIE UNGJILLIT SIPAS LUKËS
Tradita kishtare më e vjetra Ungjillin e tretë e mban për vepër të Lukës, shokut të ngushtë në veprimtari dhe “mikut të dashur” (Kol 4, 14; Fil 24) të Palit. Në përgjithësi mund të thuhet se autori i të tretit Ungjill, që është autori edhe i Veprave të Apostujve, është një historian i ndërgjegjshëm. Patjetër do ta ketë njohur Ungjillin e Markut dhe ka marrë nga i njëjti burim nga ka nxjerrë edhe Mateu. Ai vetë e thotë në fillim të veprës së vet se i ka shqyrtuar dhe hulumtuar me kujdes të gjitha dëshmitë mbi Jezusin, qofshin ato gojore apo të shkruara.
Ka një stil të këndshëm, të rrjedhshëm dhe të përpunuar. Autori shkruan për të krishterë që vijnë nga paganizmi. Ungjilli vazhdon me Veprat e Apostujve, me të cilat Luka ka dashur të na japë jo aq historinë e Kishës në fillim, sa të tregojë se Jezusi vazhdon i gjallë me anë të veprimit të Kishës.
Njohuritë e para mbi Lukën i nxjerrim nga Veprat e Apostujve. Në to paraqitet se Luka lindi në Antioki të Sirisë (Vap 11, 28), si duket nga prindërit paganë. Duket se takimi i parë me Palin ndodhi në Troadë. Herët u kthye në krishterim (rreth v. 40). Gjasa është se bashkë me Palin prej Troadës shkoi në Filipe, ku ndoshta Pali e la mbikëqyrës të bashkësisë (Vap 16, 10 17). E gjejmë rishtas me Palin, kur ky, në misionin e tretë kthehet në Jerusalem (Vap 20, 5 21. 18). Që atëherë Luka bashkëvepron me Palin (Vap 27, 1 28. 16. 2 Tim 4, 11).
Luka, sikurse edhe Mateu e Marku, e ka shkruajtur Ungjillin sipas predikimeve të apostujve. Megjithatë Luka në plan ka futur dy ndryshime: në fillim ka paraqitur fëmijërinë e Jezusit, gjë kjo që i jep një paraqitje më të plotë jetës së Jezusit, pastaj futi edhe një pjesë të gjatë (9, 51 18, 14), në të cilën, në mënyrë të përshtatshme bie ngjarje të ndryshme e thënie që nuk gjenden te Marku ndërsa te Mateu janë vetëm pjesërisht. Në këtë pjesë të Ungjillit të Lukës mendimi qëndror janë mundimet e Jezusit, sepse udhëtimi drejt Jerusalemit paraqitet si udhëtim në vdekje (9, 51; 13, 22; 17, 11).
Historia e Jezusit mund të ndahet në këto tri pjesë:
1. Nga ngjarja e kushtimit në Tempull deri në mbarim të veprimtarisë në Galile (1, 5 9, 50).
2. Udhëtimi i Jezusit në Jerusalem (9, 51 19, 27).
3. Ditët e fundit të Jezusit: mundimet, vdekja dhe ngjallja e tij (19, 28 24, 53).
Specialistët nuk janë plotësisht në përkim rreth kohës kur u shkrua. Disa provojnë se u shkrua rreth 60 62 v. por shumica e madhe pohon se u shkrua në vitin 65 70.
Plani:
1. Hyrja (1, 1 4)
2. Lindja e Gjon Pagëzuesit dhe e Jezusit (1, 5 2, 52)
3. Përgatitja për veprimtari (3, 1 4, 13)
4. Veprimtaria e Jezusit në Galile (4, 14 9, 50)
5. Jezusi në udhëtim për Jerusalem (9, 51 19, 27)
6. Jezusi në ditët e fundit të jetës (19, 28 21, 38)
7. Mundimet e vdekja (22, 1 23, 56)
8. Pas ngjalljes (24, 1 53)
Krijoni Kontakt