Zjarret kanë përpirë pyjet nga jugu në veri. Por, si të mos mjaftonte kjo, këto zjarre në shumicën e rasteve kanë qenë të qëllimshme dhe komunitetet që i përkasin ato nuk kanë marrë mundimin të ndihmojnë zjarrfikësit në shuarjen e vatrave të zjarrit. Drejtori i Drejtorisë i Kontrollit për Mjedisin, Alfred Deshati, ka bërë një raport të plotë të situatës me zjarret në pyje për datat 21-31 gusht të këtij viti dhe situata nuk duket aspak normale, sepse zjarret kanë përfshirë 8 rrethe si Beratin, Tropojën, Tepelenën, Delvinën, Kuksin, Korçën, Sarandën dhe Pukën. Gazeta jep të zbardhura të gjithë zjarret në të gjithë rajonet si edhe situatën.
Berati
Në datën 21 gusht 2010, rreth orës 11:00, në ekonominë pyjore Nr 6, Mali i Partizan, ngastrën 3/b, pyll të përbërë nga lloji pishë, pyll shtetëror, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është fikur plotësisht rreth orës 21 të datës 21 gusht, pasi ka djegur rreth 0.5 ha. Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore, zjarrfikëset dhe forca të ushtrisë të reparti të Poshnjës.
Tropoja
Në datën 22 gusht 2010, rreth orës 20:30, në ekonominë pyjore Stobërd, ngastrën 58, pyll komunal i komunës Bytyç, të përbërë nga shkurre të llojit bush, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është fikur plotësisht rreth orës 3 të datës 22 gusht, pasi ka djegur rreth 3 ha. Dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, pasi janë konstatuar 4 vatra në distancë nga njëra-tjetra. Rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore dhe 7 banorë të zonës.
Tepelenë
Në datën 22 gusht 2010, rreth orës 14:00, në ekonominë pyjore Dukaj-Luzat, ngastrën 20, kullotë komunal e komunës Qendër, ka pasur shfaqje zjarri. Shkaku i zjarrit dyshohet të jetë i qëllimshëm.
Rreth orës 11 të ditës së djeshme jemi njoftuar me telefon se zjarri ka marrë përmasa duke u përhapur në pyje dhe duke vështirësuar mjaft ndërhyrjen për fikje e tij. Është kërkuar bashkëpunimi i kryetarit të komunës, por nuk ka asnjë përgjigje nga ky institucion. Nga ana jonë është njoftuar MB, Emergjencat Civile, për situatën dhe është kërkuar ndërhyrje e prefektit të Gjirokastrës për impenjimin e më shumë forcave dhe mjeteve për fikjen e zjarrit. Komuniteti është mjaft pasiv dhe deri tani nuk ka mbështetur në fikjen e zjarrit. Zjarret e ditëve të mëparshme janë fikur.
Delvinë
Zjarri i ardhur nga rrethi i Sarandës ka hyrë në zonën e Delvinës rreth orës 10 të datës 22 gusht 2010, në ekonominë pyjore Dhrovjan, kullotë komunale e komunës Mesopotam. Zjarri është izoluar rreth orës 19 të datës 22, pasi ka djegur rreth 30 ha. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore. Komuniteti nuk ka mbështetur në fikjen e zjarrit. Aktualisht po mbahet situata nën kontroll.
Kukës
Në datën 22 gusht 2010, rreth orës 13, në ekonominë pyjore Topojan, pyll të përbërë nga lloji pishë, pyll komunal i komunës Topojan, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është fikur plotësisht rreth orës 22 të datës 22 gusht, pasi ka përshkuar rreth 2 ha dhe ka djegur 10 pisha. Nuk dihet shkaku i zjarrit. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore dhe 4 banorë të zonës.
Korçë
Në datën 21 gusht 2010, rreth orës 17:00, në ekonominë pyjore Qafa e Zvestës-Trestenik, ngastrat 31, 32, dhe 34, pyll shtetëror, të përbërë nga shkurre, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është fikur plotësisht rreth orës 17 të datës 22 gusht, pasi ka përshkuar rreth 15 ha dhe ka djegur rreth 5 ha. Nuk dihet shkaku i zjarrit. Rasti po hetohet nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Korçës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore, 6 banorë të zonës dhe zjarrfikësja. Gjithashtu është bashkëpunuar dhe më forcat zjarrfikëse të shteti Grek, pasi zjarri ka qenë në kufirin midis dy vendeve.
Sarandë
Zjarri i datës 17 gusht 2010, në pyjet komunale të komunës Dhivër dhe në kullota vazhdon. Në ekonominë pyjore Vllazërim ka përshkuar rreth 200 ha pyll valanidhi pa dëm ekonomik, në ngastrat 19-24 dhe në ekonominë kullosore Livadhja-Vllazërim, ka përshkuar rreth 60 ha kullota. Ndërhyrja është mjaft e vështirë për shkak të terrenit të thyer. Theksojmë faktin që megjithëse është kapur duke vënë zjarr dhe është ndaluar nga personeli pyjor në bashkëpunimi me Policinë e Shteit, shtetasi Laze Mehmati, ai është lënë i lirë pas disa orësh me pretendimin se barinjtë që e kanë parë duke vënë zjarr nuk kanë dëshmuar. Pas lënies së lirë dyshohet që ky person ka vënë përsëri zjarr në kullotat e barinjve, për cilët ka pretenduar se e kanë paditur.
Pukë
Në datën 21 gusht 2010, rreth orës 19:30, në ekonominë pyjore Krrabë-Bushat, ngastrën 29, pyll shtetëror i llojit ah, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është izoluar rreth orës 11 të datës 22, pasi ka përshkuar sipërfaqen prej 0.3 ha pa shkaktuar dëm ekonomik. Nuk dihet shkaku i zjarrit. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore dhe banorë të zonës.
Në datën 22 gusht 2010, rreth orës 10, në ekonominë pyjore Gojan-Shkozë, ngastrën 13/c, pyll komunal në pronësi të komunës Gjegjan, i përbërë nga lloji pishë, ka pasur shfaqje zjarri. Zjarri është izoluar rreth orës 22 të datës 22 gusht, pasi ka djegur një sipërfaqen prej 0.3 ha. Nuk dihet shkaku i zjarrit, por dyshohet të jetë aksidental, pasi është shumë afër zonës së banuar. Kanë marrë pjesë në fikjen e tij Policia Pyjore dhe disa banorë të komunës Gjegjan.
http://www.shekulli.com.al/2010/08/2...in-pyjeve.html
Krijoni Kontakt