Postuar më parë nga
tasjani-ferizaj
DEKLARATË
(e Skënder Mujë Skënderit)
25 tetor 1998
Unë Skënder Mujë Skënderi, i lindur më 3 korrik 1954 në fshatin Vojnik deklaroj: Më 8 tetor 1998 e kam dhënë një deklaratë, por kam qenë nën presion të rastit që ka ndodhur, prandaj ka mundur të ketë lëshime në atë deklaratë, gjithashtu ka qenë vonë dhe pa rrymë. Dikush tjetër e ka shkruar për mua, sepse unë kam qenë në gjendje shumë të keqe atë mbrëmje, prandaj kjo deklaratë që po e jap tani është realiteti i asaj dite pra, 8 tetor 1998.
Kam qenë tek mjeshtri i kerreve në Kastriot, aty më ka thirrë Abedin Rexha me radio-lidhje dhe më ka thënë me e pritë aty. Pas pak kohe ka ardhur Abedini me Hamitin dhe kanë kërkuar që t'i shoqëroj për të shkuar deri në shtëpi. Kemi marrë rrugën në drejtim të Tyriçevcit. Te shitorja e Smajl Sahitit e kemi parë kerrin e Gani Gecit, të ndalur. Ganiu ia ka bërë me dorë dhe Abedini është ndalur. Ganiu ia ka vënë dorën në krah dhe i ka thënë: - A bënë për disa minuta të pyes diçka? Janë larguar prej njerëzve nja 10 - 15 apo 20 metra, pastaj kanë vazhduar bisedën.
E kam dëgjuar Abedinin kur i ka thënë Ganiut se - Kena me ua bâ më zi se Ahmet Krasniqit dhe Sabri Hamitit!, pastaj janë dëgjuar dy të shtëna, në ajër apo në tokë. Ganiu i ka thënë: - Emrin tim nuk dua ta përmendësh askund! Kanë ndërhyrë njerëzit edhe unë kam shkuar në drejtimin e tyre, mirëpo ata u ndanë pa ndonjë eksces të madh. Abedini është kërcënuar duke u ngjitur në veturë, dhe ka thënë: - Ma q… nënën Nazife që e kam prej Obrije, prej ditës së sotit kam me të vra ku të shoh! Shokëve u ka thënë se «kush është ushtarë me armë mos hipni në kerr se do ta vras». Ne kemi shkuar teposhtë, në drejtimin e Turiçefcit.
Duke shkuar rrugës kemi takuar Gani Bekën. Abedini e ka ndalë kerrin dhe i ka thënë Ganisë: - Merri shokët e shkoni me sulmue punktin në Vitak! Gani Beka, (komandant i fshatit Kllodërnicë), iu ka përgjigjur: - Kam pirë birra e nuk e ndiej vetën mirë. Pastaj i ka thënë Abedini: - Ti në daç mos shko! Ganiu iu ka përgjigjur: - Nuk mund t'i lë shokët vetëm!
Ne kemi vazhduar rrugën në drejtim të Tyriçefcit. Muzika ka qenë me ton të lartë, se çka kanë biseduar Abedini me Hamitin, të cilët kanë qenë të ulur në karriget e para, nuk dëgjohej, për shkak të muzikës. Duke shkuar në drejtim të Tyriçefcit e ka kthyer veturën te shtëpia e Xhevat Zeqes. Hamiti e ka pyetur: - Ku po shkon Abedin? Hajde shkojmë e marrim municionin e ua çojmë shokëve nëpër pika, e lëri këto punë! Ai ia ka pritë: - Nëse tutesh, zbrit!, dhe i ka dhënë kerrit me shpejtësi të madhe, deri te servisi dhe jemi takue me komandantin e Kllodërnicës Gani Bekën.
Abedini ka dalë prej kerri dhe ia ka marrë Ganisë automatikun dhe gjyksoren e ia ka çuar fishekun në tytë. Nuk e dij se (çfarë kanë biseduar! ) se kam qenë brenda në kerr, ka hyrë në kerr dhe armën e ka pas pranë dorës së djathtë. Nuk ka folur asgjë më, vetëm e kam parë se është zbehur në fytyrë. I kena thënë shumë herë - Ngadalë Abedin, mos u ngut! Te shtëpia e mjeshtrit e kemi parë një traktor në anën e djathtë dhe xhipin duke e tejkaluar traktorin.
Abedini e ka ndalë kerrin dhe ka dalë me gjithë Hamitin, unë kam mbetur brenda në kerr. Abedini ka dalë para kerri në anën e djathtë, duke shtirë, i kam dëgjuar disa rafale. Jam munduar të dal prej kerri, kishte shumë krisma. Pastaj kam gjuajtur nga brenda në mënyrë të pakontrolluar. Disi kam dalë prej kerri dhe kam shkuar prapa kerrit te Hamiti në drejtim të Abedinit. Ka pasur shumë të shtëna, duke e tërhjekur si duket ai kishte qenë i plagosur dhe pas pak ka vdekur (fjala është për Abedinin). Krismat kishin pushuar, pastaj kam piskatë: - Mos gjuni se jena shqiptarë! Ka ardhur Musa Dërvishi dhe Njësiti i Kastriotit dhe e kemi shti kufomën në kerr të Musës. Ky është realiteti i kësaj dite tragjike.
Vojnik, më 25 tetor 1998 Deklaroi:
(nënshkrimi i Skënderit)
P. S.
Kur e ka sjellur Skënderi deklaratën ka qenë me të edhe miku i tij nga Rezalla e Re (ish Lludeviqi) dhe një person tjetër, që të dy janë gjallë.
DEKLARATË
Unë Gani Haxhi Bekaj, i lindur më 3. 07. 1961 në Kllodernicë, komuna e Skënderajt, deklaroj se me datën 8. 10. 1998 kam qenë në punëtorinë time duke punuar një traktor të Halim Osmanit. Rreth orës 16. 35 ka ardhur Shaban Latifi me veturë te unë dhe më ka thënë: - Ngutu e bëhu gati se në orën 17.00 e kemi një takim me ushtarë! Unë e kam lënë punën dhe jam bërë gati për të ardhur. Së bashku me Halimin jemi nis me «Askonë» të Halimit për në servis të Shtabi tonë. Pa u ndalur te servisi jemi takuar me Abedin Rexhën, Skënderin dhe Hamidin me BMW. Unë i kam thënë: - Abedin çka u bë kaq vonë? Abedini m'u drejtua pa zbritur nga BMW dhe më tha: - Gani merri shokët dhe shkoni në drejtim të Vitakut për ta sulmuar punktin policor. Unë i kam thënë: - Çfarë sulmi sonte që kemi pirë birra!
Abedini ka vazhduar rrugën në drejtim të Turiçevcit, e unë e Halimi e kemi parkuar veturën para servisit në rrugë. Disa shokë ishin duke na pritur e disa nuk ishin ardhur ende. Pas dy-tre minutash kanë ardhur Osman Leqina, Rrahman Hajdari e Ymer Shala dhe janë ndaluar te shokët e Kllodernicës. Kemi biseduar nja 5 minuta te servisi në këmbë. Në atë kohë është kthyer Abedini në shpejtësi nga kishte shkuar më parë. Ka dalë nga BMW dhe me zë të madh më është drejtuar: - Ma jep automatikun tënd se do të shkoj në drejtim të Kastriotit për të sulmuar! Unë i kam thënë: - Abedin, unë çka të bëj? -Ti ndaç shko e ndaç mos shko! Ymer Shala i ka thënë Abedinit se është një punkt (i policë serbe) te Çitakët për ta sulmuar. Abedini m'u ka drejtuar në mënyrë ultimative dhe ma ka marrrë automatikun dhe gjyksoren e më ka thënë: - Gani, a e ka fishekun në tytë?, dhe është futur në BMW. Me shpejtësi është larguar në drejtim të Kastriotit. Unë jam nisur në drejtim të Vitakut. Vlen të theksohet se kur e kam marrë automatikun më kanë munguar 24 predha blindshpues dhe i kam ndërruar dy karikatorë.
Deklaratën e dha Gani Haxhi Bekaj,
DEKLARATË
më 3. 11. 1998, Kllodernicë
Unë Avni Haxha, i lindur më datën 5 nëntor 1975, në Açarevë, komuna e Skënderajt, deklaroj me përgjegjësi të plotë, se do të tregoj të vërtetën e asaj dite të datës 8 tetor 1998. Kemi qenë duke shkuar në Kastriot, unë me katër shokë, me Gani Gecin, Besim Dajakun, Bashkim Gecin dhe Afrim Gecin. Te shitorja në Kllodernicë jemi ndalur me bisedue me disa shokë. Abedini ka trupue me Skënder Dragën e Hamit Binakun. Ganiu e ka ndalë Abedinin dhe e ka pyetur për një problem të vetin. Pas 2 - 3 minutave janë dëgjuar dy të shtëna për tokë, sepse kam qenë ma larg.
Në atë moment kam ngarë e kam kap Abedinin si shok e, e kam shti në kerr. Abedini ka dalë prej kerri e ka thënë: - Pasha nanën, që e kam nga Obria, kam me të vra! Janë përshëndet me Skënder Dragën dhe kanë marrë rrugën teposhtë. Vlen të theksohet se para nisjes së tij teposhtë ka shtuar se: «Kush është shok me armë mos shkoni me Ganiun se kam me e vra». Ne kena fillue të shkojmë në drejtim të punës sonë. Mbasi kemi krye punën në Kastriot jemi kthyer teposhtë, papritmas kemi hasur në kerrin e Abedinit, e kam parë se e kishte ndalur në mes të rrugës, pak si tërthorazi, në anën e poshtme i kanë hapur dyert e kerrit dhe janë dalë dy të parët dhe kanë fillue me shti në kerrin tonë. Unë kam thënë me të madhe: Na u lujt nëna!
Avni Haxha
DEKLARATË
Pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jam i betuar t'i mbrojë interesat kombëtare, ashtu si i ka hije një ushtari të disiplinuar dhe me rrethana të pastërta familjare. Më 8 tetor, në ora 16.00 ishim duke qëndruar në rrugë afër shitorës «Kastrioti» në Kllodërnicë, me një grup njerëzish. Në ato momente u takuan Abedin Rexha me shokë dhe Gani Geci, gjithashtu me shokë. Ata u ndalën dhe u përshëndetën, si dhe u ndanë nga masa në një distancë prej 20 metra.
Biseduan diçka, por ne nuk i dëgjuam, pastaj u dëgjuan të shtëna në ajër apo në tokë. Ne nuk i diktuam, prandaj kemi vrapuar dhe kemi ndërhyrë ku fatmirësisht u ndërpritën (ndanë) pa ekscese. Në të shpërndarë, Abedin Rexhën e dëgjuam duke i thënë Ganiut: - Ma ladrofsh nënën se këtë punë nuk do ta lë!, këtë mund ta dëshmojnë edhe shokët. U shpërndanë në drejtime të kundërta. Abedini në drejtim të Turiçefcit, kurse Ganiu në drejtim të fshatit Kastriot. Pas 30 - 40 minutash u kthye Abedini me shokë, ku fatkeqësisht ndodhi tragjedia, në fshatin Kastriot. Ju falënderoj për mirëkuptim.
Sahit Abazi (nënshkrimi).
DEKLARATË
Ditën kur ka ndodhur ngjarja kam hasur rastësisht në rrugë pranë shitores së Smajl Abazit. Kam parë kur janë takuar personat Gani Geci dhe Abedin Binaku. Pas pak janë ndarë nga masa me një largësi prej 15-20 metra dhe diçka kanë biseduar. Nuk e kam dëgjuar bisedën e tyre vetëm pas pak janë dëgjuar dy krisma në tokë apo në ajër nuk e di. Pas këtyre krismave janë ndarë ndërmjet vete. Janë shpërndarë në drejtime të kundërta.
Deklaratën e dha Fetah Mulaj
Kllodernicë
DEKLARATË
Kastriot, më 18 tetor 1998
Veturen BMW nuk e kam parë, ndërsa xhipin e Ganisë, kur ka frenuar e kam parë. E kam parë kur ia kanë thyer xhamat me rafal, i kam parë ata kur kanë rënë brenda në xhip. Pastaj e kam parë Ganiun kur e ka vënë automatikun mbi timon dhe ka gjuajtur, pastaj unë kam ikur në katin e dytë dhe nuk di se çka ka ndodhur më vonë.
Imer Kadri Haliti
DEKLARATË
20 tetor 1998
Unë nuk e kam parë BMW-në a është ndalur apo jo, veç e kam parë xhipin kur ka frenuar, dhe është dëgjuar rafali i automatikut, atëherë e kam parë Ganiun kur e ka qitur automatikun mbi volan, pastaj i kam parë të gjithë kur kanë dalë prej xhipit.
Alush Demush Ahmetaj
nënshkrimi
DEKLARATË
Unë Bashkim Ferat Geci, i lindur më 26 tetor 1974 në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt, deklaroj: Më 8 tetor 1998 rreth orës 16.00 kemi qenë duke shkuar në fshatin Kastriot, unë, Gani Geci, Avni Haxha, Afrim Geci dhe Besim Dajaku. Në fshatin Kllodernicë jam takuar me Bajram Galan Gecin dhe disa fshatarë të tjerë, duke hipur në veturë, me qëllim shkuarje në Kastriot. Në atë moment ka ardhur një BMW, Ganiu ia ka bërë me dorë dhe vetura u ndal.
Pastaj janë larguar nja 10 - 15 metra dhe kanë biseduar diçka. Pastaj e kam dëgjuar Abedinin duke thënë: - E kam vrarë Ahmet Krasniqin! Nuk e di mirë se çka thonin, pastaj i kam dëgjuar dy krisma në tokë, pastaj kanë ndërhyrë disa njerëz që e kanë shtyrë Ganiun përpjetë. Skënderi e ka patur automatikun në dorë dhe ka fillu të shkojë në drejtim të Ganiut, i kam dalë përpara dhe e kam ndalur. Abedini ka sharë duke thënë:
- Ma q… nanën (me emër), prej Obrije se kam me të vra!, dhe ka thanë: - Kush është shokë me armë mos hypni në kerr!, dhe kemi shkuar përpjetë e ai ka shkuar teposhtë. Ne kemi shkuar deri në Kastriot, pas 10 minutave jemi kthyer teposhtë, e kam parë BMW-në të ndalur për së trup, një traktor ka qenë para nesh. Kur e kanë parë kerrin tonë, dy të parët kanë dalë prej kerrit dhe kanë shti në drejtimin tonë. Dikush në kerr ka piskatë: - Na u q… nana, na vrajtën! Unë kam qenë në mes, nuk kam mundur të dal, nga njëra anë ka qenë Besimi, nga tjetra Afrimi. Di se Afrimi e ka çel derën, duke u munduar të dalë, iu kanë përthurë këmbët dhe ka rënë me krye teposhtë në tokë.
Kam menduar se atë e kanë marrë plumbat, e kam shtyrë me këmbë e vet kam rënë me shpinë për tokë. Kam dal diqysh pas veture, e pash Ganiun pas kerri, unë kam ikur në anën e epërme të rrugës mbrapa shtëpisë. Avniun e kam parë duke folur me Skënder Dragën. Kam dashur të gjuaj, ai e kishte pasur automatikun në drejtimin tonë, por Avniu ka thënë: - Mos gjuni se jemi shqiptarë!, unë dhe Afrimi jemi larguar përpjetë, edhe Avniu ka ardhur me ne, unë nuk e dij se çka është bërë më. Avniu ka shtuar se: - Më duket se është plagosur Ganiu, më nuk di asgjë.
Deklaron: Bashkim F. Geci
(nënshkrimi) Më, 15 tetor 1998
DEKLARATË
Unë, Besim Hasan Dajaku, i lindur më 19 dhjetor 1969, në fshatin Rakinicë, komuna e Skënderajt ; deklaroj: Më 8 tetor 1998 rreth orës 14.00 jam takuar rastësisht me shokun tim Gani Gecin në fshatin Kllodërnicë. Ganiu më ka thënë: - Hajde të shkojmë deri në Izbicë për të ngrënë drekë. Ne kemi shkuar në Izbicë. Te lumi, në Izbicë, kemi mbetur me xhip në lloç. Rreth orës 15.30 Ganiu më ka thënë: - Ngjitnu ju e hani drekë, se unë kam me shkue me Avniun deri në fshatin Kastriot».
Në ora 17.00 unë i kam thënë se po vij edhe unë me ju. Dhe jemi nisur. Kur kemi shkuar në Kllodërnicë jemi ndalur te shitorja me disa shokë. Ka ardhur Abedini me BMW-në, me Hamit Binakun e Skënder Dragën. Ganiu e ka ndalë Abedinin për ta pyetur për disa punë të veta. Janë larguar nja 15 - 20 metra për të biseduar.
Nuk janë dëgjuar se çka flisnin ndër vete. Pastaj e kam dëgjuar Abedinin kur ka thënë: - Tanve kena me ju vra, pastaj janë dëgjuar të shtëna për toke. Kanë ndërhyrë njerëzit, pastaj janë ndarë. Abedini i tha Ganiut: - Ti më vrave, Zoti nuk më ka vrarë! - pastaj ka shtuar - Ma q… nanën (me emër prej Obrije), se kam me ti shpërblyer këta plumba! Pastaj ka dalë prej kerri dhe ka thënë: - Kush është shok me armë, mos shkoni me ta se kam m'i vra!
Ne jemi ngjitur në veturë dhe kena shkuar deri në Kastriot, pas pak jemi kthyer te poshtë. Papritmas kemi hasur në BMW-në e Abedinit, të ndalur në mes të rrugës pak si tërthorazi. Dy të parët kanë dalë si e kanë parë kerrin tonë dhe papritmas filluan të shtijnë në xhipin tonë. Dikush briti: - Na vrajtën! Shokët që kanë qenë me mua janë mundue me dalë prej kerri, por nuk kanë mundur prej plumbave. Nuk e dij se si kanë dalë, vetëm unë kam rënë nën karriga deri sa kanë pushuar krismat.
Pastaj kam dëgjuar gruan në traktor duke piskatë: - O, ma vratë djalin! Kam dalë prej kerri dhe kam shkuar e kam marrë djalin dhe e kam qitë në traktor. Djali kishte qenë i fshehur pas traktorit në anën e kerrit tonë. I kam dhënë traktorit përpara, me gruan, djalin dhe një vajzë, dhe i çova deri në Kllodërnicë. Kur jam ngjitur në traktor e kam parë Hamitin në pozicion pas BMW-së, pastaj nuk e dij se çka është bërë.
Besim Dajaku (nënshkrimi)
Rakinicë, më 9 nëntor 1998
DEKLARATË
Unë, Gani Geci, i lindur më 20 janar 1968 në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt deklaroj se: Rreth orës 16. °° kam qenë duke shkuar deri në Kastriot. Në Kllodërnicë te shitorja jam takuar me Bajram Gecin si dhe disa fshatarë të tjerë të Kllodërnicës. Kemi biseduar, si jeni, si po kaloni dhe a po mërziten. Duke shkuar tek kerri ka ardhur Abedini me Hamitin e Skënderin.
Ua kam bërë me dorë dhe janë ndalur. Jemi larguar nja 10 - 15 metra larg prej njerëzve, për të biseduar. Pastaj i thashë: «Pse bre Abedin po ju thue njerëzve se, «nëse rrini me Fadilin dhe vëllezërit e tij do t'ua gjuaj shtëpitë me top? Ai më ka thënë se: - Ne e kena vrarë Ahmet Krasniqin dhe Sabri Hamitin, edhe juve kena me ju vra të gjithëve, kush është me ta!, dhe e ka çuar dorën te revolja. Unë jam nervozuar dhe i kam zbrazur dy fishekë në tokë.
Njerëzit ndërhynë, Abedini shau dhe tha: - Ti më vrave, por Zoti nuk më ka vrarë! Unë nuk kam dashur ta vras Abedinin se me pas dashur e kisha vrarë aty. Ka pasur shumë dëshmitarë të cilëve nuk ua di emrat. Ai ka shtuar: - Sot do të vras!, pastaj ka vazhduar rrugën teposhtë. Unë kam shkuar përpjetë deri në Kastriot, të kryej disa punë. Pas kryerjes së punëve jam kthyer.
Arsyen përse kam qenë në Kastriot e di Kadri Haliti e të gjithë ushtarët e Kastriotit bashkë me komandantin e tyre. Në kerr kam qenë bashkë me Avni Haxhën, Besim Dajakun, Bashkim Gecin dhe Afrim Gecin. Duke u kthyer te shtëpia e mjeshtrit të kerreve e kemi parë BMW-në e ndalur tërthor. Në momentin kur e kanë parë kerrin tonë kanë dalë dy të parët dhe i kanë nxjerrë automatikët mbi dyer.
Menjëherë filluan të shtijnë. Shokët kanë bërtitur: - Na vranë! dhe kanë fillue me ikë. Unë e kam pasë automatikun në prehër, jam përkulur dhe nën timon e kam hapur derën. Automatikun e kam ngritur dhe kam shti në drejtim të tyre. Mandej kam dal jashtë. Kam ikur prapa kerrit dhe kam shkuar në drejtim të një shtëpie në anën e poshtme të rrugës.
Të shtëna janë dëgjuar nga shumë drejtime. Kam pasur gjak në fytyrë nga spirrat e xhamave. I kam larë sytë dhe jam kthye për të parë se çka është bërë. Te kerri e kam takuar Skënderin, e kam pyetur se kush është vrarë, dhe a janë vrarë ata që kanë qenë me mua? Ai m'u ka përgjigj se: - Është vrarë Abedini. Skënderit i kam thënë se duhet ta tregonte realitetin. Vlen të theksohet se diku nja 5 - 6 metra, në anën e djathtë ka qenë një traktor me disa fëmijë e gra. Ata e dinë rastin shumë mirë. Kur jam kthyer te kerri BMW, kerri im nuk ishte më aty, e kishin marrë disa djem dhe e kishin dërguar dikund.
Deklaraten e jep Gani Geci
(nënshkrimi) me 10 tetor, 1998
DEKLARATË
e pesë dëshmitarëve
Më 7 tetor 1998 jemi takuar te mjeshtri i kerreve me Imer Kadri Halitin, në fshatin Kastriot, me Gani Gecin, Avni Haxhen, Afrim Gecin dhe Bashkim Gecin. Aty kemi biseduar rreth situatës së përgjithshme dhe problemeve të cilat na mundonin të gjithëve, rreth disa plaçkitjeve që i bënte policia serbe, pothuajse çdo ditë në lagjen Topallaj si dhe lagjet tjera. Me Ganiun dhe Avniun biseduam për mungesë të disa armëve me durbi (snajperka).
Ganiu dhe Avniu na premtuan se «kur të doni ua sjellim». Më në fund vendosëm për të nesërmen, më 8 tetor 1998, diku rreth orës 12.00. Të nesërmen Ganiu dhe Avniu, të shoqëruar me Afrimin dhe Bashkimin na i sollën 3 snajperka. Pasi që ishte koha e drekës ne hëngrëm së bashku të gjithë. Ata deshën të na shoqërojnë në një aksion, mirëpo ne propozuam që aksionin ta kryejmë vetë. Ata na thanë: - Si të doni, ne nuk përtojmë as nuk ua imponojmë, vendosni vetë.
Ne vendosëm që aksionin ta kryejmë vetë pa personat në fjalë. Me Ganiun, Avniun, Bashkimin e Afrimin u përshëndetëm dhe iu tham të ktheheshin rreth orës 17.00 dhe t'i marrin armët e veta. Ne e kryem punën tonë dhe u tërhoqëm pak para orës 17.00. Ganiu, Avniu, Besimi, Afrimi dhe Bashkimi pas pak kohe arritën për t'i marrë armët e veta. Personat në fjalë vazhduan rrugën, i falënderuam dhe u përshëndetëm. Pas 5 - 10 minuta u dëgjuan disa rafale të gjata automatiku.
Ne menduam se në fshat hyri policia serbe. Dolëm në oborr dhe dëgjuam se nga po shtihet. Vrapuam në drejtim të të shtënave. Rrugës morëm vesh se dikush në mes veti. Po sa arritëm në vendin e ngjarjes, pamë xhipin me të gjithë xhamat e thyer, vetura ishte në kontakt. Më poshtë pamë një BMW, të ndalur tërthorazi, në anën e majtë. Aty pamë, mbi BMW-në, karikatorin e zbrazur. Aty afër 4 - 5 metra, pamë kufomën e Abedinit, pranë saj e pamë Skënder Dragën. (Skënder Mujë Skënderin). Mbi gjoksin e së cilës (kufomës) ishte një automatik me dy karikatore.
Vërtetuan: 1. nënshkrim (Rushit Haliti)
2. nënshkrim (Sadik Halili)
3. nënshkrim
4. nënshkrim
5. nënshkrim
DEKLARATË
e dy dëshmitarëve
Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se më 8 tetor të vitit 1998, rreth orës 17.00 e kemi parë Abedinin dhe dy persona tjerë: Hamit Binakun dhe Skënder Dragën, te servisi janë takuar me Gani Bekën. Abedini kishte qenë shumë nervoz. I a ka marrë Ganiut automatikun dhe gjyksorën dhe menjëherë ia ka çu në tyt plumbin, pastaj i ka dhënë shllajf rrotëve të BMW-së dhe ka marrë rrugën përpjetë.
Dëshmitarët që e kanë parë janë:
1. Xhevat Selimi (nënshkrimi)
2. Bekim Shala (nënshkrimi)
DEKLARATË
e dëshmitarit Refki Abazi
Kur ka qenë rasti mes Gani Gecit dhe Abedinit, kam qenë aty prezent. Fillimisht isha duke ndejtur me disa shokë, kur ka ardhur Ganiu me kerr me disa shokë të vet. Kur e pa kushëririn e vet, u ndal dhe bisedoi me neve dhe u afruan edhe disa të tjerë. Ka ndejtur kështu me neve rreth disa minuta, duke bërë llaf dhe muhabet. Pastaj u përshëndet me neve dhe tha: «Më falni se jam pa kohë, më duhet të shkoj deri te i biri i Kadri Monit për me kqyrë një kerr se nuk po më punon mirë».
Duke hyrë në veturë, në atë moment ka ardhur rastësisht Abedini dhe e ka ndalur veturën, ka folur diçka me Ganiun. Pastaj kanë zbritur nga veturat dhe janë larguar disa metra, rreth 30 metra. Se çka kanë biseduar mes vete nuk e di, ne e kemi vazhduar muhabetin, unë fola me Bajramin, vetëm e kam ni kur kanë ndërhyrë disa të tjerë në mes tyre dhe i kanë ndarë. Kur u afrua e kemi dëgjuar Abedinin duke thënë se «me m'ja bâ nënës kështu e ashtu se me mua s'ki me u nda mirë». Pastaj Abedini hipi në veturë dhe u nis në drejtim të Tyriçefcit. Pas 10 minutash u kthye me shpejtësi dhe në hymje të Kastriotit janë dëgjuar disa të shtëna, dhe pastaj nuk di asgjë.
Krijoni Kontakt