Kancelari gjerman Gerhard Schroeder, Presidenti Francez Zhak Chirac dhe kryeministri britanik Tony Blair u takuan dje në Berlin ku diskutuan lidhur me propozimet për zhvillimin ekonomik në Europë. Propozimet do të diskutohen edhe në takimin e marsit. Sipas ANSA, gjatë pasdites, tre liderët dërguan një letër në Presidencën irlandeze të BE dhe në Komision, lidhur me reformën e përbashkët në Evropë. Ndërmjet kërkesave është edhe ajo për një Superkomisar (zëvendëspresident i komisionit) për reformat ekonomike në BE. Schroeder ka precizuar që Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe "nuk duan të dominojnë askënd, aq më tepër Evropën". Shiraku e ka cilësuar mbledhjen si "tepër të suksesshme". Ndërkaq Gerhard Schroeder ka dëgjuar propozimin francez për të ulur Taksën mbi vlerën e shtuar në sektorin e shërbimeve dhe riparimeve duke filluar që nga viti 2006. Këtë gjë e bëri të qartë Chirak pas takimit. Rënia nga 19.6% në 5.5% e kësaj takse, është një nga premtimet e Shirakut gjatë fushatës elektorale të vitit 2002. Bleri e ka përkufizuar takimin si konstruktiv. "Hapësira ekonomike ndaj nesh ndryshon në mënyrë të shpejtë,- tha ai, dhe për këtë në mënyrë shumë të shpejtë duhet të reagojnë edhe qeveritë e BE". Takimet u zhvilluan gjatë pasdites njofton DË me një raund të zgjeruar me ministrat e ekonomisë, financave, të punës dhe të shëndetësisë. Në mbrëmje tre liderët kanë diskutuar në prani të Ministrave të Jashtëm lidhur me çështje të Kushtetutës së BE-së dhe rajonet ndërkombëtare të krizës. Shumë vende të vogla anëtare të BE-së e shohin me skepticizëm bashkëpunimin midis tri shteteve më të mëdha. Për Shirakun ka vetëm dy kushte: nuk duhet që këto vende të veprojnë kundër legjislacionit ekzistues të BE-së dhe që porta të mbetet e hapur për të gjithë, të cilët do të jenë të gatshëm të përmbushin kushte të caktuara. Vetëm Belgjika, Hungaria, Çekia dhe Greqia në fillim të vitit ishin të gatshme t´i bashkangjiteshin grupit të pionierëve gjë që presupozon krijimin e Evropës së dy shpejtësive. Italia, Spanja dhe Polonia e ndjejnë veten të përjashtuar dhe janë kundër këtij grupi, të cilin e damkosin si një drejtori të BE-së. Italia e kritikon ashpër forcimin e treshes në BE. Ministri italian për cështjet e Evropës, Roko Butilione paralajmëroi Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe që të mos tentojnë t´i imponojnë politikën e tyre pjesës tjetër të Evropës. Nëse ndodh kështu shtetet e tjera do ta ndjejnë veten si qytetarë të klasës së dytë brenda BE-së, deklaroi Butilioni për radiostacionin britanik BBC. Evropa përbëhët nga 25 shtete dhe jo nga tre nënvizoi ai, duke shtuar që Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk duhet të harrojnë se Italia është një vend po aq i madh dhe posedon një fuqi po aq të madhe ekonomike sa edhe tri vendet.