DURRES

Fatmira, nëna e Oracios nuk di asgjë për fatin e djalit tjetër të saj, Ermalit. Djali 14-vjeçar është larguar nga shtëpia dhe pasi ka lypur në Greqi dhe në portin e Durrësit ka përfunduar rrugëve të Italisë. Vetëm 2 ditë më parë ai u gjet nga policia italiane dhe deklaroi përpara hetuesve se nëna e kishte shitur te disa trafikantë shkodranë. Por këto akuza Fatmira i ka mohuar dje gjatë një interviste për "Gazetën".

A keni dijeni për djalin tuaj Ermalin i cili është gjtur nga policia italiane në një provincë të Breshias?
Jo. Nuk di asgjë. Kam 3 muaj që nuk flas me të as në telefon. Në shtëpi nuk kemi as drita që të mund të shihja televizor dhe ta merrja vesh.

A jeni merakosur meqenëse keni kaq kohë që nuk komunikoni?
Sigurisht që po. Prandaj jo shumë kohë më parë njoftova policinë e Durrësit duke i dhënë edhe fotografinë e Ermalit. Mesa duket policia e Durrësit e ka vënë në dijeni atë italiane dhe ata e paskan gjetur.

Ermali sapo është kapur ka denoncuar në polici se tutorët, te të cilët ju e kishit shitur kishin diskutuar për trafikimin e motrës së tij për qëllim prostitucioni. Çfarë mund të thoni për këto akuza?
Nuk e besoj. Ai është fëmijë dhe nuk e di se në çfarë rrethanash i paska thënë këto fjalë. Vajzën e kam në shtëpi dhe nuk kam ndjerë ndonjë kërcënim.

Kur ka shkuar Ermali në Itali?
Nuk ka as një vit. Ai iku vetë në mënyrë klandestine. Më tha në telefon se ishte vendosur në një kolegj në Alta Mura. Por kur e pyetëm një italian në shtëpinë e të cilit kishte ndejtur Ermali ai na tha se ishte larguar dhe këtu nisi dhe shqetësimi im.

Tani që është nën mbikëqyrjen e policies, çfarë mendon për të ardhmen e tij?
Dua që të kthehet në shkollë në Alta Mura se këtu nuk ka se çfarë të bëjë.

Po për Oracion çfarë di?
Nuk kam informacion, por e di që është nën kujdesin e Borrelit dhe nuk kam merak.


Fatmira lind vajzë: Eridanën nuk do e shesim

DURRES - Vetëm një javë më parë nëna e Oracios, Fatmira Bonjaku lindi fëmijën e saj të tetë. Ajo është vajzë dhe ia kënë vënë emrin Eridana. Por këtë lindje nëna nuk duket se e ka përjetuar me shumë gëzim. Ajo jeton në kushte shumë të vështira, ndërkohë që edhe të shoqin e ka ende në burg. "Jemi shumë të varfër. Askush nuk na ndihmon. Këtu kam 6 fëmijë dhe burrin në burg. Kam nevojë për rroba, ushqime, batanije dhe ngrohje. U bëj thirrje OJQ-ve dhe pushtetit të venë dorën në zemër e të na ndihmojnë".