Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345

    Vakëfet në Maqedoni

    Gjithçka filloi me osmanlinjtë

    Transmetohet me autenticitet se Pejgamberi - paqja e Zotit qoftë mbi të - ka thënë: "Tri gjëra më të mira që njeriu i lë pas tij (pas vdekjes së tij) janë: fëmija i cili lutet për të, lëmosha e cila rrjedh, e shpërblimi i saj arrin tek ai dhe dituria nga e cila kanë dobi të tjerët pas tij."


    Dr. Ahmet SHERIF / Ramadan RAMADANI


    Paraqitja dhe zhvillimi i kulturës islame në vendet tona është i lidhur, drejtpërdrejt, me ardhjen e turqve osmanlinj në Ballkan dhe në Maqedoni në gjysmën e dytë të shekullit XIV, përkatësisht kah fundi i atij shekulli. Osmanlinjtë, që nga fillimi, vendosën sistem të ri të udhëheqjes, të bazuar në vlera të reja. Me këtë, dhe sidomos me përhapjen e kulturës dhe fesë islame, u bënë ndryshime të mëdha në mënyrën dhe kuptimin e jetesës në mesin e banorëve lokalë, qoftë atyre që jetonin në fshat apo në qytet.


    Karakteristikë e qyteteve që ranë nën sundimin e Perandorisë osmane ishte përhapja e shpejtë e fesë islame në mesin e banorëve, kështu që për një kohë të shkurtër këto qytete bëheshin me shumicë myslimane. Ky proces për rezultat kishte faktin që mënyra e jetesës në qytetet ballkanike i ngjante kulturës islame, orientale. Ashtu që me kalimin e shekujve, pamja e qyteteve ndryshoi krejtësisht, duke fituar karakteristika islame apo orientale.


    Për këtë gjë dukshëm kontribuoi ndërtimi i objekteve të shumta islame si: xhami, mesxhide, medrese, mejtepe, teqe etj. Këto objekte janë ndërtuar nëpër mëhalla të qyteteve, por edhe në çarshitë. Pjesë e fizionomisë urbane të qyteteve të asaj kohe, po ashtu, kanë qenë edhe objektet publike, të nevojshme për funksionimin e komplekseve banuese dhe që kanë ndikuar në zgjerimin e sipërfaqes së banimit të vetë qytetit si: bezistenet, hanet, hamamet, ujësjellës, çezma, sahat-kulla, ura etj.


    Ndërtimi i shumë objekteve islame fetare dhe të atyre kulturore, profane, që kanë luajtur rol të madh në zhvillimin kulturor-fetar dhe shoqëror-ekonomik të myslimanëve është i lidhur drejtpërsëdrejti me institucionin e vakëfit.


    Institucioni i vakëfit (vakf, vakuf) është një institucion i rëndësishëm për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare, si dhe asaj shoqërore të myslimanëve. Ky institucion sipas definicionit është heqje dorë nga pronësia dhe përfitimi prej një të mire materiale për hir të Allahut, për shfrytëzim në qëllime të mira fetare. Si e tillë ajo drejtohet sipas kushteve të caktuara në vakfije (dokumenti legal për themelim të një vakëfi) dhe dispozitave të përgjithshme fetare për vakëfet.


    Argumentet bazë për dispozitat e përgjithshme fetare për vakëfet, si dhe për legjislaturën islame, adekuate për këtë institucion, nxirren prej Kur’anit, traditës së Pejgamberit dhe koncensusit të dijetarëve. Verseti i Kur’anit fisnik që ka të bëjë me këtë çështje është: “Nuk do arrini kurrë mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani diç nga ajo që e doni. Por, çkado që të ndani, Perëndia e di atë”. (3-92) Shumë komentatorë të Kur’anit e komentonin këtë ajet me vakëfin dhe mu me rastin e bindjes nga ky ajet, njëri prej shokëve të Pejgamberit e la tokën më të dashur vakëf, kurse Pejgamberi e lejoi për këtë dhe e udhëzoi se si të vepronte. Vetë Pejgamberi i pati lënë vakëf shtatë vende në Medine.


    Zanafilla e këtij institucioni është e hershme, kështu që vakëfet datojnë deri edhe para islamit. Në mënyra të ndryshme njerëzit kanë hequr dorë nga ndonjë e mirë materiale dhe kanë bërë sakrificë materiale për qëllime të mira dhe në dobi të përgjithshme, por institucionalizimin e mirëfilltë të një veprimi të këtillë e kanë bërë myslimanët. Kjo nga shkaku se ata ishin të stimuluar me porosinë profetike, ku vakëfi përmendet si njëra prej tri gjërave që sjellin të mira edhe pas vdekjes. Përkatësisht, transmetohet me autenticitet se Pejgamberi - paqja e Zotit qoftë mbi të - ka thënë: "Tri gjëra më të mira që njeriu i lë pas tij (pas vdekjes së tij) janë: fëmija i cili lutet për të, lëmosha e cila rrjedh, e shpërblimi i saj arrin tek ai dhe dituria nga e cila kanë dobi të tjerët pas tij."


    Institucioni i vakëfit në historinë islame ka përjetuar zhvillime të ndryshme, kurse në periudha të caktuara ka pasur ngritje dhe lulëzim. Kjo ndodhi sidomos gjatë Perandorisë osmane dhe në tokat të cilat udhëhiqeshin me rendin e vendosur nga kjo perandori. Kjo shihet qartë nga regjistrimet zyrtare të popullatës dhe mallrave në Perandorinë osmane, ku në një kaptinë të mëvetësishme regjistroheshin pronat e vakëfit. Shtimi i vakëfit në këtë periudhë historike nuk ishte vetëm në sasi, por edhe në llojllojshmëri, ashtu që janë të regjistruara edhe raste si vakëfi për pëllumbat, ku të ardhurat prej qirasë së një hani dedikoheshin, me kusht të vënduar nga mirëbërësi, për ushqim të pëllumbave që qëndronin përreth xhamisë.


    Edhe shumësia dhe llojllojshmëria e vakëfeve në Maqedoni është po ashtu e ndikuar nga ky lulëzim i veçantë i institucionit të vakëfit në Perandorinë osmane. Ashtu edhe te ne shohim se ka vakëfe nga më të ndryshmet - prej atyre fetare dhe arsimore, deri tek ato publike dhe ekonomike. Bile, shpesh këto dyja ishin të ndërlidhura mes vete, ashtu që paraqitnin një kompleks të tërë, siç mund të shohim në shembullin e vakëfeve të bamirësit të madh të shekullit XV, Isa Begu, ku ai për medresenë (institucioni fetaro-arsimor) ndau 60 vakëfe, ndër të cilat kishte shumë dyqane, tokë banimi, ara, vreshta, mulli, furrë buke, një fshat të tërë (Draçevë) dhe dy hamame - Çifte Hamami në Shkup dhe një tjetër në Tetovë.


    Lulëzimi i institucionit të vakëfit në Perandorinë osmane ndiqej edhe nga zhvillimi i legjislaturës së nevojshme për dispozitat juridike në lidhje me të, ashtu që vërejmë se gati gjithë përmbledhjet e mëvonshme të jurisprudencës islame përmbanin libër apo kaptinë të veçantë për vakëfin dhe dispozitat e tij.


    Në lidhje me dispozitat juridike për vakëfin vlen të ceket fakti se burim i legjislaturës përkatëse, pos teksteve fetare dhe rregullave të përgjithshme, është edhe vakfija. Kushti i caktuar në këtë dokument me të cilin themelohet një vakëf, i emërtuar edhe si vakëfname, është i plotvlefshëm juridikisht dhe është në shkallë të njëjtë me tekstin e sheriatit. Nga kjo sferë e legjislacionit është i njohur parimi “kushti i vakifit (personi që lë vakëf) është si teksti i Ligjëvënësit (Kur’ani apo hadithi profetik)”.


    Karakteri fetar i këtij institucioni ishte faktori kryesor që siguronte vazhdimësinë e vakëfit. Mu për shkak të ndjenjave fetare të forta për to, ato mbeteshin si simbol i vazhdimësisë dhe stabilitetit edhe në kohë të turbulencave politike, por edhe gjatë jostabilitetit administrativ shtetëror. Kjo ngase ato mbeteshin jashta ndërhyrjeve politike apo administrative në saje të rregullave se pasuria e patundshme që ishte vakëf me asnjë shkak nuk mund të uzurpohej e as të ndryshohej funksioni i saj.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Xhamia, objekt kryesor i mirëbërësve




    Në dokumentet e arkivave osmane, për shekullin XIX, kemi të dhënën se vetëm për xhamitë e qytetit të Manastirit ishin të lëna vakëf rreth 1.000 dyqane, qiraja e të cilëve dedikohej për mirëmbajtje dhe funksionim të xhamive të këtij qyteti. Qiraxhinjtë e këtyre objekteve ishin esnafë të ndryshëm dhe shpesh nuk ishte me rëndësi as përkatësia fetare e të njëjtëve, kështu që ndodhte që qiraxhiu në ndonjë dyqan të jenë çifut apo i krishter


    Dr. Ahmet SHERIF / Ramadan RAMADANI


    Pronat që bamirësit e ndryshëm i lanë vakëf në aspekt të legjislaturës dhe të studimit të hollësishëm të tyre ndahen në kategori dhe lloje të ndryshme, por ne do mjaftohemi me përmendjen e disa prej tyre, relevante për temën që shtjellojmë dhe që janë prezente në Maqedoni. Prona që lihet vakëf për kah natyra e saj ndahet në të patundshme dhe pasuri e tundshme. Në të patundshmen hyjnë gjithë prona dhe pasuria e cila nuk mund të bartet; tokë apo ndërtesa të ndryshme. Kurse vakëfi në patundshmëri është ajo që mund të bartet dhe zakonisht është bërë në libra, armë apo në të holla. Edhe pse zakonisht nëpër viset tona janë bërë vakëf në patundshmëri shkaku se kjo mundësonte vazhdimësi të veprës së mirë, nuk janë të rralla rastet kur janë lënë edhe pasuri të tundshme si vakëf, sidomos në libra, që në atë kohë kishin vlerë të veçantë. Libra shumë të vjetër dhe dorëshkrime të ndryshme janë lënë vakëf për xhami, medrese dhe mektebe, por prej tyre ka që janë të cekura edhe si të veçanta nëpër vakfije të ndryshme e që në esencë ishin bazë e bibliotekave publike, të cilat luajtën rol të veçantë në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të tëra të kësaj popullate.


    Prej vakëfeve të patundshme dallohen objektet fetare dhe ato publike që ishin fetaro-arsimore, kulturore apo edhe ekonomiko-shoqërore. Objektet fetare janë: xhamia, faltore qendrore shpesh edhe me objekte përcjellëse në të cilën përveç lutjeve ditore kryhet edhe lutja e xhumasë, mesxhidi, faltore e vogël, zakonisht nëpër mëhalla dhe fshatra të vegjël, ku kryhen vetëm lutjet ditore, namazgjah/musal-la, vend i gjerë ku kryheshin lutjet e festave të Bajramit, zakonisht nëpër qytete, teqetë dhe zavijet, objekte fetare ku rendet dhe tarikatet sufite praktikonin ritet e tyre dhe tyrbet e varrezat, varreza myslimane, toka e të cilave është vakëf.


    Objekti fetar qendror gjatë gjithë historisë islame ishte xhamia. Ky institucion i veçantë ishte edhe objekti kryesor për vakëfet e ndryshme dhe njëri prej objekteve të cilave u dedikoheshin pasuria dhe fitimi nga pasuria e vakëfit. Zakonisht xhamia ishte objekti qendror i ndonjë mirëbërësi dhe për xhaminë liheshin vakëf objekte të ndryshme profitabile, të dedikuara enkas për mirëmbajtjen dhe funksionimin e saj. Këto objekte ose sillnin përfitim direkt për xhaminë si shembulli i ndonjë shtëpie të lënë vakëf i dedikuar për të banuar në te imami i xhamisë përkatëse, ose sillte profit indirekt, në para dhe pasuri të ndryshme, në saje të qirasë së objektit e prej të cilit mirëmbahej xhamia me krejt harxhimet e nevojshme, përfshi këtu edhe rrogat e punonjësve. Ashtu, në dokumentet e arkivave osmane, për shekullin XIX, kemi të dhënën se vetëm për xhamitë e qytetit të Manastirit ishin të lëna vakëf rreth 1.000 dyqane, qiraja e të cilëve dedikohej për mirëmbajtje dhe funksionim të xhamive të këtij qyteti. Qiraxhinjtë e këtyre objekteve ishin esnafë të ndryshëm dhe shpesh nuk ishte me rëndësi as përkatësia fetare e të njëjtëve, kështu që ndodhte që qiraxhiu në ndonjë dyqan të jenë çifut apo i krishter.


    Xhamia në periudhën osmane ishte edhe vendi qendror i mëhallës dhe prej aty kryheshin shumë funksione të një pushteti lokal. Ashtu, vërejmë se me kohë shumica e mëhallave nëpër qytetet e atëhershme e kanë marrë emrin e xhamisë që ishte e ndërtuar në te. Kjo ngase zakonisht xhamia nuk ishte objekt i vetëm i ndërtuar në lagje, por përbënte një kompleks të tërë i emërtuar në terminologji si qul-lije. Një qul-lije përbëhej prej vetë xhamisë dhe mektebit, imaret, shtëpitë e vakëfit dhe objekteve tjera përcjellëse si medrese, hamam etj. Këto vakëfe komplekse zakonisht ishin të bëra nga ana e ndonjë sulltani apo ndonjë pushtetari lokal dhe dallohen nga të tjerat për nga pasuria dhe llojllojshmëria e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur mirëbërësi ka qenë prej popullatës së thjeshtë, madje edhe në shumë raste femra, që kanë lënë vakëf të madh dhe të llojllojshëm nga pasuria e tyre, si shembulli i Ajshe Hatunit në Shkup, që për nevojat e xhamisë la vakëf: 7 dyqanet e trashëguara nga babai, një arë prej 40 dynymëve, 2 shtëpi në mëhallën Hatunxhikler, një bahçe në mëhallën Jigit Pasha, një mulli me 6 gurë në afërsi të Shkupit dhe të holla në shumë prej 14.000 akçeve.


    Vakëfet e bëra nga popullata e thjeshtë ishin më të shumta në numër, por ato ishin më të vogla sa i përket të ardhurave vjetore nga to. Përveç këtyre llojeve, kishte edhe raste kur disa mirëbërës bashkohen për të bërë një vakëf si në rastin e zavijes të xhamisë Husam Pasha në Shtip, për të cilin, siç ceket në dokumentin përkatës, “lanë vakëf shumë myslimanë”.


    Gjithë pasuria e lënë vakëf për ndonjë xhami ishte e bërë me qëllim që të funksionojë rendi në xhami dhe që në te të mund të kryhen ritet fetare, pa marrë parasysh rrethanat sociale dhe politike të kohës. Në saje të pasurisë përcjellëse të lënë vakëf, punonjësit fetarë si dhe administruesit e vakëfit siguronin ekzistencën materiale të nevojshme. Ashtu, xhamia kishte të siguruara të ardhura prej ndonjë qiraje për hatibin, ligjërues në lutjen e xhumasë. Ndonjë të ardhur tjetër për rrogë imamit, personit që udhëhiqte në lutjet ditore apo për myezinin. Por edhe për mualimin dhe myderizin, mësues në mejtep apo medrese. Funksionet që gati çdo herë ishin prezentë në vakëf ishin mutevelliu, administruesi qendror i vakëfit përkatës dhe kajjumi, mirëmbajtës dhe kujdestar i xhamisë. Përveç këtyre, nëpër vakëfe të ndryshme hasen edhe funksione të shumta të tjera, të cilat po ashtu kanë të bëjnë me udhëheqjen e vakëfit apo me kryerjen e riteve në xhami, e që zakonisht kishin detyrë speciale, ndonjëherë edhe të caktuar me kusht nga mirëbërësi, si fjala bie muvakkiti, llogaritës i kohës për lutjet ditore. Apo edhe kushte më specifike, si në rastin kur Durak beu prej Manastiri la vakëf “mullirin me dy gurë nën një çati” për xhaminë Çaush Ali në të njëjtin qytet me kusht që imami i xhamisë të lexojë kaptinën “Nebe” nga Kur’ani pas çdo lutjeje të mbrëmjes dhe kështu ai të shfrytëzojë të ardhurat ditore prej këtij mulliri.


    Me dobësimin e Perandorisë osmane institucioni i vakëfit përjeton një rënie në cilësi të administrimit, ashtu që nëpër dokumente të asaj periudhe vërehet një shpeshtim i intervenimeve gjyqësore nga ana e kadive dhe të pushtetit për kthim të ndonjë prone të vakëfit të uzurpuar nga vetë mutevelliu apo persona tjerë, si dhe raste të evidencuara të keqpërdorimit të të ardhurave të vakëfit dhe shfrytëzim i tyre për qëllime personale apo për qëllime të kundërta me kushtet e caktuara nga mirëbërësi. Këto keqpërdorime përveç shkaktimit të anomalive të shumta në udhëheqjen e vakëfit që hasen në këtë periudhë të vonshme, dukshëm ndikuan edhe në rënien e funksionimit të rendit në objektet fetare. Kjo ndodhte ngase keqpërdorimet në pronat e vakëfit reflektoheshin në cilësinë e mirëmbajtjes të vetë objektit fetar, që me kohë sillte edhe deri tek nevoja për mjete shtesë për sanim të vetë objekteve. Me ndërrimin e ndërduart të pushtetit në Ballkan dhe Maqedoni, në fillim të shekullit XX, erdhi deri edhe tek rënimi i shumë objekteve fetare, uzurpimi i tyre nga pushtete të ndryshme dhe diku-diku edhe te ndryshimi i funksioneve të tyre. Ashtu, sot mund të shohim se një numër i konsiderueshëm i xhamive nuk ekzistojnë më, sidomos në Maqedoninë lindore, ku migrimi i popullatës myslimane ishte i madh (shembull: prej 17 xhamive në Strumicë, të evidencuara nga ana e Ekrem Hakki Ayverdit në veprën e tij për objektet e arkitekturës osmane në Evropë, tani ka mbetur vetëm një). Po ashtu, një sërë objekte fetare nuk ekzistojnë më apo gjenden në gjendje të rrënuar edhe në vetë qytetin e Shkupit, qytet ky që sipas udhëpërshkruesit të njohur botëror Evlija Çelebi, i cili në veprën e tij të njohur “Seyahat Name” na tregon se: “… në Shkup, ka 120 mihraba (vende ku falen namazet), xhami të mëdha dhe mesxhide të vogla… “, ndërsa prej tyre sot kanë mbetur vetëm 19 xhami. Kurse disa objekteve fetare iu ndryshua funksioni, ashtu që ato sot shërbejnë si objekte profane, si shembulli në qytetin e Manastirit, ku xhamia është shndërruar në galeri.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    "Dhe prej ujit u bë çdo gjë e gjallë…"
    Duke qenë se arsimimi dhe edukimi është obligim fetar dhe vepër e pëlqyer, vazhdimisht ndërtoheshin objekte që shërbenin për nxënie të diturisë në nivele të ndryshme. Ndonëse më së shumti themeloheshin mejtepe dhe medrese që siguronin arsimim fillestar dhe të mesëm, në Maqedoni pati edhe institucione të larta të arsimit, të njohura si darul-hadith (institut shkencor i veçantë për studim të diturive rreth traditës pejgamberike) ose Darul-Kura (institut shkencor i veçantë për studim të Kur’anit fisnik). Evlija Çelebia na tregon për tre Darul-Kura në Shtip




    Dr. Ahmet SHERIF / Ramadan RAMADANI


    Krahas vakëfeve fetare, që kryesisht shërbenin për zhvillimin e jetës fetare, vakëfe të tjera të ndryshme të natyrës ekonomike-shoqërore kontribuan shumë për llojllojshmërinë dhe funksionalitetin e gjerë të institucionit të vakëfit gjatë tërë historisë. Me kryerje të një sërë shërbimesh në saje të tyre, këto vakëfe dukshëm kontribuan në mbarëvajtjen e jetës kulturore, arsimore, ekonomike dhe asaj sociale. Këto vakëfe të karakterit ekonomik-shoqëror në literaturë u emërtuan edhe si profane, duke marrë parasysh se për dallim të vakëfeve fetare, këto vepra mirëbërësie kishin vetëm motivin dhe legjislacionin fetar, kurse qëllimet për të cilat shërbenin ishin të kësaj bote. Nga spektri i gjerë i shërbimeve dhe funksioneve që këto vakëfe kryenin për popullatën, mund të veçojmë ato për mirëmbajtjen e institucioneve të ndryshme kulturore-arsimore, si shkolla dhe biblioteka, ato civile-ushtarake si shtëpi, kopshte, kazerma; ekonomike, si çarshitë, bezistenet, pazaret, si dhe vakëfe me karakter social dhe humanitar, si spitalet dhe imaretet. Po ashtu hasen edhe vakëfe më specifike, si ato që kanë të bëjnë me ujin, ku bëjnë pjesë çezmat, ujësjellësit etj. dhe ato sportive, që ndihmonin zhvillimin e sporteve të ndryshme, si atë të pehlivanëve tradicionalë (mundje) apo diku-diku edhe të gjuajtjes me shtizë apo shigjetë.


    Karakteristika kryesore e vakëfeve ekonomike ishte se ato përveç që dalloheshin me ate se duke qenë profitabile, e mirëmbanin veten dhe ishin të lidhura me ndonjë vakëf tjetër për të cilin siguronin të ardhura. Nga vakëfet ekonomike veçohen dyqanet e ndryshme nëpër çarshitë e qyteteve dhe vendet për pazare në qytete, por edhe ne fshatra më të mëdha. Ndërkohë që pazaret kryesisht ishin të definuara sipas llojit të mallrave të cilat tregtoheshin në to, dyqanet e vakëfit kishin asortiment të gjerë të veprimtarisë zejtare që kryhej në to. Sipas regjistrit për vakëfin e Manastirit për vitin 1837-38, në 921 dyqane të vakëfit kryheshin gjithsej 74 lloje të ndryshme të veprimtarive zejtare dhe tregtare. Ndër këta më të numërt ishin rrobaqepësit me 136 dyqane të marra me qira nga vakëfi, mandej vinin 83 shitësit e mëndafshit e mandej kishte edhe 67 bakallë.


    Bezisteni ishte objekti kryesor nëpër çarshitë dhe sipas disa studiuesve është qeliza formuese e çarshive. Në fillim në bezisten shiteshin pëlhurat (bez=pëlhurë) kurse më vonë ato shërbejnë edhe si vendet e posaçme të çarshisë në të cilat kryheshte tregtia me mallra të çmueshëm. Mu sikur që rreth xhamisë sillej krejt aktiviteti fetar, ashtu edhe rreth bezistenit përqëndroheshin krejt aktivitetet tregtare të një qyteti. Kështu bezisteni i Shkupit që në shekullin XV ishte vakëf i Ishak Beut, kurse sipas Evans-it, ai gjendej në gjendje të rrënuar në shek. XVIII, ishte objekti kryesor në çarshinë e vjetër të Shkupit.


    Objekte tjera me karakter ekonomik ishin edhe hanet. Hanet nuk ishin vetëm bujtina, por ato shërbenin edhe si vende për tregti. Hanet janë ndër objektet kryesore ekonomike dhe zakonisht gjendeshin në çarshitë e qyteteve. Në to për bujtje qëndronin tregtarët e karvanëve të mëdhenj dhe tregtarët lokalë. Prej gjithsej 13 haneve të mëdha në Shkup, tani në këmbë kanë mbetur vetëm tre godina të dikur haneve të mëdha dhe në zë: Suli-hani; vakëf i Ishak Beut ndërtues i xhamisë Alaxha, Kapan-Hani vakëf i Isa beut dhe Kurshumli-hani, vakëf i Myezzin Hoxha el-Ma’denit, ndërtuesit të xhamisë Duqanxhik.


    Përveç haneve, sarajeve, dyqaneve, pazarëve dhe të ngjashme, në vakëfe ekonomike trajtohen edhe shumat në të holla të lëna si vakëf i dedikuar, që përbëjnë bazën e asaj që ne sot e dimë si fondacion.


    Zhvillimi i institucionit të vakëfit ishte në shkallë të njëjtë me rëndësinë që njerëzit u jipnin motiveve fetare në ndonjë kohë përkatëse. Ashtu shohim se me lulëzimin dhe ngritjen e vetëdijes fetare ndër myslimanë u shtuan edhe vakëfet që kryenin shërbime të ndryshme në shoqëri. Vakëfet shoqërore në bazë të shërbimeve që i siguronin shoqërisë mund të ndahen në shumë lloje, por ne do t'i përmendim objektet veçmas, duke u munduar t'i shpjegojmë ato dhe funksionin që kryenin.


    Të parat në këtë vazhdë mund të radhiten objektet vakëf që kanë të bëjnë me ujin dhe higjienën, si hamamet dhe çezmat. Kjo ngase feja islame i përkushton rëndësi të veçantë pastërtisë dhe i mëson njerëzit të çmojnë ujin. Hamami sot mund të përshkruhet me banjo publike, por në kohën e osmanljive në Maqedoni kishte hamame në zë që gjatë shekujve kishin institucionalizuar rëndësinë fetare të pastërtisë, madje kishin hiearki të formuar të punonjësve në te dhe bonton të sjelljes në te. Çifte-hamami në Tetovë u emërtua me parashtesën çifte (i dyfishtë) ngase gjysma e hamamit kishte hyrje të veçanta për gratë. Çezmat dhe bunaret e ndërtuara vakëf ishin të përhapura kudo në fshatra e qytete, kurse sipas një kronike të vitit 1898 vetëm brenda qytetit të Tetovës kishte 100 çezma. Vlerë të veçantë historiografike kanë edhe pllakat e vendosura mbi çezmat, në të cilat përveç emrit të mirëbërësit dhe kohës së ndërtimit, mund të gjejmë edhe citate nga Kur’ani fisnik ose tradita e Pejgamberit, që flasin për rëndësinë e ujit apo të dhënies së tij. Kështu, në mbishkrimin e çezmës Haxhi Ejne Beu në Shkup, përveç një lutjeje dhe datës së ndërtimit (1854), është gdhendur edhe verseti “dhe prej ujit u bë çdo gjë e gjallë”. Ndër objektet e para të ndërtuara dhe me rëndësi të veçantë për infrastrukturën e qyteteve ishin edhe ujësjellësit. Pa to nuk paramendohej asnjë qytet në të cilin kishte të ndërtuar hamame dhe objekte tjera të mëdha. Në Shkup kishte më shumë ujësjellës, kurse Evlija Çelebi na tregon se uji për qytetin shpërndahej me ujësjellësin e Isa beut. Po ashtu për në Shkup dihet se ka pasur edhe ujësjellës të veçantë të El-Madinit, diku në Çair, që sillte ujin për Shengyl Hamamin dhe Kurshumli Hanin-dy vakëfe tjera të mëdha të ndërtuesit të xhamisë “Duqanxhik”. Sot në Shkup është e ruajtur vetëm një pjesë e veçantë e ujësjellësit të Mustafa Pashës, nëpërmjet të cilit u sillte uji për Shkupin nga burimet e pasura të Karadakut.


    Duke qenë se solidariteti dhe ndihma reciproke ishin të promovuara mirë si koncept fetar, vakëfet gjithmonë kishin karakterin e tyre humanitar. Ashtu në shumë vakfije hasim në kushtin se mjetet e fituara duhet të jipen në të mirë të përgjithshme kurse në raste konkrete për furnizim të kuzhinës së vakëfit (imaret) ose bile edhe ndarje të ushqimit dhe teshave fëmijëve jetimë. Ata që kishin të drejtë të ushqeheshin në imaretet zakonisht ishin udhëtarët, bonjakët, studentët, të ngratët dhe punonjësit e vakëfit përkatës.


    Ndër institucionet kulturore të veçanta te vakëfet veçohen bibliotekat e ndryshme që mirëbërës të ndryshëm i lanë vakëf ndër shekuj. Për zhvillim dhe mirëmbajtje të këtyre bibliotekave, bamirës të ndryshëm kishin lënë fond të caktuar të hollash ose objekt për ndërtim të saj. Janë të shpeshta edhe rastet kur mirëbërësi kishte lënë fond të konsiderueshëm të dorëshkrimeve e që me to themelohej biblioteka. Kështu, disa dorëshkrime të çmueshme përmenden si të veçanta në vakfijen e Mustafa Pashës, kurse tek ajo e Isa beut përmendet vetëm tematika e 230 librave dhe 320 dorëshkrimeve tjera në bibliotekën e formuar pranë medresesë së tij.


    Duke qenë se arsimimi dhe edukimi është obligim fetar dhe vepër e pëlqyer, vazhdimisht ndërtoheshin objekte që shërbenin për nxënie të diturisë në nivele të ndryshme. Ndonëse më së shumti themeloheshin mejtepe dhe medrese që siguronin arsimim fillestar dhe të mesëm, në Maqedoni pati edhe institucione të larta të arsimit, të njohura si darul-hadith (institut shkencor i veçantë për studim të diturive rreth traditës pejgamberike) ose Darul-Kura (institut shkencor i veçantë për studim të Kur’anit fisnik). Evlija Çelebia na tregon për tre Darul-Kura në Shtip.


    Mejtepi ishte shkolla e parë ku fëmijët përveç diturive themelore fetare mësonin edhe leximin. Edhe përkundër faktit se mejtepet zakonisht ndodheshin pranë xhamive dhe mesxhideve, ato dikund hasen edhe si të ndara.


    Medresetë ishin shkolla që formonin kuadro me përgatitje të mesme arsimore që kryenin funksione të ndryshme, por medreseja ishte arsimi kryesor për aftësimin e kuadrove fetare. Një medrese themelohej me vakfijen në të cilin caktohej edhe vakëfi përcjellës i cili do të shërbente për mirëmbajtjen dhe funksionimin e këtyre vatrave të arsimit. Në të njëjtin dokument përcaktohej edhe programi arsimor i të njëjtës, ku bamirësi shënonte se cilat disiplina shkencore do të mësohen në atë medrese. Ayverdi, një studiues turk, regjistron prezencën e 13 medreseve në Shkup, 10 në Dibër, 4 në Tetovë, kurse nga 5 në Prilep dhe Ohër.


    Përveç krejt këtyre llojeve të objekteve profane në Maqedoni, ekzistojnë edhe shumë objekte për shumicën e të cilave duhet bërë studime dhe analiza të veçanta. Sidomos urat dhe sahat-kullat, duke marrë parasysh vendin qendror që ata e kanë në fizionominë dhe infrastrukturën e qyteteve të Maqedonisë.


    Vakëfet si institucion qendror hasen në çdo segment të jetës shoqërore të atëhershme. Studimi i zhvillimit të institucionit të vakëfit në Maqedoni përveç që siguron të dhëna bazë për njohje të jetës fetare dhe kulturore, na ofron edhe fakte shumë domethënëse për njohje të jetës shoqërore në përgjithësi dhe të aspektit ekonomik dhe atij social në veçanti.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Ngritje, rënie, ngritje…
    Bashkësia Islame, përkatësisht organet e saja kompetente, duhet të përpilojnë një evidencë të saktë dhe të plotë të pasurisë së saj vakëf dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse shtetërore të insistojë në kthim të pronave vakëf të saj. Me fillim të kthimit të pasurive të vakëfit, të nacionalizuara më herët, do të sigurohej një shtytje për kah riaktivizimi i rolit të madh që institucioni i vakëfit e ka në shoqërinë tonë. Kurse nga kjo gjë, sikur edhe gjatë tërë historisë, do përfitonin gjithë segmentet e një shoqërie




    Dr. Ahmet SHERIF / Ramadan RAMADANI


    Në shkrimet e mëparshme tërthorazi përmendëm se, edhe pse vakëfi ishte institucion qendror, ai në periudha të ndryshme historike disa herë përjetoi ngritje dhe rënie. Kështu, një rënie e rëndësisë së vakëfit u përsërit edhe kah fundi i sundimit të sistemit osman në trevat tona. Shkaqet dhe rrethanat që sollën deri te kjo rënie ishin të ndryshme dhe komplekse. Shkaqe këto që kishin të bëjnë me dobësimin e sistemit shtetëror të perandorisë, e që në fakt ishte pasojë e rënies së moralit dhe përhapjes së korrupsionit si një reflektim i gjendjes së dobët fetare, ekonomike, ushtarake dhe arsimore. Përveç këtyre, gjatë kësaj kohe mund të vëreheshin edhe anomali në udhëheqje të vakëfeve dhe uzurpime të ndryshme. Uzurpimet dhe keqpërdorimet zakonisht bëheshin nga ana e vetë mutevelive, të cilët ishin përgjegjës të vakëfeve përkatëse. Shembuj të ndryshëm për këto mund të gjenden në regjistrat gjyqësore të arkivave osmane, ku haset edhe në shembullin e muteveliut të vakëfit të Ishak Beut në Manastir që ka harxhuar 1.139 grosh, pa pasë leje përkatëse për këtë nga naziri (mbikëqyrësi special për vakëfet). Nga ana e të njëjtit organ mbikëqyrës urdhërohet të bëhet kontrollimi i llogarive edhe ate deri në fund të vitit 1866, kurse shuma prej 1.139 grosh të ndalohet dhe menjëherë deri tek naziri të paraqiten dhe përpilohen dokumentet dhe teprinat e këtij vakëfi. Vlen të ceket fakti se gjatë tërë kohës së rënies së institucionit të vakëfit merreshin masa të ndryshme shtetërore dhe gjyqësore, masa këto që sadopak amortizonin rënien e vakëfit dhe mundësonin vazhdimësinë e tij.


    Marrja e masave si dhe rregullimi i aspektit legjislativ të administrimit me vakëfet nuk ndodhi pas kësaj periudhe, kur për disa kohë me pjesë të caktuara të vendit udhëhiqnin bullgarët apo serbët. Periudha e luftërave ballkanike ishte prej periudhave më të rënda që përjetoi popullata e këtyre trevave, kurse këto luftëra sollën edhe dëm të madh në vakëfet e ndryshme. Periudha pas luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore solli një migrim masiv të popullatës myslimane nga këto treva dhe veçanërisht të elitave të saj. Me këto migrime vakëfet mbetën jetim, edhe pse ekzistonin organizime fetare dhe politico-shoqërore që, pos tjerash, orvateshin të ruanin edhe formën dhe funksionin e vakëfeve të ndryshme në Maqedoni. Po në këtë periudhë, përveç konfiskimit, uzurpimit dhe ndërrimit të funksionit të një sërë vakëfesh të mëdha, u bë edhe shkatërrimi i disa vakëfeve fetare që ishin tejet të rëndësishme për popullatën e atëhershme dhe bile ishin simbole qendrore të arkitekturës islame dhe orientale të këtyre trevave. Kështu, serbët në mënyrë më brutale në vitin 1924 rrafshuan përtokë Burmali-Xhaminë që ndodhej në anën e djathtë të Vardarit, anash Urës së Gurit në Shkup. Në vendin e xhamisë, që ishte një perlë arkitektonike, ndërtuan një godinë të madhe që njihej si shtëpi e oficerëve e që e njëjta u shkatërrua si pasojë e tërmetit në vitin 1963.


    Pas Luftës së Dytë Botërore në viset tona u vendos një sistem jotradicional përsa i përket vakëfeve dhe mu në fillim të konstituimit të shtetit të ri jugosllav u bënë disa konfiskime masive, si ato të vitit 1946 dhe të atij 1949. Këto konfiskime, që herë ishin nacionalizim e herë bëheshin nën petkun e reformave agrare, sillnin deri tek ndërrimi i strukturës së popullatës në tërësi dhe shpesh paraqitnin faktor ndihmës për kolonializim të dirigjuar. Këtë gjë e ndihmuan edhe migrimet e shumta, që zakonisht bëheshin për motive fetare. Kjo ngase sistemi i ri i vendosur i udhëheqjes promovonte vlera antifetare dhe këtë periudhë e karakterizonte mosekzistimi i institucioneve fetare. Kështu, myslimanët nuk patën një medrese aktive prej mbylljes së Meddah-medresesë në vitin 1947 e deri në hapjen e medresesë së Isa Beut në Shkup në vitin 1984.


    Hapja e medresesë simbolizonte një ringjallje të ndjenjave fetare të popullatës në fund të viteve ’90. Kjo ringjallje me vete solli edhe një riaktivizim të institucionit të vakëfit, sidomos në formim të vakëfeve të reja të konkretizuara me ndërtim të xhamive të reja, por ky riaktivizim duhet shtrirë edhe më gjerë, sidomos në sferën kulturore dhe të arsimit.


    Një ringjallje e institucionit të vakëfit i sjell të mira shoqërisë në përgjithësi, por ajo veçanërisht do ndihmonte ngritjen e nivelit kulturor, arsimor, ekonomik dhe social. Përveç kësaj, formimi i vakëfeve të reja do t'i jipte një shtytje organizimit qytetar të popullatës dhe do të ishte shkak për rritjen e sasisë dhe cilësisë së fondacioneve. Në aspekt konkret me këtë do mundësohej që të formohen biblioteka të shumta, më se të nevojshme për ngritje të nivelit kulturor dhe civilizues. Do të ishte një rrethanë lehtësuese që të mund të hapen shkolla dhe paralele shtesë, të cilat do të ndihmonin procesin arsimor. Po ashtu kjo do jepte një shtytje ekonomike dhe sidomos disa zejeve dhe bizneseve të vogla, kurse në planin humanitar dhe atë social vakëfe të ndryshme do të jepnin ndihmesën e duhur shtresave nevojtare të shoqërisë; të varfërve, pleqve apo të sëmurëve.


    Për të ardhur deri te një përmirësim i këtij institucioni dhe deri te një shtim i vakëfeve, duhet plotësuar disa kushte paraprake dhe duhet marrë një sërë masash. Kështu, popullata e gjerë duhet vetëdijësuar në përgjithësi për vlerën e vakëfit, si dhe për pasojat e keqpërdorimit të tij. Kjo ngase, me keqardhje mund të konstatohet, dikund-dikund haset në tendenca të uzurpimit apo malverzime të ndryshme në shfrytëzim të pronave të vakëfit. Përgjegjësit për administrimin e vakëfit duhet që në mënyra të ndryshme të përkujtojnë njerëzit për një sërë të vërtetash rreth vakëfit, gjëra këto që tanimë duken të harruara, por që më parë ishin të gdhendura thellë në vetëdijen popullore. Sa për ilustrim do të mund të veçojmë një detaj esencial nga vetë formimi i vakëfit; përkatësisht në pjesën e parafundit të dokumentit, me të cilin është formuar një vakëf, ku gjendet pjesa e mallkimeve ku mallkohet keqpërdoruesi eventual dhe ai që e ndryshon funksionin e definuar të vakëfit përkatës. Ashtu, në to hasim në mallkime të rënda si “Kush orvatet që të zhduk këtë vakëf, ose të ngrite një kusht prej kushteve të tija, mbi te qoftë mallkimi i Zotit, gjithë melekëve dhe mallkimi i gjithë njerëzve”


    Kurse në mënyrë të veçantë duhet përkujtuar punonjësit në vakëf dhe shfrytëzuesit e objekteve të ndryshme të lëna vakëf, për ate që ndër popull kujtohet si “buka e vakëfit”. Ky përkujtim special vlen për personat që sigurojnë ekzistencën nga diçka e lënë vakëf dhe ato duhet mësuar me këshillën e dhënë nga dijetarë të ndryshëm, se bukën e vakëfit duhet konsumuar vetëm si një ilaç, me të drejtë dhe vetëm aq sa është e domosdoshme.


    Nënkuptohet që masat më konkrete për këte duhet marrë organet kompetente shtetërore, si dhe Bashkësia Islame e Maqedonisë. Ndërkohë që shteti do të duhej të përsos kornizën juridike për administrim të vakëfeve, si dhe të sigurojë mosdiskriminimin e ndonjë bashkësie fetare në këtë aspekt apo të pronës vakëf të saj. Pos kësaj shteti duhet dhënë ndihmën përkatëse për kthimin e vakëfeve dhe sidomos kthimin e tyre në qëllimet për të cilat kanë shërbyer më parë e që për ato kanë qenë të dedikuara. Ajo që mbetet ta themi si në fund të një teme kaq të rëndësishme është që Bashkësia Islame, përkatësisht organet e saja kompetente, duhet të përpilojnë një evidencë të saktë dhe të plotë të pasurisë së saj vakëf dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse shtetërore të insistojë në kthim të pronave vakëf të saj. Me fillim të kthimit të pasurive të vakëfit, të nacionalizuara më herët, do të sigurohej një shtytje për kah riaktivizimi i rolit të madh që institucioni i vakëfit e ka në shoqërinë tonë. Kurse nga kjo gjë, sikur edhe gjatë tërë historisë, do përfitonin gjithë segmentet e një shoqërie.


    (Dr. Ahmet Sherif është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Historisë Nacionale të Maqedonisë, Ramadan Ramadani është hatib në xhaminë “Isa Beu” në Shkup)

Tema të Ngjashme

  1. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  2. Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 06-08-2010, 09:08
  3. Bardhyl Mahmuti Ndihmon Opoziten Shqiptare Ne Maqedoni
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 04-12-2006, 06:06
  4. Intervistë: Hoxha i Prizrenit (Samidin Xhezairi)
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-07-2006, 19:20
  5. ISH - ANETARET E UCK-se I BEJNE VESHTRIM KONFLIKTIT NE MAQEDONI
    Nga tear-drops në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 24-07-2002, 00:01

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •