Ulja e vazhdueshme e normës së interesit nga bankat ka rritur shpenzimet. Mbi 120 miliardë lekë jashtë bankave

Rritet qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar

Banka e Shqipërisë deklaron se gjatë dy muajve të fundit, rritja e parasë në qarkullim është shumë e lartë

Bledjana Beqiri
Shqiptarët më shumë para në xhepa dhe më shumë para poshtë “jastëkut”. Niveli i parasë jashtë bankave gjatë dy muajve të fundit është rritur ndjeshëm, duke bërë që konsumatorët t’i shpenzojnë më shumë paratë e tyre. Banka e Shqipërisë në raportin mujor të politikës monetare pohon se në muajin korrik, niveli i parasë jashtë bankave është rritur lehtë, ndërkohë që në muajin gusht rritja e nivelit të parasë jashtë bankave është shumë më e madhe, edhe pse akoma nuk citohet një shifër e saktë. Rritja e parave në qarkullim është shkaktuar nga ulja e vazhdueshme e normave të interesit të lekut nga bankat e nivelit të dytë. Kjo ka bërë që më pak para të futen në banka dhe më shumë para të qarkullojnë, duke rritur kështu shpenzimet e familjeve shqiptare. Në raport shpjegohet se ulja e mëtejshme e normës së repos në fillim të muajit korrik nga Banka e Shqipërisë, ka ndikuar në rritjen e nivelit të parasë jashtë sistemit bankar. Normat jo shumë të larta kanë stimuluar shqiptarët që të mos kanalizojnë paratë e tyre në sistemin bankar, por t’i përdorin ato për nevojat e tyre personale apo familjare. Rritja e parasë në qarkullim gjatë muajit korrik dhe gusht është ndikuar edhe nga ardhja e emigrantëve dhe turistëve shqiptarë, të cilët me vete sjellin sasi të konsiderueshme valutash, të cilat këmbehen në para dhe më pas shpenzohen. Por mesa duket, normat jo shumë të favorshme në krahasim me fillimin e këtij viti, ka bërë që paraja në qarkullim të shënojë rritje, për shkak të shpenzimeve të larta konsumatore. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti depozitat në lekë dhe në valutë janë rritur ndjeshëm, duke u nxitur nga niveli i lartë i normave të interesit, por ulja e kësaj norme me 0.5 pikë përqindjeje në muajin prill dhe më pas sërish me 0.5 pikë përqindjeje në fillim të muajit korrik. Por ulja e normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë është reflektuar në mënyrë të menjëhershme, disa banka edhe e kanë paraprirë këtë politikë, ka bërë që normat e interesit për depozitat si në lekë ashtu dhe në valutë të ulen ndjeshëm. Brenda një periudhe kohore prej një muaji bankat e nivelit të dytë reaguan, duke ulur normat e interesit të pranimit të depozitave nga 0.16 deri në 0.26 pikë përqindjeje. “Niveli i parasë jashtë bankave ka shënuar rritje në muajin korrik dhe gusht, duke ndjekur ecurinë historike”, citohet në raportin e bankës qendrore. Kështu, paraja jashtë bankave në muajin prill, kur u ul edhe për herë të parë norma bazë e interesit, ishte 120 miliardë lekë, më pas në muajin qershor u ul në 118.9 miliardë lekë, dhe gjatë dy muajve të fundit banka qendrore pohon për një rritje të konsiderueshme të parasë në qarkullim. Shqiptarët kanë kursyer më pak para pranë bankave të nivelit të dytë dhe kanë shpenzuar më shumë për konsum familjar.

SOMARIO
Brenda një muaji bankat e nivelit të dytë reaguan, duke ulur normat e interesit të pranimit të depozitave nga 0.16 deri në 0.26 pikë përqindjeje. Normat jo shumë të larta kanë stimuluar shqiptarët që të mos kanalizojnë paratë e tyre në sistemin bankar, por t’i përdorin ato për nevojat e tyre personale apo familjare

SOMARIO
Rritja e parasë në qarkullim gjatë muajit korrik dhe gusht është ndikuar edhe nga ardhja e emigrantëve dhe turistëve shqiptarë, të cilët me vete kanë sjellë sasi të konsiderueshme valutash, të cilat këmbehen në para dhe më pas shpenzohen. Paraja në qarkullim mendohet të ketë arritur mbi 120 miliardë lekë.