Prej 4 vitesh kosovari kërkon babanë e humbur




Brikena Shllaku
Trëndafile Visha

SHKODER

Edhe pse ka katër vjet që kosovarët thithin lirisht ajrin e viseve të tyre, plagët e vjetra ende nuk janë mbyllyr. Historitë e dramat e terrorit sërb jetohen dhe sot e kësaj dite. Dhjetëra të humbur që nuk dihet nëse janë gjallë apo kanë vdekur, e bijtë në kërkim të tyre. Një histori e tillë e dhimbshme ka sjellë prej disa ditësh në qytetin e Shkodrës Dedë Bërzhalën nga Gjakova. Ky i fundit ka trokitur derë më derë në familjet shkodrane për të gjetur të atin, Ndue Bërzhalën, me të cilin i ka humbur lidhjet që në prill të vitit 1999. Deda nuk ka shumë shpresë që ta gjejë babanë gjallë, por këmbëngul që të paktën të gjejë varrin ku prehet ai. ndërsa lë numrin e telefonit për ata që mund të dijë diçka: 044201857.

Historia
Historia e familjes Bërzhala nga Gjakova daton 5 prillin e vitit 1999. Në këtë ditë të zezë, Ndue Bërzhala së bashku me gruan dhe tetë fëmijët është nisur për udhë drejt Shqiërisë, nën kërbaçin serb. I sëmurë nga veshkat, Ndue është ndarë në rrugë nga kolona e gjatë e kosovarëve dhe nga familja e tij, për të mos u takuar më që prej katër vitesh. Ndërkohë djali i tij, Deda, tregon për Gazetën se si humbi gjurmët e të atit të tij që prej asaj dite prilli. "Me 5 prill të vitit 1999 kemi udhëtuar në kolonë nga Gjakova drejt pikës kufitare të Qafë Prushit. Nga rrëmuja e madhe, babai dhe nëna u ndanë prej ne fëmijëve (ata ecnin ngadalë). Im atë vuante nga veshkat. Një makinë e OSBE-së kishte ndaluar në rrugë dhe e kishte marrë babanë (mesaduket e kishin parë se nuk ecte dot. Ata të OSBE-së i kishin thënë nënës se do ta shpinin te shkolla e fshatit Letaj në rrethin e Hasit. Ky ka qenë dhe momenti i ndarjes", thotë Deda. Më pas Deda ka marrë vesh se me datë 7 prill babai i tij është shtruar në Spitalin nr. 2 në Tiranë, ku e kanë marrë dy motra nga Shkodra, të cilat nuk kishin lënë adresë. Lajmi se Ndue është në Shkodër ka zhvendosur në këtë qytet dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, por më kot se nuk e kanë gjetur atë.

Shpresa
Pavarësisht se kanë kaluar katër vjet, Dedë Bërzhala nuk do të reshtë së kërkuari babanë e tij. Me një foto në dorë ai troket në dyert e shkodranëve me shpresën se të paktën do të gjejë varrin e të atit, të cilin e ka brengën më të madhe në shpirt. Deri në këtë moment askush nuk i ka thënë një fjalë, as edhe Kryqi i Kuq dhe organizma të tjera ndërkombëtare që janë marrë me raste të tilla. Ai shpreson, dhe në kërkimin e tij në qytetin e Shkodrës shoqërohet kudo nga humoristi i njohur, Paulin Selimi, i cili në vitin 1999 i ka qëndruar afër duke i hapur derën e shtëpisë së tij.

------------------------
---------------------------
Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?